2011-11-20 18:30:24

Benedikti XVI në Meshën e Kotonusë: dashuria e Krishtit na nxit t’i përgjigjemi britmës së të varfërve e të nevojtarëve


“Zoti e bekoftë Beninin!”RealAudioMP3
Me këto fjalë në gjuhën vendase fon, Papa Benedikti XVI përfundoi udhëtimin e tij të 22-të apostolik, që kësaj radhe e çoi në Afrikë, e pikërisht në Benin. “Qofshi kripa e drita e Krishtit në tokën afrikane”, qe mandati misionar, që u besoi Ati i Shenjtë beninezëve. Pas ditës së ngarkuar të djeshme, gjatë së cilës, Papa nënshkroi Nxitjen Apostolike pas sinodale “Africae munus”, sot, në solemnitetin e Krishtit Mbret të Universit, Benedikti XVI ua dorëzoi atë ipeshkvijve të kontinentit, gjatë Meshës në “Stadiumin e Miqësisë”, në Kotonu. Shenjtëria e Tij bëri thirrje të dëgjohet zëri i më të varfërve dhe i më nevojtarëve.
80 mijë vetë - 30 mijë në stadium, rreth 50 mijë para ekraneve të mëdhenj – e pritën Papën në amfiteatrin kyresor të Kotonusë, në “Stadiumin e Miqësisë”, që u shndërrua në një arenë të stërmadhe lutjesh, këngësh e vallesh për të falenderuar Zotin.
Populli i Beninit dhe i krejt Afrikës u mblodh përreth Benediktit XVI, me zemrën e hapur për të dëgjuar Fjalën e Zotit e me gëzimin e takimit me Krishtin në sy. Një festë triditore, që arriti kulmin pikërisht sot paradite, me Meshën e Shenjtë. Stadiumi shpërtheu në tingujt afrikanë, me të parë makinën e Atit të Shenjtë, që kaloi në mes të popullit shumëngjyrësh, veshur për 150-vjetorin e ungjillëzimit të vendit dhe për vizitën e Pasardhësit të Shën Pjetrit me rroba bardh e verdh me kryqe, njerëz e monumente të stilizuara në të kuq, vjollcë e jeshil.
“Qofshi dëshmitarë të flaktë të fesë, që keni marrë!”, u tha Papa gjatë homelisë. Misioni për të gjithë Afrikën është të tregojë dritën e Krishtit mbi botën, të imitojë Hyjin, që u bë shërbëtor i më të vegjëlve e që edhe sot, shfaqet në fytyrën e atyre, që kanë uri e etje, në fytyrën e të huajve, të të zhveshurve, të të sëmurëve e të të burgosurve, megjithëse është Mbret i Gjithësisë:
“Pa dyshim, kjo mund të na duket e pabesueshme! Edhe sot, si 2000 vjet më parë, të mësuar t’i shohim shenjat e mbretërisë në suksesin, në pushtetin, në paranë apo fuqinë, nuk e kemi të lehtë ta pranojmë një mbret të tillë, një mbret, që bëhet shërbëtor i më të vegjëlve, i më të përvuajturve, një mbret, froni i të cilit është kryqi”.
Por pikërisht këtu shfaqet lavdia e Krishtit, vazhdoi Papa. Në përvuajtërinë e jetës së tij tokësore, Jezusi gjen fuqinë për të gjykuar botën, duke na udhëhequr drejt një bote të re, ku ta ndjejmë veten të lirë e të gëzuar:
“Lejojeni Krishtin të na çlirojë nga kjo botë e vjetër! Besimi ynë në Atë, që fiton mbi çdo frikë, mbi çdo mjerim, na bën të hyjmë në një botë të re, një botë, në të cilën drejtësia dhe e vërteta nuk janë parodi, një botë lirie të brendshme e paqeje me vetveten, me të tjerët e me Zotin. Ja dhurata, që na bën Hyji me Pagëzimin!”.
Më pas, Papa iu drejtua të gjithë njerëzve që vuajnë, të sëmurëve me Sidë dhe të tjerëve, të gjithë të harruarve nga shoqëria:
“Guxim! Papa iu qëndron afër, duke u lutur e duke ju kujtuar. Guxim! Jezusi dëshiron të identifikohet me të vegjlit, me të sëmurët; dëshiron të ndajë me ju vuajtjen e t’ju njohë si vëllezër e motra, për t’ju çliruar nga çdo e keqe, nga çdo vuajtje! Çdo i sëmurë, çdo i varfër meriton respektin dhe dashurinë tonë, sepse përmes tij, Zoti na tregon rrugën për në qiell”.
Papa kujtoi 150 vjetët e kaluara nga ungjillëzimi i vendit dhe falenderoi misionarët, që “mbollën Kryqin e Krishtit” në Benin. Duke kujtuar kardinalin Bernardin Gantin, u tha afrikanëve ta marrin si shembull feje e urtie këtë bir të tokës së tyre.
Pastaj, ftesa për të qenë dëshmitarë të vërtetë të Krishtit, në gjurmët e misionarëve:
“Pas 150 vjetësh, shumë janë ata, që nuk e kanë dëgjuar akoma mesazhin shpëtimtar të Krishtit”.
Foli Benedikti XVI për ata që nuk duan ta hapin zemrën, për ata që kanë fe të paktë e për ata, që kërkojnë vetëm mirëqënien vetjake, duke e harruar Ungjillin në jetën e përditshme. E më pas, thirrja:
“Bëni të shkëlqejë në çdo vend fytyra e dashur e Shëlbuesit, në veçanti para të rinjve, në kërkim të arsyes së jetës e të shpresës, në një botë të vështirë!”
I krishteri, vazhdoi Ati i Shenjtë, është ndërtues i palodhur e, ndërtesa e tij ngrihet me tullat e bashkimit, të paqes e të solidaritetit:
“Të dashur vëllezër e motra, ju ftoj ta përforconi fenë në Krishtin, duke e kthyer me të vërtetë zemrën drejt Tij. Vetëm Ai na jep jetën e vërtetë e mund të na çlirojë nga frika e ngadalësia, nga çdo ankth i yni”.
Gjejini rrënjët e jetës në Pagëzimin e krishterë, u tha Papa beninezëve, duke uruar të kenë aq forcë në dëshminë e fesë, sa t’ua përçojnë atë brezave të rinj. Pastaj në gjuhën e vendit, fon:
“Zoti ju dhashtë plot hire”
Duke vazhduar në anglisht, me qëllim që t’i drejtohej edhe asaj pjese të kontinentit afrikan, që e flet këtë gjuhë (në ndryshim nga Benini, që flet frëngjisht), Benedikti XVI nënvizoi se sipas shembullit të Krishtit, mbret nuk është i fuqishmi, por ai, që shërben me përvuajtëri, nuk është shtypësi i më të brishtëve, por ai, që i mbron dhe i udhëheq drejt jetës së plotë:
“Krishti mbretëron nga Kryqi dhe, me krahë hapur, përqafon të gjithë popujt e tokës e i tërheq drejt bashkimit. Përmes Kryqit, rrëzon muret e ndarjes, na pajton me njëri-tjetrin e me Atin Qiellor. Të lutemi sot për popujt e Afrikës, që të gjithë të mund të jetojnë në drejtësi, në paqe e në gëzimin e Mbretërisë së Hyjit”.
Duke iu drejtuar asaj pjese të Afrikës, e cila flet portugalisht, Papa i ftoi afrikanët, që duke ndjekur Krishtin, të bëhen ndërtues të vërtetë të Mbretërisë së Zotit, mbretëri pajtimi, drejtësie e paqeje:
“Këtu Zoti takohet me lirinë tonë. Ne – e vetëm ne – mund ta pengojmë të mbretërojë mbi ne dhe, si pasojë, ta bëjmë të vështirë zotërimin e Tij mbi familjen, mbi shoqërinë e mbi historinë. Për shkak të Krishtit, shumë burra e gra i kanë kundërshtuar me sukses tundimet e botës, për ta jetuar me besnikëri fenë, nganjëherë deri në martirizim. Të dashur barinj e besimtarë, qofshi, sipas shembullit të tyre, kripa e drita e Krishtit në tokën afrikane!”
Më në fund, Benedikti XVI u dorëzoi ipeshkvijve afrikanë, Nxitjen Apostolike pas sinodale “Africae munus”, duke theksuar:
“Ky tekst dëshiron të nxisë, të inkurajojë e të konsolidojë iniciativat e ndryshme lokale ekzistuese. Gjithashtu, synon të frymëzojë nisma të tjera për Kishën Katolike në Afrikë”.
E përsëri, Ati i Shenjtë u kujtoi katolikëve afrikanë misionin e tyre në mesin e njerëzve, duke afruar sidomos, ata që nuk e kanë njohur akoma Krishtin. Ja thirrja e Papës për Kishën:
“Qofsh kripa e tokës afrikane, bekuar nga gjaku i sa e sa martirëve, burra, gra e fëmijë, dëshmitarë të fesë së krishterë deri në flijimin e jetës! Qofsh dritë e botës, dritë e Afrikës, e cila shpesh, përmes sprovave, kërkon rrugën e paqes dhe të drejtësisë për gjithë banorët e saj. Drita jote është Jezu Krishti, “Drita e botës”. Zoti të bekoftë, e dashur Afrikë”.
Në përfundim të Meshës, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa ia besoi Virgjërës Mari, Zojës së Afrikës, sfidën e ungjillëzimit të ri të kontinentit dhe mbrojtjen e familjeve:
“Të dashur vëllezër e motra të Afrikës, tokë mikpritëse për Familjen Shenjte, vazhdoni t’i kultivoni vlerat familjare të krishtera. Ndërsa shumë familje ndahen, shpërngulen, vajtojnë nga konfliktet pa fund, bëhuni protagonistë të pajtimit e të shpresës. Me shën Marinë, Virgjërën e Magnificat-it, qofshi gjithnjë të gëzuar. Gëzimi qoftë në zemrën e familjeve dhe të vendeve tuaja!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.