2011-11-22 15:48:48

Paraqitet Konferenca e baritorisë së shëndetit në Vatikan, frymëzuar nga mësimet e Papës Vojtila


“Baritoria e shëndetit në shërbim të jetës, në dritën e magjisterit të të Lumit Gjon Pali II”: ky është titulli i Konferencës së 26-të ndërkombëtare të Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetit, që do të mbahet nga 24 deri më 26 nëntor në Vatikan. 685 delegatë nga 70 vende, do të diskutojnë, do të japin dëshmi e do të thellohen në problematikat e ndryshme që nxjerr përpara Kishës Katolike, impenjimi i saj në favor të të sëmurëve, anekënd botës. Kreu i dikasterit, imzot Zigmunt Zimovski kujtoi se Këshilli Papnor për Veprimtarët e Shëndetit është themeluar në vitin 1988 nga Papa Gjon Pali II, i cili në vitin 2004 i besoi edhe Fondacionin “Samaritani i Mirë” e në vitin 1992, filloi kremtimin e Ditës Botërore të të Sëmurit. Një Papë i paharruar, tha imzot Zimovski, që e përmendi me fjalët e Benediktit XVI para Kuries Romake, në vitin 2005:
“Asnjë Papë nuk na ka lënë një sasi tekstesh aq sa na ka lënë ai; asnjë Papë përpara, s’ka mundur të vizitojë, si ai, të gjithë botën e s’ka mundur të flasë drejtpërdrejt me njerëzit e të gjitha kontinenteve. Por, në fund, i takoi rruga e vuajtjes dhe e heshtjes. Ati i Shenjtë, me fjalët dhe me veprat e tij, na ka dhuruar gjëra të mëdha”.
Konferenca do të hapet të enjten paradite, më 24 nëntor, nga një Liturgji eukaristike në Bazilikën e Shën Pjetrit. Por që nesër, do të takohen 42 ipeshkvij nga 39 kombe me rreth 40 ekspertë e të ftuar, për të koordinuar formimin e operatorëve në të gjitha nivelet, edhe të atyre që duhet të marrin vendime politike apo ekonomike për administrimin e shëndetësisë. Për këtë qëllim, u tha gazetarëve zv.sekretari i Këshillit Papnor, atë Augusto Kendi, po rishikohet Karta e veprimtarëve të shëndetit, bazuar në vlerën parësore e themelore të jetës, nga zënia deri në përfundimin e natyrshëm:
“Hartuar më 1994, Karta ka nevojë të integrohet, duke marrë parasysh përparimet e shkencave mjekësore e ndërhyrjet e mundshme mbi jetën njerëzore, si edhe deklaratat e magjisterit kishtar”.
Pasditen e së premtes, në sallën Pali VI në Vatikan, do të mbahet një koncert në nder të Benediktit XVI, i cili do të ketë në qendër figurën e të Lumit Gjon Pali II. Të ardhurat do t’i jepen Fondacionit “Samaritani i Mirë”, për më të varfërit, të sëmurë nga Sida, tuberkulozi dhe malarja.








All the contents on this site are copyrighted ©.