2011-11-18 17:32:47

Konferenca e shtypit e Papës Benedikti XVI me gazetarët në avionin për në Benin: politikanët afrikanë të kapërcejnë egoizmin


Gjatë udhës me avion për në Benin, Ati i Shenjtë u takua me rreth 50 gazetarët, që e shoqëronin, të cilët, përmes zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i bënë pyetje të ndryshme. E para, nuk mund të mos kishte të bënte me vendimin për të shkuar pikërisht në Benin e jo në një vend tjetër të Afrikës, pavarësisht se mesazhi i Benediktit XVI është për të gjithë kontinentin. Kujtojmë se në Kotonu, Papa ndiqet edhe nga rreth njëmijë gazetarë të tjerë. Por të dëgjojmë përgjigjen e parë të tij, mbi arsyet e udhëtimit në Benin:RealAudioMP3
Arsyet janë të ndryshme. E para është se Benini është vend në paqe: paqe e jashtme dhe e brendshme. Institucionet demokratike funksionojnë, janë ndërtuar me frymën e lirisë e të përgjegjësisë, prandaj drejtësia dhe puna për të mirën e përbashkët mundësohen e garantohen nga sistemi demokratik e nga ndjenja e përgjegjësisë, në liri. Arsyeja e dytë është se, ashtu si në shumicën e vendeve afrikane, ekzistojnë fe të ndryshme, që bashkëjetojnë paqësisht. Kemi të krishterët me konfesione të ndryshme, kemi myslimanët e fetë tradicionale, që bashkëjetojnë duke e respektuar njëra-tjetrën e duke marrë bashkarisht përsipër përgjegjësinë për paqen e për pajtimin. Më duket se kjo bashkëjetesë ndërmjet feve dhe dialogu fetar, si faktor paqeje dhe lirie, është një aspekt i rëndësishëm edhe i Nxitjes Apostolike post-sinodale. Së fundi, arsyeja e tretë është se ky vend është vendlindja e një mikut tim të dashur, kardinalit Bernardin Gantin: kam pasur gjithnjë dëshirë, që një ditë, të lutem në varrin e tij. Për mua ka qenë vërtet një mik i madh, prandaj dëshira për të parë vendin e kardinalit Gantin, përfaqësues i shquar i Afrikës katolike, i Afrikës njerëzore e të qytetëruar, ka qenë për mua një nga motivet, që më shtynë ta vizitoj këtë vend.
Ndërsa afrikanët shohin se bashkësitë e tyre tradicionale po dobësohen gjithnjë e më shumë, Kisha Katolike vihet përballë suksesit në rritje të Kishave ungjillore, apo pentekostale, nganjëherë të krijuara në Afrikë, që propozojnë një fe tërheqëse, një mesazh të thjeshtuar të krishterë: ngulin këmbë në shërimet e mrekullueshme, përziejnë kultin e tyre me atë tradicional… Cili është qëndrimi i Kishës Katolike ndaj këtyre bashkësive, shpesh agresive? E si mund të jetë më tërheqëse se këto bashkësi, që paraqiten si festive, të ngrohta e të ndërthurura me kulturën e vendit?
Këto bashkësi janë fenomen botëror, në të gjitha kontinentet, sidomos janë shumë të pranishme në Amerikën Latine dhe në Afrikë. Në përgjithësi, karakterizohen nga elemente si institucionaliteti i paktë, pra, pak institucione, arsim pa ndonjë peshë të rëndë, mesazh i thjeshtë, i lehtë dhe i kuptueshëm, në dukje konkret e, pastaj – siç thatë edhe ju – pjesëmarrje në liturgji me ndjenjat, kulturën e secilit, duke lejuar kombinimet ndërmjet feve. Nga njëra anë, kjo garanton sukses, por nuk siguron qëndrueshmëri. Dimë se shumë prej besimtarëve kthehen në Kishën Katolike, ose shkojnë nga një bashkësi tek tjetra. Prandaj, nuk duhet t’i imitojmë këto bashkësi, por të pyesim veten se ç’mund të bëjmë ne për t’i dhënë gjallëri të re fesë katolike. E, do të thosha, se pikësëpari, nevojitet, sigurisht, një mesazh i thjeshtë, i thellë, i kuptueshëm; është e rëndësishme që krishterimi të mos duket si një sistem i vështirë, evropian, që dikush tjetër nuk mund ta kuptojë e ta realizojë, por si një mesazh universal, që na thotë se Zoti ekziston, se ndërhyn, se na njeh e na do e se feja konkrete shkakton bashkëpunim e vëllazërim. Prandaj, një mesazh i thjeshtë e konkret është shumë i rëndësishëm. Pastaj, edhe institucioni nuk duhet të jetë shtypës, duhet të mbizotërojë iniciativa e bashkësisë dhe e personit. E, së fundi, do të thosha se është e rëndësishme edhe pjesëmarrja në liturgji, por jo në mënyrë sentimentale: ajo nuk duhet bazuar vetëm në shprehjen e ndjenjave, por duhet karakterizuar nga prania e misterit në të cilin hyjmë, të cilit i lejojmë të na formojë. Gjithashtu, në procesin e inkulturimit nuk duhet humbur universaliteti i Kishës. Unë preferoj të flas për ndërkulturë, jo aq për inkulturim, pra, për një takim ndërmjet kulturave, duke pasur parasysh të vërtetën e përbashkët të të gjithë njerëzve të kohës sonë, vëllazërimin universal e, duke mos e humbur këtë pasuri kaq të madhe, që na mëson katolicizmi: në të gjitha anët e botës jemi vëllezër, jemi një familje, që njihet e bashkëpunon me frymën e vëllazërimit.
Shenjtëri, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, në tokën afrikane, kemi pasur shumë operacione paqeruajtëse, konferenca për rindërtimin, komisione për të vërtetën dhe pajtimin, me rezultate, herë të mira e herë zhgënjyese. Gjatë asamblesë sinodale, ipeshkvijtë kritikuan ashpër politikanët, si përgjegjës për problemet e kontinentit. Cili është mesazhi që keni për politikanët e Afrikës e cili është kontributi i veçantë, që mund të japë Kisha, në arritjen e paqes së qëndrueshme në kontinent?
Mesazhi gjendet në tekstin, që do t’i dorëzoj Kishës në Afrikë: nuk mund ta përmbledh tani, me pak fjalë. Është e vërtetë se ka pasur shumë konferenca ndërkombëtare për Afrikën, për vëllazërimin universal. Thuhen gjëra të bukura e nganjëherë, edhe bëhen, duhet ta pranojmë. Por sigurisht, fjalët, dëshira e vullneti janë më të mëdha se realizimi i tyre e duhet ta pyesim veten pse realiteti nuk i arrin fjalët dhe qëllimet. Më duket se faktor themelor për këtë është se ky rinovim, ky vëllazërim universal kërkon të heqësh dorë nga diçka, të shkosh përtej egoizmit, të punosh për tjetrin. E kjo është e lehtë të thuhet, por është vështirë të realizohet. Njeriu, ashtu siç është pas mëkatit të rrjedhshëm, dëshiron ta rifitojë vetveten, ta ruajë dhe jo ta dhurojë jetën. Por me këtë mendësi, sipas së cilës nuk duam të japim, por vetëm të marrim, natyrisht nuk mund të arrihen synimet e mëdha. Vetëm me dashuri e pas njohjes së Zotit, që na do, që na jep, mund të arrijmë deri në atë pikë, sa të guxojmë ta japim jetën, ta dhurojmë atë, sepse e dimë, se duke bërë kështu, fitojmë.
Shenjtëri, në hapjen e Sinodit Afrikan në Romë, e quajtët Afrikën “mushkërinë shpirtërore të njerëzimit në krizë feje e shprese”. Duke pasur parasysh problemet e kontinentit, kjo frazë të çudit. Në ç’kuptim mendoni se nga Afrika mund të vijë vërtet fe e shpresë për botën? A mund të kontribuojë Afrika edhe në ungjillëzimin e krejt planetit?
Natyrisht, Afrika ka probleme e vështirësi të mëdha, i gjithë njerëzimi ka probleme… Nëse mendoj për rininë time, ishte një botë kaq e ndryshme nga kjo e sotmja sa, nganjëherë, më duket se jetoj në një planet tjetër. Njerëzimi ka hyrë në një proces gjithnjë e më të përshpejtuar shndërrimesh. Gjatë 50 vjetëve të fundit, duke filluar nga pavarësia, pas kolonializmit, deri në ditët tona, për Afrikën, ky proces është bërë shumë kërkues, shumë i vështirë, me probleme të mëdha, që nuk janë kapërcyer akoma. Megjithatë, kjo freski jete në Afrikë, kjo rini plot entuziazëm dhe shpresë, por edhe plot humor e alegri, na tregon se këtu kemi një rezervë njerëzore, kemi freski për fenë dhe shpresën; këtu perceptohet realiteti metafizik, realiteti në tërësinë e vet, së bashku me Zotin e nuk ekziston reduktimi në pozitivizëm, që e kufizon jetën tonë, e bën të thatë dhe shuan çdo shpresë. Pra, humanizmi i freskët, që e ka vendin në shpirtin rinor të Afrikës, pavarësisht nga problemet, që kanë qenë e do të jenë, tregon se këtu kemi akoma një rezervë jete dhe gjallërie për të ardhmen, mbi të cilën mund të mbështetemi.
Pyetja e fundit, Shenjtëri. Të kthehemi për një çast tek arsyet e këtij udhëtimi për në Benin. Ju thatë se figura e kujtimi i kardinalit Gantin është një nga motivet e rëndësishme të vizitës. E keni njohur mirë, ka qenë paraardhësi juaj si Dekan i Kolegjit Kardinalor dhe të gjithë e vlerësojnë. A mund të na jepni një dëshmi personale për të?
E kam parë për herë të parë kardinalin Gantin, gjatë shugurimit tim si kryeipeshkëv i Munihut në vitin 1977. Erdhi, sepse njëri nga nxënësit e tij ishte dishepull i imi: kështu, idealisht, ekzistonte ndërmjet nesh një miqësi në fasha, megjithëse akoma s’ishim parë. Në atë ditë të rëndësishme për mua, m’u bë qejfi kur takova këtë ipeshkëv të ri afrikan, plot fe, gëzim e guxim. Më vonë, kemi bashkëpunuar shumë, sidomos kur ai ishte prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë dhe pastaj dekan i Kolegjit kardinalor… E kam admiruar gjithnjë inteligjencën e tij praktike e të thellë, aftësinë për të mos rënë në frazeologji të kota, por për të kuptuar se ç’ishte thelbësore e ç’ishte pa rëndësi. E pastaj, humorizmi i tij vërtet argëtues… Ishte sidomos njeri me fe të thellë e lutej shumë. Kjo e ka bërë kardinalin Gantin jo vetëm mik për mua, por edhe shembull për t’u ndjekur. Ishte një ipeshkëv i madh afrikan katolik. Jam vërtet i lumtur, që tani mund të lutem në varrin e tij e ta ndjej afërsinë e fenë e tij të madhe, që e bën gjithnjë mik e shembull për mua.







All the contents on this site are copyrighted ©.