2011-11-23 17:03:51

Papa në audiencën e përgjithshme: Kisha në Afrikë, protagoniste e një stine të re shprese.


Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Benedikti XVI rikujtoi përmbledhtas etapat kryesore të shtegtimit të tij apostolik në Benin, ku ishte nga 18 deri më 20 nëntor. Gëzimi e zelli apostolik i priftërinjve, rregulltarëve, rregulltareve, seminaristëve e laikëve, që e pashë me sytë e mi – tha Papa - është shenjë e sigurtë shprese për ardhmërinë e Kishës në Benin.

Për Benediktin XVI, shtegtimi apostolik në Benin ishte përvojë prekëse feje, takim i ri me Jezu Krishtin e gjallë. Në këtë fazë vendimtare për mbarë Kontinentin – tha Papa – Kisha në Afrikë, me impenjimin e saj fisnik në shërbim të Ungjillit, mund të jetë protagoniste e një stine të re shprese:
“Në Afrikë pashë freski në pohimin e jetës, freski në kuptimin fetar të shpresës, perceptim të realitetit në tërësinë e tij me Zotin, jo me pozitivizmin, që në fund të fundit, shuan çdo shpresë. Gjithçka flet e thotë se në këtë Kontinent ekziston një rezervë vigane jete e gjallërie për të ardhmen, në të cilën ne mund të shpresojmë, Kisha mund të shpresojë shumë”.
Një nga çastet më të paharrueshme të shtegtimit apostolik, ishte lutja pranë varrit të burrit të madh të Kishës, birit të shquar të Beninit e të mbarë Afrikës…:
“…kardinalit të paharrueshëm, Bernardin Gantin, kujtimi i pashlyeshëm i të cilit është më i gjallë se kurrë në vendin, që e lindi, që e konsideron Atë të Atdheut, e edhe në mbarë Kontinetin”.
Shtegtimi në Benin tingëlloi si thirrje e fuqishme, drejtuar Afrikës, që të përpiqet me të gjitha forcat për t’ua kumtuar Ungjillin mbarë afrikanëve, posaçërisht atyre, që nuk e njohin ende, e njëkohësisht, si nxitje për bashkësitë e krishtera, në luftën për drejtësi, paqe e pajtim:
Kjo frymë pajtimi është e domosdoshme, natyrisht, edhe në planin civil; kërkon ringjalljen e shpresave edhe në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike të Kontinentit, siç e theksova në takimin me Institucionet politike, Trupin Diplomatik dhe Përfaqësuesit e Feve”.
Kujtojmë se në këtë takim, Papa vuri theksin mbi shpresën, që duhet të frymëzojë udhën e Kontinentit, duke shprehur dëshirën e tij të zjarrtë për liri e drejtësi e cila, muajt e fundit, po vlon më shumë se kurrë në zemrat e afrikanëve:
“Nënvizova, pastaj, se është e nevojshme të ndërtohet një shoqëri, në të cilën lidhjet ndërmjet etnive të ndryshme të karakterizohen nga dialogu e harmonia. I ftova afrikanët të hedhin farën e shpresës në të gjitha realitetet, në të gjitha mjediset”.
Të krishterët – shtoi Papa – janë njerëz të shpresës, prandaj nuk mund të rrinë duarkryq përballë vuajtjeve të motrave e të vëllezërve. E pikërisht këto fjalë qenë lajmotiv edhe në kremtimin eukaristik të së dielës, në Stadiumin e Miqësisë, të Kotonusë:
Ishte një çast i jashtëzakonshëm lutjeje, festë e fesë, në të cilën morën pjesë mijëra e mijëra besimtarë të Beninit e të viseve të tjera afrikane, që nga pleqtë, tek fëmijët: dëshmi mahnitëse, që tregon se feja mund t’i bashkojë të gjitha breznitë e t’u përgjigjet të gjitha sfidave, të të gjitha stinëve të jetës”.
Gjatë këtij kremtimi prekës, Ati i Shenjtë u dorëzoi kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës, Nxitjen apostolike pas-sinodale “Africæ munus”, tekst që përmban vijat themelore për rrugën e Kishës, domethënë, për rrugën në të cilën do të ecin priftërinjtë, rregulltarët e rregulltaret, katekistët dhe laikët në mbarë Kontinentin afrikan, në vitet e ardhshme:
“Duke ua besuar atyre frytet e Asamblesë II të Posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve për Afrikën, u kërkova t’i meditojnë me vëmendje të madhe e t’i jetojnë plotësisht, për t’iu përgjigjur si duhet misionit të domosdoshëm ungjillëzues të Kishës shtegtare në Afrikën e mijëvjeçarit të tretë”.
Të gjithëve, Papa u bëri thirrje të jenë konstruktorë të palodhur të bashkimit, të paqes e të solidaritetit:
Afrikanët iu përgjigjen me entuziazëm ftesës së Papës i cili, në fytyrat e tyre, në fenë e tyre të zjarrtë, në besimin plot bindje në Ungjillin e jetës, pa edhe një herë shenjat ngushëlluese të shpresës për Kontinentin e madh afrikan”.
Ati i Shenjtë shpjegoi, më pas, se i preku me dorë këto shenja shprese edhe në takimin me fëmijët e me botën e dhimbjes:
“Në Kishën famullitare të Shën Ritës, shijova me të vërtetë gëzimin e të jetuarit, harenë dhe entuziazmin e breznive të reja, që janë e ardhmja e Afrikës. Aradheve festive të fëmijëve, një nga burimet dhe pasuritë më të mëdha të vendit, u fola për figurën e Shën Kicitos, fëmijë ugandez, i mbytur sepse donte të jetonte sipas mësimeve të Ungjillit. I nxita të gjithë t’ua dëshmojnë Jezusin bashkëmoshtarëve të tyre”.
Posaçërisht prekëse, vizita në Vatrën “paqe e gëzim”, drejtuar nga misionaret e bamirësisë së Nënë Terezës:
Më bëri të jetoj një çast emocioni të madh, duke takuar fëmijët e braktisur e të sëmurë, e më ndihmoi ta shikoj konkretisht se dashuria e solidariteti dinë ta bëjnë të pranueshme, në ligështi, forcën dhe dashurinë e Krishtit të ngjallur”.
Çaste përplot me frymën e bashkimit, edhe ato të kaluara me ipeshkvijtë e Beninit:
Ipeshkvijve u drejtova ftesën të vënë në jetë nisma baritore, që të nxitin në familjet, në famullitë, në bashkësitë e në lëvizjet kishtare, dëshirën për rizbulimin e vazhdueshëm të Shkrimit Shenjt, parë si burim i përtëritjes shpirtërore dhe si rast për thellimin e mëtejshëm të fesë”.
Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI i drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt një grupi ciganësh, ardhur nga provinca hungareze e Tolnës, si dhe delegacionit të Forumit katoliko-ortodoks. Anëtarët katolikë, posaçërisht – tha Papa – i uroj përzemërisht me rastin e 40-vjetorit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane.
Në përfundim Papa nënvizoi se po jetojmë ditët e fundme të Vitit Liturgjik. E kjo na kujton se vitet shkasin e shkojnë me shpejtësi e se rrjedha e pandalshme e tyre mund edhe ta dëshpërojë njeriun, në se nuk e shikon kohën, që kalon pa kthim, me syrin e fesë:
“Të dashur të rinj, sintonizojeni hapin tuaj personal me hapin e Kishës, duke ecur me ritmin e liturgjisë; përgatituni ta jetoni Kohën e Ardhjes si kohë, gjatë së cilës prisni të vijë në shpirtin tuaj Mesia, Shëlbuesi ynë;
të dashur të sëmurë, lutjuni Zotit për dhuratën e shpresës, duke ofruar për të edhe vuajtjet tuaja;
e ju, të dashur bashkëshortë të rinj, kini gjithnjë besim në Provaninë hyjnore, që u prin e i shoqëron familjet e krishtera”.









All the contents on this site are copyrighted ©.