2011-11-24 15:48:32

Pakistani nuk e ndalon më shkrimin e emrit të Jezu Krishtit, në mesazhet përmes celularit.


Çështja u mbyll: fjala Jezu Krisht mund të shkruhet në mesazhet e dërguara nga celularët pakistanezë, sepse është shlyer plotësisht nga lista e emrave të ndaluar, e cila pas pak kohe do t’u shpërndahet shoqërive telefonike të vendit. Vendimtare për këtë përfundim, ishte ndërhyrja e ministrit të harmonisë, katolikut Akram Gill, i cili foli drejtpërdrejt me kryetarin e Autoritetit pakistanez për telekomunikacionin, duke nënvizuar se një masë e tillë do të dëmtonte krijimin e atmosferës së bashkëjetesës paqësore ndërfetare në Pakistan.
Lajmi u përhap pak ditë më parë: ndërmjet 1600 fjalëve të ndaluara në mesazhet telefonike e të bllokuara nga autoritetet kompetente, për t’i mbrojtur mendjet e të rinjve, binte në sy edhe emri Jezus. I menjëhershëm, reagimi i Konferencës ipeshkvnore vendase, që kërkoi zyrtarisht shpjegime për arsyen e ndalimit të këtij emri, duke u drejtuar cenzorëve pyetjen: “Ç’dëm mund t’u sjellë të rinjve?”, dhe duke denoncuar shkeljen e së drejtës për të ungjillëzuar e për të dëshmuar fenë, sanksionuar nga Kushtetuta pakistaneze.
Ndërsa tani Kisha shpreh, në agjencinë Fides, kënaqësinë e vet për mundësinë që i krijohet të ungjillëzojë edhe përmes përdorimit të teknologjive të reja.
E po këtë kënaqësi e shprehën edhe disa shoqata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që e patën denoncuar ndalimin, si kufizim i lirisë së shprehjes, por edhe si shkelje e së drejtës për mbrojtjen e jetës private.








All the contents on this site are copyrighted ©.