Me 25 nëntor kujtohet shën Katerina e Aleksandrisë.
Tekstet e letërsisë popullore e paraqesin Katerinën si vajzë tejet të bukur të krishterë,
bijë të një dere fisnike nga Aleksandria e Egjiptit. Këtu, në vitin 305, arriti Maksimin
Daia, emëruar governator i Egjiptit dhe i Sirisë. Me këtë rast u përgatiten dhe u
kremtuan festa madhështore, gjatë të cilave njerëzit i flijuan hyjnive pagane një
mori kafshësh. Ishte detyrim, që u imponohej të gjithë nënshtetasve. I erdhi radha
edhe Katerinës. Vasha jo vetëm që nuk pranoi t’u falte flije idhujve, por e ftoi Maksiminin
të heqë dorë nga hyjnitë e ta pranojë Jezu Krishtin si shpëtimtar të njerëzimit. Si
nuk ia doli mbanesh ta bindte vashën për t’u gjunjëzuar para zotave të rremë, Maksimini,
i mahnitur nga hiri, njomësia e bukuria e saj, i kërkoi dorën. Deshi ta kishte përkrah
si gruan më të zgjedhur, që kishte takuar ndonjëherë. Vajza, natyrisht, nuk pranoi.
Atëherë dashuria e qeveritarit të mbrapshtë romak, u kthye menjëherë në urrejtje.
E kjo urrejtje e shtyu të kërkonte vdekjen më të tmerrshme për vashën, e cila donte
më shumë Krishtin, se perandorin. E mbërthyen mbi një rrotë të dhëmbëzuar që, duke
u rrotulluar, do ta coptonte trupin e saj të brishtë. Po Zoti, që ajo e donte edhe
më shumë se vetë jetën, e shpëtoi mrekullisht nga një mundim i tillë kaq barbar.
Atëherë ia prenë kokën e trupi i saj u mbart nga Aleksandria, në Sinai, në një mal
pranë Gebel Musa (Malit të Moisiut), që edhe sot e kësaj dite njihet me emrin Gebel
Katherin. Mbi trupin e Virgjërës Martire ngrihet një nga manastiret më në zë kushtuar
Shenjtores. Kjo ndodhi më 25 nëntor të vitit të largët 305. Kulti i Shën Katerinës
është jashtzakonisht i përhapur. Fgurën e saj e gjejmë në bazilikën romake të Shën
Lorencit, në katakombet e Shën Gjenarit në Napoli dhe në të katër anët e Evropës,
ku ka frymëzuar edhe shfaqje me karakter kishtar e këngë të përshpirtërisë popullore.
Festa e saj e përvitshme kremtohet si festë e të rinjve: në Francë Shën Katerina njihet
si pajtorja e studentëve të teologjisë dhe e shumë bashkësive femërore. Është gjithashtu
pajtore e vajzave që mësojnë mjeshtrinë e rrobaqepses, të cilat janë njohur për një
kohë të gjatë me emrin "katerinette" në mbarë Evropën. Por atë e njohin si pajtore
edhe berberët, mëndeshat, vajzat në moshë të martesës, të burgosurit e, nga që u torturua
mbi një rrotë me thumba - edhe të gjitha mjeshtritë që kanë lidhje me rrotën: që nga
qerrexhinjtë tek vegsharët, nga mprehësit e thikave tek gomistët e biçiklistët.Dhjetra
piktorë janë frymëzuar nga figura e përkryer e shenjtes që në lule të rinisë e të
bukurisë ia fali gjithë vetveten Krishtit, duke u coptuar mbi thumbat e rrotës ku
e kishin lidhur. Portretin e saj e ka pikturuar edhe piktori i shquar shqipar Lin
Delija, duke i dhënë, sipas stilit të tij, ngjyrime të forta shqiptare. Shenjtja e
Delisë është e veshur me kostum kombëtar shqiptar e mba në dorë një rrotë që duket
sikur ka dalë nga punishtet e lashta shqiptare të rrotave. Portreti ndodhet në Kuvendin
e fretërve të Gjuhadolit në Shkodër.