Mbledhja plenare e Familjes, në emër të të Lumit Vojtila. Kardinali Antoneli: familjet
e krishtera duhet të jenë dëshmitare të besueshme të Ungjillit.
Familja, në plan të parë, sot paradite, në Sallën vatikanase të Shtypit, ku u paraqit
mbledhja plenare e Këshillit Papnor për Familjen, që do të mbahet nga 29 nëntori deri
më 1 dhjetorin e ardhshëm, kur pjesëmarrësit do të priten nga Benedikti XVI. Ngjarje
e veçantë kjo, po të kemi parasysh se përkon me 30-vjetorin e Nxitjes Apostolike
të Gjon Palit II , ‘Familiaris Consortio’ dhe të themelimit të vetë dikasterit. Me këtë rast u
vu theksi edhe mbi Takimin VII Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Milano, nga
30 maji, deri më 3 qershorin e vitit 2012. Në konferencën e shtypit, ndërmjet të
tjerëve, foli edhe kryetari i Këshillit Papnor për Familjen, kardinali Antoneli.
Do
të fillojë me një gjunjëzim prekës pranë Varrit të Gjon Palit II, mbledhja plenare
e dikasterit për Familjen, përqendruar tek “Familiaris consortio” e të Lumit Vojtila.
Kardinali Antoneli vuri theksin mbi këtë dhuratë, që ‘Papa i familjeve’ i bëri mbarë
Kishës. E, në dritën e këtij dokumenti, nënvizoi edhe detyrat e familjeve të krishtera,
të cilat sot janë të thirrura ta dëshmojnë në mënyrë sa më bindëse, Ungjillin e Krishtit: “Duhet
të bëhen një shenjë e madhe e besueshmërisë së Ungjillit, përmes shërbimit reciprok,
lindjes së fëmijëve, edukimit dhe kujdesit plot përgjegjësi për ta, impenjimit shembullor
në punë, vëmendjes për të varfërit e nevojtarët, lutjes në shtëpi, pjesëmarrjes në
meshë e në veprimtaritë kishtare, impenjimit në shoqërinë civile”. Hirësia
e Tij pohoi edhe se Kisha nuk ka vizion negativ për seksualitetin, akuzë që e dëgjojmë
tepër shpesh: “Në të vërtetë, Kisha e fisnikëron seksualitetin, si dashuri
e si eros, si dëshirë e si lumturi; e larton, sepse përfshin në të dashurinë, parë
si dhuratë e vetvetes e si bashkim, që është pasqyrim i vetë jetës së Zotit dhe përshpejtim
i dasmës së amshuar me Hyjin”. Por, duke folur me gazetarët, kardinali
Antoneli, theksoi edhe rrezikun e lirisë e të barazisë seksuale pa cak, që nuk sjellin
asgjë të mirë. Aq më tepër, kur bëhen juridikisht të ligjshme e paraqiten si modele
të reja të famijes, shumë larg asaj tradicionale, që krijojet mbi bazën e bashkimit
të një burri me një grua, bashkim i pazgjidhshëm e i pandashëm: “Është e
vërtetë se panorama është tronditëse. Do të thosha se në të sundon posaçërisht miti
i lirisë dhe i barazisë; të absolutizuar kështu, bëhen dy mite shkatërrimtare… E,
fshehur pas këtyre dy fjalëve, sot kalojnë shumë të ashtuquajtura të drejta e edhe
më shumë sjellje, që çojnë në rrugë të shtrembëra”.Por Kardinali Antoneli
theksoi edhe anët pozitive në jetën e familjeve, foli për shumë drita, që ndriçojnë
vatrat e mbarë botës, falë zhvillimit të mëtejshëm të punës baritore, të veprimtarisë
së lëvizjeve kishtare dhe impenjimit të dioqezave e edhe vetë familjeve të krishtera.
Solli si shembull sidomos 7-8 familjet, për të cilat është në përfundim e sipër çështja
e lumnimit.