2011-11-22 15:14:34

Veprimtari festive me rastin e 28 nëntorit në Romë.


Në Romë e në botë, kudo jetojnë e punojnë emigrantë shqiptarë, ndjehet fort atmosfera e 28-nëntorit, festës kombëtare të Shqipërisë. Në Romë sipas traditës, festimeve i paraprin Bashkësia arbëreshe, që organizon dy takime: një kulturor e një shpirtëror.
Në takimin e parë, organizuar nga Kolegji Papnor grek dhe Bashkësia bizantine e Shën Athanasit në Romë, të shtunën, më 26 nëntor, në orën 17.00, si zakonisht në Via dei Greci 45, do të paraqitet materiali ndihmës katekistik, përgatitur nga i ndjeri monsinjor Eleuterio Fortino, titulluar “Koncilet Ekumenike dhe dëshmimi i fesë së krishterë”, vepër postume.
Arkimandriti profesor Manuel Nin, do të mbajë referatin: “Shtatë Koncilet e para Ekumenike në liturgjinë bizantine”, ndërsa diakoni, profesor Luigi Fioriti “Shtatë Koncilet Ekumenike në ekleziologjinë bizantine”
Takimin do ta drejtojë profesor Domenico Morelli.
Pastaj, sipas traditës, të dielën, më 27 nëntor, në orën 10. 30 në Kishën e Shën Athanasit, via del Babuino, 149, do të kremtohet Liturgjia hyjnore në gjuhën shqipe, kryesuar nga Arkimandriti, Antonio Paratore.Si çdo vit, besimtarët e pranishëm do të luten për të gjithë shqiptarët, që jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në diasporën e vjetër e të re.








All the contents on this site are copyrighted ©.