Sali Berisha: Vatikani kontribut për ngritjen e dialogut ndërfetar e intelektual në
Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim në Tiranë Presidentin e Këshillit
Papnor për Kulturën, Hirësinë e Tij, Kardinalin Gianfranco Ravasi, i cili shoqërohej
në këtë takim nga Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë në Shqipëri, imzot Ramiro Molinari
Ingles, bëri të ditur zyra për shtyp e Kryeministrisë. Kryeministri Berisha e falënderoi
Kardinal Gianfranco Ravasin për kontributin që po jep në një ngritje cilësore të dialogut
ndërfetar dhe intelektual, si një nga mënyrat më të mira për promovimin e vlerave
të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare në Shqipëri. Kryeministri Sali Berisha u
shpreh se 20 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë
është një rast për vlerësimin e ndihmesës që kanë përbërë këto marrëdhënie në ringjalljen
shpirtërore në Shqipëri. Duke rikujtuar si një ngjarje madhore vizitën e Papa Gjon
Palit në Shqipëri, kryeministri shqiptar përforcoi edhe një herë dëshirën për ta pasur
Papa Benediktin XVI si të ftuar nderi gjatë vitit jubilar. Hirësia e Tij, Kardinali
Ravasi, shprehu kënaqësinë dhe entuziazmin për interesin që ishte treguar ndaj leksioneve
të tij nga një rini shumë e pjekur dhe energjike, mbajtur këtyre ditëve në Tiranë
në kuadrin e nismës së Dikasterit të Vatikanit që drejton ai, ‘Oborri i Paganëve’. Në
kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, kardinali Ravasi
premtoi se do të mbështet sjelljen e librit "Meshari" i Gjon Buzukut për t'u ekspozuar
në Tiranë, si dhe organizimin e veprimtarive kulturore në komunitetet arbëreshe të
Italisë. Kardinal Ravasi gjatë qëndrimit në Shqipëri pat një seri leksionesh në
Universitetin e Tiranës, Universitetin Evropian dhe atë Universitetin "Zonja e Këshillit
të Mirë". (nga ATSH-ja)