2011-11-18 14:09:17

Kotonu, kryeqytet i Beninit


Me 757.356 banorë, është qyteti më i populluar i Beninit dhe kryeqytet ekonomik. Shtrihet në gjirin e Guinesë, mbi të ashtuquajturin “Bregu i skllevërve”, i famshëm gjatë kohëve koloniale për tregtinë e skllevërve. Lindi në pjesën e jashtme të njërës nga lagunat më të gjera, laguna e Nokouesé, me sipërfaqe prej 120 kilometrash gjatë bregdetit beninez. Një kanal, me dy ura, e ndan kordonin mbrojtës të tokës dhe e lidh lagunën me oqeanin i cili, gjatë baticës, hyn në të, duke e kripur ujin. 30 kilometra në veri-lindje, mbi bregun tjetër të së njëjtës lagunë, shtrihet Porto Nuovo, kryeqyteti administrativ i vendit.
Në Kotonu gjinden Pallati Presidencial, pjesa më e madhe e shërbimeve qeveritare, selitë diplomatike, porti kryesor i Beninit dhe aeroporti ndërkombëtar, kushtuar birit të shquar të vendit, kardinalit Bernardin Gantin.
Në zanafillë Kotonu ishte fshat i vogël, ndërtuar nga holandezët dhe anglezët, për të strehuar karvanet e skllevërve, që i sillnin mbretërit e Alladës nga brendia e vendit. Kur tregtia e skllevërve u deklarua e paligjshme, në vitin 1830, mbreti i Dahomey, Guezo, ngriti një paraport klandestin, të quajtur “Ku Tonu”(Delta e lumit të vdekjes), duke ringjallur traditën, sipas së cilës shpirtrat e të vdekurve zbresin përgjatë rrjedhës së lumit, deri në det. Në vitin 1878 këtu u vendosën shoqëritë e mëdha tregtare, ndërsa më 1981, në bregdet u ngrit skela e parë. Porti është plot gjallëri. Eksportohen kikirikë, kopër, pambuk, farë dhe vaj palme. Ka shkëmbime tregtare me Nigerin e me një pjesë të Nigerisë. Është qendër e industrive ushqimore (punishte vaji e birre) dhe bazë e peshkimit industrial. Po këtu prodhohen tekstile e çimento, montohen automobilë e biçikleta, eksportohen prodhime të naftës, boksite e hekur. Shumë e përhapur, feja Vudù, e njohur zyrtarisht në vend dhe e përhapur në të gjithë Afrikën Perëndimore si dhe në Amerikën Latine (60 milionë ndjekës në mbarë botën).
Lagjet rezidenciale dhe ato administrative ndodhen rrëzë plazheve. Rrugët janë plot me moto-taksi origjinale, “zémigiàn”, që në gjuhën vendase do të thotë: “merrmë e shpjermë atje”e që dallohen nga larg, për shkak të xhaketës së verdhë të motoçiklistit. Një tjetër pikë tërheqëse e qytetit, është tregu i famshëm i Dantokpa, më i madhi nën qiell të hapur në të gjithë Afrikën Perëndimore.







All the contents on this site are copyrighted ©.