2011-11-20 18:35:22

Me 20 nëntor kujtojmë përvjetorin e lindjes së dom Ndre Mjedës


Duke shfletuar kalendarin historik, sot përkujtojmë Dom Ndre Mjedën në 143 vjetorin e ditëlindjes.

Meshtari, Poeti e gjuhëtari i madh, që mbeti në kujtesën e popullit si këngëtari i "Bylbylit në kafaz", i "Rinisë" e i "Andrrës së jetës", një ndër fytyrat më të ndritura të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare, u lind në Shkodër, më 20 nëntor 1866, për t'u përshkuar pastaj tërë jetën nëpër rrugët e pafundme të botës së madhe, nga Lavali i Francës, në Manrezë të Spanjës; nga Kraljevica e Jugosllavisë në Chieri të Italisë, nga Krakovia e Polonisë në vendlindje e në fshatin Kukel. Shumë e njohur është veprimtaria e Mjedës, që nuk bën pjesë në të mohuarit, por në të keqinterpretuarit e Letërsisë shqipe.

Në veprën “Jezuitët Martirë në Shqipëri” botuar pak vjet më parë nën kujdesin e Jezuitit italian Atë Armando Guidetti, me të drejtë shkruhet: “ Po të ishte gjallë Mjedja do të shkumbëzonte nga përçmimi kundër atyre që kanë guxuar të vënë në dyshim ortodoksinë e tij katolike e tomistike, teologjike e filozofike”.(“Gesuiti Martiri in Albania”, Cusano Milanino, Febbraio, 1966, fq. 45)
Prandaj duke e përkujtuar sot në përvjetorin e 142- të të ditëlindjes, po vemë theksin mbi veprat e tij më pak të njohura, ato fetare.

Ndonëse shumica e veprave fetare të Mjedës janë përkthime apo përshtatje, mund të themi me plot gojën se me to Meshtari dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin e traditës katolike të përkthimit si dhe të prozës shqipe.

Ndër veprat fetare të Dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e Shêjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç, “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927: “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes.

Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”. Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga”, Projsi i pergjithtë i moshës së re.
Një tjetër vepër me karakter fetar është “Historia Shêjte” kryevepër e llojit, që bashkon gjuhën e stilin popullor e atë të kultivuar njëherit. Vepër e Mjedës është edhe një nga librat më të njohur e më të përdorur të uratëve, apo, siç quhet nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”, e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore të Kishës dhe përdoret edhe sot nga besimtarët.

Duke lexuar veprat me tematikë fetare të Dom Ndre Mjedës së madh, ndjejmë gati gati po atë kënaqësi që buron nga kryeveprat e tij lirike. Në kohën tonë kur libra si të Mjedës janë tepër të rrallë, kur Kisha ka aq nevojë për kryevepra fetare e kur nuk ka mujtë me nxjerrë ende nga gjiri i vet një Mjedë a një Fishtë, për shkak të viteve të shkatërrimit të madh, mendojmë se do të ishte mirë të ribotoheshin veprat më të realizuara të traditës, si bie fjala “Shë Luigj Gonazaga” ose “Historia Shêjte”, shkruar me dorë mjeshtri, artisti e shkencëtari, vepra që do të zgjonin interesimin e jashtzakonshëm që ka treguar e tregon besimtarët e posaçërisht rinia katolike shqiptare për Kishën e për figurat e saj të mëdha.







All the contents on this site are copyrighted ©.