2011-11-17 14:58:43

Përfundoi vizita e kardinali Koch në Bjellorusi


Kardinali Kurt Koch, president i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit mes të Krishterëve, e përfundoi dje vizitën e tij pesë ditore në Minsk në Bjellorusi, ku qe ftuar nga peshkopi Filaret, Mitropolit i Minskut e Slutskut e kreu i Kishës ortodokse të Bjellorusisë, që varet na Patrikana e Moskës, për të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare mbi temën “Dialogu katoliko-ortodoksë: vlerat etike të krishtera si kontribut për jetën shoqërore në Evropë”. Konferenca u organizua nga Instituti për dialogun ndërfetar dhe komunikimi ndërfetar pranë Sinodit të Kishës ortodokse Bjelloruse e nga Qendra e edukimit të krishterë shën Metodi e Cirili, në bashkëpunim me Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve.
Kardinali Koch – njofton një deklaratë e dikasterit të Vatikanit – ka pasur një takim edhe me ipeshkvijtë katolikë të Bjellorusisë gjatë Mbledhjes së tyre ipeshkvnore të vjeshtës, me të cilët bisedoi mbi dialogun ekumenik në Vend. Më pas bashkëkremtoi Eukaristinë Shenjte në Katedralen katolike në Minsk me pjesëmarrjen e të gjithë ipeshkvijve katolikë dhetë shumë besimtarëve.
Në përurimin e punimeve të Konferencës të dielën e kaluar pasdite, përveç Mitropolitit Filaret, kanë marrë pjesë edhe dy peshkopë ortodoksë e një përfaqësues i Departamentit për Marrëdhëniet e Jashtme Kishtare të Patrikanës së Moksës dhe të gjithë ipeshkvijtë katolikë të Bjellorusisë, së bashku me Nuncin apostolik, imzot Claudio Gugerotti e imzot Agostino Marchetto, ish Nunc në Bjellorusi. Para pjesëmarrësve të shumtë të kësaj konference katoliko – ortodokse , kardinali Koch paraqiti një relacion mbi vlerat e krishtera në Evropë. Nga relatorët e nga të gjithë pjesëmarrësit doli në pah dëshira për të vijuar me thellimin e dialogut mbi tema të përbashkëta dhe bashkëpunimin konkret në promovimin e mbrojtjen e vlerave të krishtera në Evropë.
Vizita e presidentit të Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve në Bjellorusi – pohon deklarata – vuri në pah disa tipare të veçanta me vlerë të madhe: faktin që Kisha katolike pati mundësinë të riorganizohet në mënyrë të përshtatshme e mjaft mirë pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe që kjo ka ndodhur në harmoni e shpesh edhe me mbështetje të Kishës ortodokse vendore e të autoriteteve civile. Fryma vëllazërore ekumenike, në një Vend si Bjellorusia, që del nga përvoja e komunizmit dhe ateizmit, është përforcuar në kohë e është bërë realitet i përditshëm, shembull e pik referimi. Kjo sjellje pozitive është përforcuar edhe më tej nga kjo vizitë e kardinalit Koch, si nga ana e bashkësive të krishtera, si nga qeveria, përmes disa angazhimeve e përgjegjësive që janë marrë përsipër, që do të përforcojë edhe më shumë marrëdhëniet e anasjelltë.
Selia e Shenjtë, përfundon deklarata, vazhdon të siguroi mbështetjen e saj mbarë popullit bjellorusë, që kaq shumë ka vuajtur gjatë historisë, në zhvillimin e vlerave themelore siç janë solidariteti, drejtësia, paqja e harmonia me popujt tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.