2011-11-18 17:32:36

Benedikti XVI në Katedralen e Kotonusë: Zoti na prin në rrugën e së vërtetës e të dritës!


Në orën 16.30, vizita e Papës në Katedralen e Zojës së Mëshirës në Kotonu, në qendër të lagjes rezidenciale të qytetit. Katedralja zë 800 vetë, por sot ajo sikur i kishte zgjeruar muret, për të zënë të gjithë ata, të cilët dëshironin ta ndiqnin Benediktin XVI nga afër.RealAudioMP3
Pas përshëndetjes me rektorin, që kishte dalë ta priste, Papa u gjunjëzua para të Shenjtnueshmit Sakrament e më pas, edhe para varreve të paraardhësve të kryeipeshkvit të sotëm të Kotonusë: imzot Isidor de Sousa e imzot Kristof Adimu, që pushojnë në paqe në dy kapelat, më të majtë e më të djathtë të Elterit të madh. Të pranishëm në kremtim, të gjithë ipeshkvijtë e Beninit, ipeshkvijtë e ardhur nga vise të tjera të Afrikës dhe qindra besimtarë.
Kremtimi iu kushtua “Te Deum”, himnit të falënderimit drejtuar Zotit për të mirat që i bën njeriut gjatë një viti e një jete.
Prej këndej, Papa, pasi i kujtoi ipeshkvijtë, që pushojnë në paqe në këtë katedrale, si punëtorë të zellshëm në vreshtin e Zotit, barinj të palodhur, shërbëtorë të pakursyer të Ungjillit, miq të së vërtetës e njerëz që dhanë një kontribut vendimtar për kalimin e vendit nga diktatura, në demokraci, foli kryesisht për këtë himn.
U ndalua posaçërisht tek mëshira e pambaruar e Zotit, Papa, e tek mrekullitë, që nuk pushon s’i dhuruari njerëzimit. Një prej tyre, edhe katedralja në zemër të Beninit, ku sot po kremtonte Kryebariu i krishterimit. Duke kujtuar Historinë e Shëlbimit, që arrin kulmin e vet me Mishërimin e Jezu Krishtit e përmbushet plotësisht me misterin e Pashkëve, kur në Birin u dëftua Ati i mëshirshëm, gjithnjë i gatshëm për ta pranuar djalin plangprishës, për të falur çdo mjerim njerëzor e çdo mëkat, Papa theksoi:
Mëshira hyjnore nuk qëndron vetëm në zgjidhjen e mëkateve tona, qëndron dhe në faktin se Hyji, Ati ynë, na prin, nganjëherë jo pa dhimbje, mundim e frikë nga ana jonë, në rrugën e së vërtetës e të dritës, sepse nuk dëshiron të humbasim”.
E kjo dëshmon qartë se Zoti e mban besën e lidhur me njeriun në Pagëzim. Prandaj, duke rilexuar historinë personale të secilit njeri e atë të ungjillëzimit të viseve tona, mund të themi, së bashku me Psalmisitin: “Do të këndoj në amshim dashurinë e Zotit”.
E Virgjëra Mari – kujtoi në vijim Papa – e provoi më shumë se të gjithë misterin e dashurisë hyjnore. Prej këndej, në Magnificat-in e saj, brohoret: “Mëshira e tij, brezni më brezni, për ata që e nderojnë” (Lk. 1,50). Duke pranuar të bëhet Nëna e Krishtit, ajo u bë edhe Nëna e Mëshirës, u bë ndërmjetësuesja jonë. Me dashurinë e saj amtare kujdeset për vëllezërit e të Birit, që vijojnë shtegtimin mbi tokë, të rrethuar nga rreziqet, deri sa të arrijnë në atdheun e lumtur. Nën mbrojtjen e mëshirës së saj, zemrat e plagosura shërohen, kurthet e djallit zbulohen, e armiqtë pajtohen. Zoja i prin njerëzimit kah realizimi i plotë në Atin. Prandaj, vijoi Papa, nuk kemi frikë t’i lutemi me besim Asaj, që nuk pushon s’i mbushuri bijtë me hire hyjnore.
Në përfundim të kremtimit, Papa shkoi në Nunciaturën Apostolike, për t’i rifilluar veprimtaritë nesër, me meshën private.
Ditë e ngarkuar, e shtunda, për Benediktin XVI, që do të takohet me qeveritarët dhe përfaqësuesit e feve të ndryshme, me presidentin e Republikës, do të shkojë në Oudiah, ku do të vizitojë varrin e kardinalit Bernardin Gantin, do të takohet me meshtarët, seminaristët, rregulltarët e besimtarët laikë, do të vizitojë Bazilikën e Zojës së Papërlyer, do të nënshkruajë Nxitjen Apostolike pas Sinodale e veprimtari të tjera që ne, si zakonisht, do t’i ndjekim me mikrofonin tonë, duke e shoqëruar, së bashku Papën, në këtë shtegtim shprese nëpër rrugët e Afrikës.








All the contents on this site are copyrighted ©.