2011-11-17 14:19:20

Çelësi i fjalëve të Kishës: Gjykimi i Mbramë!


Të nderuar dëgjues, në emisionin e sotëm, i cili është i 119-ti i kësaj rubrike, do të flasim për ”Gjykimin e Zotit”, duke pasur parasysh, sidomos ”Gjykimin e Mbramë”, në prag të festës së Krishtit Mbret, që do të kremtohet të dielën.
Pritja e ndërhyrjes hyjnore, e cila duhet të vendosë rregullin në historinë e ndërlikuar njerëzore, përshkon krejt Biblën, ku shprehet bindja se Zoti është mbret, gjykatës dhe zot i qënieve njerëzore. Në hebraisht, fjala, që e përcakton këtë është ”shafat” dhe do të thotë si ”të qeverisësh”, ashtu edhe ”të gjykosh”. Me këtë kuptim të dyfishtë duhen kuptuar pra, të gjitha frazat, ku përdoret fjala, si për shembull, në Psalmin 96: ”Zoti po vjen për të gjykuar tokën! Do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e Tij” (13). Teoria e njohur e shpërblimit, sipas së cilës çdo krimi i korrespondon një dënim, është një mënyrë, ndoshta tepër e thjeshtë, për të pohuar këtë shpresë në gjykimin hyjnor.
Por kundërshtimi i parimit të teorisë së shpërblimit nga ana e Jobit, i cili vuan pa mëkat dhe, nga ana e vetë Jezu Krishtit, siç mund të shihet në Ungjillin e Shën Gjonit (9,1-3), e zhvendos theksin nga gjykimi në jetën e përditshme në Gjykimin e Mbramë, që vulos historinë njerëzore. Në Besëlidhjen e Vjetër, kësaj i referohen shprehjet ”dita e Zotit”, ”në atë ditë”, ”ditët, që do të vijnë”, ”në fundin e ditëve”, ”në atë kohë”, ose edhe thjesht ”atëherë”. Në fund të ngjarjeve të historisë së njerëzimit ”Gjykatësi i drejtë do të bëjë drejtësi” (Sir 35,18). ”Në atë kohë” lexohet në Librin e Danielit profet ”një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm”(12,1-2).
Kjo është shpresa e madhe e viktimave të çdo padrejtësie e, është pikërisht ”dita e Gjykimit të Mbramë” – shprehje e Besëlidhjes së Re tashmë – që i jep kuptim historisë dhe zbulon fytyrën e arbitrit të vërtetë të saj, që do ta gjykojë me vërtetësi e drejtësi. Sigurisht që, edhe para se të vijë ajo ditë, Zoti na tregon se nuk është indiferent ndaj së keqes dhe fillon, që tani, ndërtimin e mbretërisë së tij të drejtë, siç thotë shën Gjoni Ungjilltar: ”Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë!”(Gjn 12,31). Me vdekjen e ngjalljen e Krishtit, ndeshja ndërmjet së mirës e së keqes e tregon që tani si do të jetë fundi.
Vërtet, me Pashkët përvijohet ajo kohë ”kur të gjithë ata që pushojnë në varre do ta dëgjojnë zërin e Birit të njeriut dhe do të dalin: ata që bënë mirë, do të ngjallen për të jetuar, ata që bënë keq, do të ngjallen për t’u dënuar” (Gjn 5,28-29). Në Letrat e Shën Palit Apostull e në Librin e Zbulesës mund të mësojmë diçka më shumë për Ditën e Mbrame, e cila, siç shpjegohet, e ka zanafillën brenda jetës personale e në të sotmen e botës. Doktrina e ”justifikimit”, pra e shpërblimit të mëkateve përmes fesë e jo thjesht përmes veprave, është çlirim nga mëkati, që i jep gjykimit hyjnor përmasën e dashurisë.
Por skena më e famshme e Gjykimit të Mbramë, jepet pa dyshim, në faqen e Ungjillit të Shën Mateut, ku flitet për Birin e njeriut si mbret-bari i grigjës së vet, i gatshëm të ndajë delet nga cjeptë (25,31-46). Njeriu do të gjykohet për një gjë të vetme, për dashurinë e ky do të jetë provimi, të cilit do t’i nënshtrohen si besimtarët, ashtu edhe jo besimtarët. Kriteri i gjykimit është, edhe ai, i qartë nga faqja e Ungjillit: ”Çkado bëtë (ose s’bëtë) për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë (ose nuk e bëtë) për mua. Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur” (25,40.45-46).







All the contents on this site are copyrighted ©.