2011-11-17 14:56:04

Atë Lombardi: i papranueshëm, instrumentalizimi i fotografisë së Papës në reklamë


Papa Benedikti XVI puth në buzë Imamin e Universitetit Al Azhar të Kajros. Është njëra nga fotografitë e fushatës publicitare “Unhate”(Jo urrejtje) të markës së njohur të veshmbathjeve Benetton, e cila po shkakton debate të mëdha, që para se të paraqitet në media. Vërtet, pas protestës së Vatikanit për përdorimin e instrumentalizuar të fotografisë së Papës, Benettoni e hoqi këtë reklamë nga qarkullimi, pavarësisht se në reagimin e krerëve të tij, shihet habia për moskuptimin e mesazhit, që sipas tyre, është thjesht lufta kundër kulturës së urrejtjes, në çdo formë të saj. Por, problemi nuk qëndron te mesazhi, siç nënvizon zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, por tek mënyra e paraqitjes së tij.
“Duhet shprehur një protestë e vendosur për përdorimin krejtësisht të papranueshëm të figurës së Atit të Shenjtë, manipuluar e instrumentalizuar në kuadrin e një fushate publicitare me qëllime tregtare – deklaron atë Lombardi. Kemi të bëjmë me një mungesë të rëndë respekti për Papën, me fyerjen e ndjenjave të besimtarëve, me një rast të qartë, që tregon se në fushën e reklamave mund të dhunohen rregullat më elementare të respektit ndaj njerëzve, me qëllim që të tërhiqet vëmendja, përmes provokimit”. Ndërkaq, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit njoftoi sot se ka ngarkuar avokatët e vet “të ndërmarrin, në Itali e jashtë saj, të gjitha veprimet e nevojshme për të penguar qarkullimin, edhe përmes mediave, të fotomontazhit, realizuar në kuadrin e fushatës së Benettonit”.
Të njëjtat hapa, ka vendosur t’i bëjë edhe imami maroken i Romës, Abdul Abderraim, i cili ka ngarkuar një avokate për ta çuar çështjen para gjyqit. Theksojmë se fotografia e Papës dhe e imamit të Al Azharit është fotomontazh, ashtu si edhe fotografitë e tjera të fushatës së Benettonit, që paraqesin kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Nikolas Sarkozy, presidentin amerikan Barak Obama dhe homologun e tij kinez Hu Jintao e çifte të tjera liderësh botërorë.







All the contents on this site are copyrighted ©.