2011-11-18 12:12:58

Gëzim i madh në Benin për vizitën e Papës: sot pasdite Benedikti XVI mbërrin në Kotonu. Përshëndetja e kryeministrit italian Monti në Fiumicino


Benedikti XVI është nisur për në Benin. Në aeroportin e Romës Fiumicino Papës e përshëndeti kryeministri i ri italian Mario Monti. Në këtë Vend të Afrikës Perëndimore popullsia e pret me gëzim ardhjen e Papës sot pasdite. Benedikti XVI do të arrijë në ora 15.00 në aeroportin ndërkombëtar të Kotonu “Kardinali Bernardin Gantin”. Dje në mbrëmje mijëra e mijëra besimtarë beninianë kanë organizuar një procesion me qirinj të ndezur nëpër rrugët e Kotonusë, duke u lutur e kënduar në shenjë falënderimi drejtuar Hyjit për këtë takim të rëndësishëm me Papën. Udhëtimi i 22-të apostolik i Benediktit XVI, i dyti në tokën afrikane, zhvillohet në kuadrin e kremtimeve për 15o vjetorin e ungjillëzimit të Beninit.
Ndër ngjarjet kryesore të këtij shtegtimi ndërkombëtar papnor është, nënshkrimi e dorëzimi i Dokumentit apostolik që përmban punimet e 57 Udhëzime që kanë dal nga Sinodi i dytë të Ipeshkvijve për Afrikën para dy vjetësh, është fjala për një dokument që konsiderohet si burim i rëndësishëm për një hov të ri të dëshmisë e përhapjes së fesë në kontinent; ngjarja tjetër tejet e rëndësishme do të jetë kremtimi i Meshës të dielën paradite, në Solemnitetin e Jezu Krishtit Mbret të gjithësisë, në “Stadiumin e Miqësisë “ të Kotonusë, ku Papa me mëse 200 ipeshkvij e sekretarin e Sinodit do të lutet me dhe për mbarë Afrikën. Po kështu ngjarje me plot domethënie do të jetë edhe nderimi i varrit të kardinalit Gantin në Bazilikën e Ouidahit dhe vizita në seminarin e qytetit, i pari seminar në Afrikën Perëndimore.







All the contents on this site are copyrighted ©.