2011-11-19 14:14:37

Kardinali Bernardin Gantin (1922-2008)


Emri i Kardinalit ka kuptimin lis (gan) i hekurt (tin) i trojeve afrikane. Bir i një nëpunësi hekurudhash, mësimet e para i kreu në shkollat e Dahomey (Sot Republika e Beninit). Hyri në seminarin e vendit në Ouidah (1936), për t’u shuguruar në Lomé të Togos nga Kryeipeshkvi i Kotonusë, imzot Lui Parizò (1951). Për tre vjet qe mësues i gjuhëve pranë seminarit dioqezan, ku njëkohësisht iu kushtua veprimtarive baritore në një grup fshatrash. Më 1953 u transferua në Romë, ku u diplomua në teologji, pranë Universitetit Urbanian dhe në drejtësi kanonike, pranë Universitetit Lateranens.
Ndihmës i kryiepshkvit të Kotonusë më 1956, u shugurua ipeshkëv në Romë më 1957. U emërua kryeipeshkëv i Kotonusë nga Gjoni XXIII, duke zënë vendin e mësuesit të tij të dashur, kryeipeshkvit Parizò. Nisi një veprimtarui të dendur baritore, në fusha nga më të ndryshmet, për të ndjekur nga afër situatat, institucionet, shkollat, veprimtaritë e katekistëve e të rregulltareve vendase, duke i kushtuar vëmendje të posaçme thirrjeve për jetën meshtarake, si Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore zonale (Dahomey, Togo, Bregu i Fildishtë, Volta e Epërme, Guinea e Re, Senegali e Nigeria).
Dha dorëheqjen nga drejtimi i Kryeidoqezës së Kotonusë, pasi u thirr në Romë nga Papa Pali VI, që e emëroi ndihmës-sekretar të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve (1971), e, dy vjet më pas, edhe sekretar.
Qe zëvendës-kryetar i Komisionit “Iustitia et Pax” (1975), pro-kryetar (1976), e më pas edhe kryetar (1977). Gjithnjë në vitin 1975, Pali VI e emëroi edhe zevendës –kryetar të Këshillit Papnor “Cor Unum” e më pas e krijoi kardinal, në Koncistorin e e 27 qershorit 1977.
Papa Gjon Pali II e emëroi kryetar të “Cor Unum” (4 shtator 1978) e më pas, Prefekt të Kongregatës për Ipeshkvijtë dhe Kryetar të Komisionit Papnor për Amerikën Latine (8 prill 1984), detyra që i kreu për 14 vjet me radhë, deri më 25 qershor 1998. Mori pjesë në Koncilin II të Vatikanit, si ipeshkëv (1962-65) dhe në një mori sinodesh të ipeshkvijve. Ishte anëtar i Akademisë Mbretërore të Marokut; anëtar i grupit shoqërues të Gjon Palit II në vend (1985) dhe Oficer Madhor i Legjonit Francez të Nderit.
Qe Dekan i Kolegjit Kardinalor nga 5 qershori 1993 deri më 30 nëntor 2002, kur Gjon Pali II pranoi kërkesën e tij për dorëheqje, për t’u rikthyer në atdhe, pas më se 30 vjetësh të kaluara në Romë, si i pari kardinal afrikan në krye të një dikasteri të Kuries Romake.Kardinali Gantin vdiq në Paris, më 13 maj 2008. U salikua në Kotonu, në praninë e të dërguarit të Papës, kardinalit Giovanni Battista Re dhe të një morie njerëzish, duke nisur nga personalitetet e të gjitha fushave, për të përfunduar tek njerëzit më të thjeshtë të Afrikës. Sipas dëshirës së tij, pushon në paqe në Kapelën e Seminarit të Madh të Oudiah, pranë atit e mësuesit të vet, imzot Lui Parizò. Emrin e tij e mbajnë aeroporti ndërkombëtar, disa rrugë e shumë nisma. Më 13 maj 2009 u krijua Çmimi Ndërkombtar ‘Kardinali Bernardin Gantin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.