2011-11-21 16:33:54

Kryeipeshkvi i Kotonusë: sukses, shtegtimi i Papës, tani urojmë që shpresa të bëhet realitet.


“Pajtim, drejtësi, paqe”: trinomi në moton e shtegtimit apostolik në Benin, është edhe sfida, që la pas Benedikti XVI, e jo vetëm për vendin që vizitoi, por edhe për mbarë Afrikën. Është i bindur për këtë, kryeipeshkvi i Kotonusë, imzot Antoine Ganyé, kryetar i Konferencës ipeshkvnore beninase. Të ndjekim bilancin e tij për shtegtimin e Papës, parë me syrin e një lideri fetar, që shqetësohet fort për mbarë afrikanët:RealAudioMP3
Përgjigje: - Ishte sukses për të gjithë njerëzit! Ky shtegtim na fton për miqësi të vërtetë me Zotin, me të afërmit e edhe me vetveten. Na fton ta duam Zotin me gjithë zemër, të jemi të krishterë të mirë e ta duam njëri-tjetrin. Ne i ndjejmë fort këto tri vlera: pajtimin, drejtësinë e paqen; e njerëzit i perceptuan fuqimisht.

Pyetje: - Tema e shtegtimit, e Nxitjes pas-sinodale, është shpresa. Papa nënvizoi aspektet pozitive të Afrikës, në kundërshtim me shumë paragjykime e vizione të shtrembëruara. Një reflektim nga ana juaj, për këtë qëndrim plot shpresë, që pritet të bëhet realitet?

Përgjigje: - Besoj shumë në këtë shpresë: Zoti do të bëjë gjithçka, për të na ndihmuar, për ta ndihmuar fenë tonë në ecjen e saj gjithnjë përpara. E edhe njerëzit janë gati të flijojnë gjithçka, që kjo shpresë të bëhet realitet.

Pyetje: - Emocionuese, mikpritja e shkëlqyer, që beninasit i bënë Papës në të gjitha takimet. E jo vetëm të krishterët: të gjithë e pritën Papën me një gëzim të madh, të cilin e pa tërë bota…

Përgjigje: - Të gjithë beninasit, myslimanë, besimtarë të feve të tjera… të gjitha fetë ishin të pranishme përgjatë rrugës, për ta pritur Papën, sepse të gjithë donin të merrnin bekimin e Atit të Shenjtë. Bekimi Papës është diçka shumë, shumë e rëndësishme, për ne, afrikanët.

Pyetje: - Shtegtimi përfundoi. Cilat janë shpresat për ardhmërinë e Kishës në Benin, por edhe në mbarë Afrikën?

Përgjigje: - U kërkoj të gjithë meshtarëve të punojnë me njerëzit, të krishterë ose jo, që këto tri vlera: pajtim, drejtësi e paqe, të bëhen një me vetë jetën tonë. Tani fillon puna e vërtetë, pasi njerëzit e kuptuan sa të rëndësishme janë këto tri vlera. Prandaj tani duhet të punojmë me gjithë të krishterët, që çdo besimtar të jetë edhe misionar për ata, që nuk e njohin akoma Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.