2011-11-18 17:31:56

Papa nga Benini fton për ndërtimin e shoqërisë moderne, pa iu nënshtruar verbërisht ligjeve të tregut e të financës.


Papa u nis sot paradite, rreth orës 09.00, nga Aeroporti i Fiumiçinos, për në Kotonu. Arriti në aeroportin ndërkombëtar “Kardinali Bernardin Gantin” të Kotonusë, në orën 15.00. Për ta pritur kishin dalë autoritetet më të larta të shtetit, të Kishës e të besimeve të tjera fetare në vend. Menjëherë pas zbritjes në trojet beninase, ceremonia e mirëseardhjes dhe përshëndetja e parë e Benediktit XVI drejtuar Afrikës.RealAudioMP3
Që në fillim Papa nënvizoi arsyen e trifishtë, që e shtyu të realizonte këtë vizitë, duke kujtuar 40 vjetorin e lidhjes së marrëdhënive diplomatike të Beninit me Selinë e Shenjtë dhe 150-vjetorin e ungjillëzimit; dorëzimin e Nxitjes Apostolike pas-sinodale Africae munus, që do të udhëheqë veprimtarinë baritore të bashkësive të ndryshme të krishtera në vitet e ardhshme dhe dëshirën për të vizituar personalisht varrin e Birit të shquar të këtij vendi, Kardinalit Bernardin Gantin.
M’u duk, prandaj, e drejtë të vij në vendlindjen e tij, të lutem mbi varrin e tij e të falënderoj Beninin, që i dhuroi Kishës këtë bir të shquar, tha Papa, e në vijim u drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt krerëve të feve tradicionale, që kishin dalë për t’i uruar mirëseardhjen:
“Benini është tokë me tradita të lashta e fisnike. Historia e tij, plot me vlera. Dëshiroj, prandaj, t’i përshëndes krerët tradicionalë. Kontributi i tyre është i rëndësishëm për ndërtimin e ardhmërisë së këtij vendi. Dëshiroj t’i inkurajoj që me urtinë e me njohjen e zakoneve, të japin ndihmesën e tyre për kalimin delikat nga shoqëria tradicionale, në atë moderne”.
E, duke folur për këtë kalim, Papa preku disa nga problemet më aktuale, e jo vetëm për Afrikën, duke i thënë ‘jo’ nënshtrimit pa kushte përballë ligjeve çnjerëzore të tregut e të financës, që nganjëherë drejtojnë ekonominë; nacionalizmit e tribalizmit shterpë, politizimit ekstrem e tensioneve ndërfetare:
“Shoqëria moderne nuk duhet shikuar me frikë, por me bindjen se nuk mund të realizohet, duke harruar të kaluarën. Ajo duhet shoqëruar me kujdesin për të mirën e të gjithëve, duke i kapërcyer pengesat, që ekzistojnë në Kontinentin afrikan e gjetiu, për shembull, prirjen për t’iu nënshtruar pa kushte ligjeve të tregut ose të financës; nacionalizmin ose lidhjet e sëmura farefisnore, që mund të bëhen vdekjeprurëse; politizimin e skajshëm dhe tensionet ndërfetare, në dëm të së mirës së përbashkët e, sidomos, shpërbërjen e vlerave njerëzore, kulturore, etike e fetare”.
Kalimi në një shoqëri moderne – vijoi të shpjegonte Papa - duhet të udhëhiqet nga kritere të sigurta, që bazohen mbi virtytet e njohura kombëtare, por edhe nga ata, që i kanë rrënjët në dinjitetin e njeriut, në madhështinë e familjes e në respektimin e jetës. Zoti i beson njeriut e ia do të mirën. Na takon ne t’i përgjigjemi ndershmërisht besimit të Tij:
“Kisha - i siguroi beninasit Papa- do të vijojë të japë ndihmesën e vet, me lutje, me vepra mëshire, posaçërisht me veprimtari edukative e shëndetësore, përherë pranë nevojtarëve e të gjithë atyre, që janë në kërkim të Zotit”.
E nuk është aspak e vërtetë se Zoti nuk ekziston, siç duan ta paraqesin disa, ose se është krejt i panevojshëm. Ai është. E është mik i njeriut. Me këtë frymë miqësie e vëllazërie shkel në vendin tuaj, nënvizoi Papa, duke e përfunduar përshëndetjen drejtuar Beninit dhe mbarë Afrikës, me një bekim në gjuhën vendase: Zoti e bekoftë Beninin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.