2011-11-23 17:04:02

Asambleja e Përgjithshme e Këshillit Papnor për Laikët. Kardinal Rylko: besimi në Zotin i jep kuptim jetës


Të rizbulohet rëndësia e marrëdhënieve me Zotin si baza e jetës dhe e shpresës së njerëzve e të shoqërive të kohës së sotme. Me këtë synim, Këshilli Papnor për Laikët ia kushton asamblenë e përgjithshme vjetore temës “Çështja e Zotit sot”. Gjatë tri ditëve në Romë, duke filluar nga nesër deri të shtunën, debatet do të përpiqen të venë në dukje se si ndryshon jeta kur Zoti bën pjesë në të, ose kur mënjanohet. Natyrisht, në plan të parë, do të jenë dëshmitë konkrete të laikëve. Kreun e dikasterit vatikanas, kardinalin Stanislau Rilko, e pyetëm cili është kontributi i fesë në Zotin në jetën e burrave e grave të shoqërisë së sotme:
Po më pyesni çfarë i shton feja jetës së njeriut… Në të vërtetë, feja nuk është shtesë, apo zbukurim… Feja është qendra jetësore e njeriut. Marrëdhëniet e njeriut me Zotin janë vendimtare për marrëdhëniet e tij me vetveten dhe me botën. Duke përjashtuar Hyjin nga jeta, njeriu mbetet për vetveten, një enigmë e pashpjegueshme. Është vetëm feja në Zotin, që i jep kuptim ekzistencës sonë; nga feja lind “shpresa e madhe”, pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë. Papa na siguron: “Pa Zotin, llogaritë për njeriun nuk dalin…”. Prandaj, detyra jonë si të krishterë është të vemë gjithnjë në dukje përparësinë e Zotit në jetën e njeriut e, jo të një zoti çfarëdo, por të një Hyji, që na është zbuluar në fytyrën e Jezu Krishtit.
Kjo, sipas jush, do të ndikonte pozitivisht në jetën e shoqërisë?
Një nga sfidat e mëdha pas modernizmit është prirja për ta mbyllur Zotin vetëm në sferën e jetës private. Vërtet, jemi dëshmitarë të përpjekjeve të shumta të përjashtimit të Hyjit e të fesë nga jeta publike… Sot, dikush flet për “kristianofobi”… E përgjigjja e Papës Benedikti XVI është shumë e qartë: “Mund të përmendim shumë probleme, që duhen zgjidhur, por, asnjë prej tyre nuk zgjidhet nëse Zoti nuk vihet në qendër, nëse Hyji nuk bëhet sërish i dukshëm në botë”. E pikërisht këtu, krijohet një mundësi e madhe për dëshminë e krishterë koherente dhe bindëse. Ky është shërbimi më i rëndësishëm, që ne të krishterët jemi të thirrur të bëjmë në botën ku jetojmë.
A mund të flitet për ndonjë “fytyrë” të veçantë të Zotit, që të krishterët duhet ta njohin e ta dëshmojnë?
Ne e njohim fytyrën e Zotit, duke parë Jezu Krishtin, Birin e Hyjit bërë njeri për shpëtimin tonë. Ne të krishterët jemi të thirrur ta njohim e ta dëshmojmë këtë Zot, këtë Hyj, që përkulet mbi njeriun, që vjen drejt nesh, një Zot-me-ne. Në Nxitjen Apostolike “Christifideles laici” (n.34), i Lumi Gjon Pali II shkruan: “Zoti e do njeriun! Ky është lajmi tepër i thjeshtë e tepër i mahnitshëm, shpalljen e të cilit, Kisha ia ka borxh njeriut. Fjala e jeta e çdo të krishteri mund e duhet ta bëjnë të ritingëllojë këtë kumt: Zoti na do, Krishti ka ardhur për ty, për ty Krishti është Rruga, e Vërteta dhe Jeta!”. Tani mund ta pyesim veten: “A është kjo fytyra e Hyjit, që duket nga sjelljet dhe vendimet tona të përditshme?”. Kemi përgjegjësi të madhe: duhet t’i përçojmë botës pamjen e vërtetë të Zotit dhe jo një pamje të reduktuar, të shndërruar, apo të shtrembëruar…
Bashkë më krizën ekonomike, bota përjeton sot, edhe vështirësi për t’i dhënë kuptim jetës. Shoqëria, sidomos ajo perëndimore, bëhet gjithnjë e më individualiste, edhe në fushën shpirtërore. A janë të besueshëm të krishterët e sotëm?
Në fillim të papnisë së tij, Benedikti XVI foli për shkretëtirat, që kanë mbuluar botën dhe, nxorri në pah njërën, në veçanti: “Shkretëtirën, që vjen nga errësimi i Zotit, nga boshatisja e shpirtit, nga mungesa e vetëdijes për dinjitetin dhe rrugën e njeriut”. Sot, s'është çudi ta gjesh këtë shkretëtirë edhe ndërmjet të pagëzuarve… Papa na tërheq vëmendjen se shqetësohemi shumë për ndikimet e fesë së të krishterëve në jetën shoqërore, ekonomike, politike, duke presupozuar se kjo fe ekziston. Por, në kohën tonë, kjo është gjithnjë e më pak reale. Ja nga vjen sfida e madhe e ditëve të sotme: të rizbulojmë vlerën e fesë në jetën e çdo të krishteri… të rizbulojmë bukurinë e fesë e bukurinë e një jete, që frymëzohet nga Ungjilli. Ky është edhe objektivi kryesor i Viti të Fesë, që sipas dëshirës së Papës, do të fillojë më 11 tetorin e ardhshëm. Benedikti XVI saktëson: “Feja duhet rimenduar e sidomos duhet rijetuar sot në një mënyrë të re, për t’u bërë diçka, që i përket së tashmes. Por zbutja e fesë nuk ndihmon, ajo duhet jetuar plotësisht në jetën e përditshme… Nuk janë taktikat, ato që do ta shpëtojnë krishterimin, por feja e rimenduar dhe e rijetuar në mënyrë të re”.








All the contents on this site are copyrighted ©.