2011-11-25 18:12:41

Publikohet Kalendari i kremtimeve liturgjike, që do të kryesohen nga Papa në dhjetor e në janar.


Kremtimet tradicionale në Vatikan, karakteristike për këtë kohë, por edhe vizita në një famulli romake. Mjeshtri i Ceremonive papnore, imzot Guido Marini, publikoi sot Kalendarin e kremtimeve, që do të kryesohen nga Benedikti XVI deri në janarin e ardhshëm. Të shumta, kremtimet e rëndësishme në këtë kohë të fortë të vitit liturgjik, duke nisur nga Lutjet Mbrëmësore të së Dielës së parë të Kohës së Ardhjes.
“Është kohë e përshtatshme për të rizgjuar në zemrat tona atmosferën e pritjes së Jezusit” – kështu e pati përmbledhur vitin e kaluar Benedikti XVI kuptimin e kësaj periudhe, në të Dielën e parë të Ardhjes.

Takimi i parë, në zemër të Romës: vizita e 8 dhjetorit, në Sheshin romak të Spanjës, në orën 16.00, për të nderuar Zojën e Papërlyer.
Tri ditë më pas, ditën e dielë, Benedikti XVI pritet në Kazal Bokone, zona e Agro-Romano-s, në verilindje të kryeqytetit, për të kryesuar, në orën 9.30, Meshën Shenjte në famullinë moderne të Zojës së Hireve.
Të nesërmen, e hënë, 12 dhjetor, në orën 17.30, Papa do të kremtojë, në Bazilikën e Shën Pjetrit, një Meshë kushtuar Amerikës Latine, në solemnitetin e Zojës së Guadalupes.
Në të njëjtën orë, të enjten, më 15 dhjetor, gjithnjë në Bazilikën e Vatikanit, Papa do të kremtojë Mbrëmësoret me studentët e universiteteve romake.
Arrijmë kështu, në Natën e Lindjes së Krishtit.
Natën e Krishtlindjes, në orën 22.00, Papa do të kremtojë Meshën e Mesnatës në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Të nesërmen, nga Lozha qëndrore e Bazilikës së Vatikanit, në orën 12.00, bekimi ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’, transmetuar nga mondovizioni.
2011-ta do të përfundojë më 31 dhjetor në Bazilikën e Vatikanit. Papa do të kryesojë Lutjet e para Mbrëmësore të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Mari, Nënës së Zotit dhe ‘Te Deum’, lutjen e falënderimit drejtuar Hyjit në fund të vitit.
Më 1 janar 2012, duke nisur nga ora 09.30, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën Shenjte të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Nënës së Zotit, po në Bazilikën e Shën Pjetrit, prej nga do të përhapet në mbarë botën mesazhi papnor për Ditën e 45-të Botërore të Paqes 2012. Është një ditë, ndikimi i së cilës, sipas dëshirës së Papës, duhet të zgjatë tërë vitin, e prandaj Ati i Shenjtë i fton të gjithë ta lexojnë mesazhin e të thellohen në kuptimin e fjalëve, që përbëjnë titullin e tij: “Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes”.
Të martën, më 6 janar, solemniteti i Dëftimit të Zotit, Papa do të kryesojë Meshën në Shën Pjetër, duke nisur nga ora 09.30.
8 janar, festa e Pagëzimit të Zotit, Mesha papnore do të kremtohet në Kapelën Sikstine, ku Ati i Shenjtë do t’ i japë sakramentin e Pagëzimit një grupi fëmijësh.Të mërkurën, më 25 janar, në orën 17.30, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit, Benedikti XVI do të përfundojë Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke kryesuar Lutjet Mbrëmësore në Bazilikën romake të Apostullit të Popujve jashtë Mureve.







All the contents on this site are copyrighted ©.