Koncert në Vatikan për të ndihmuar të sëmurët me Sidë, tuberkuloz e malarie.
Këshilli Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë organizoi sot pasdite, në Vatikan, një
koncert bamirësie kushtuar Benediktit XVI me titull: “Kryqi, Mëshira, Lavdia”, për
të përkujtuar figurën e ndritur të Gjon Palit II. Koncerti, që filloi në orën
18.00, në Sallën e Palit VI në Vatikan, kishte në program muzikë klasike, ekzekutuar
nga Orkestra Filarmonike e Romës dhe Kori polifonik “The Karol Singers”, së bashku
me Korin polifonik dhe Orkestrën Simfonike të qytetit rus, Penxa. Paratë, që do
të mblidhen, do t’i dorëzohen Fondacionit “Samaritani i mirë”, themeluar në vitin
2004 nga Papa Vojtila për të ndihmuar viktimat e pandemive e të infektimeve, që shkaktojnë
vdekjen e miliona njerëzve, për shkak të mungesës së ilaçeve të nevojshme e të strukturave
shëndetësore bazë. Është fjala kryesisht për disa sëmundje, si Sida, tuberkulozi e
malaria, mjekimi i të cilave mund ta zgjasë deri në 20 vjet jetën e të sëmurëve.
Kjo veprimtari artistike u organizua në kuadrin e konferencës ndërkombëtare, mbledhur
nga Këshilli Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, që përfundon nesër. Punimet e konferencës
patën në qendër të vëmendjes kujdesin për shëndetin e njeriut, duke u përqendruar
tek sëmundjet e larpërmendura.