2011-11-17 11:29:14

Afrika në zemër të Kishës: nesër Benedikti XVI udhëton për në Benin në shtegtimin e 22-të apostolik.


Papa Benedikti XVI fillon nesër udhëtimin e 22-të apostolik në zemër të Afrikës, në Benin. Me rastin e kësaj vizite Ati i Shenjtë Ratcinger do të nënshkruajë e do t’ia dorëzojë ipeshkvijve Dokumentin pas-sinodal “Africae Munus”. Udhëtimi i 22-të apostolik ndërkombëtar i Benediktit XVI do të jetë më tutje ngjarja kulmore e kremtimeve për 150 vjetorin e ungjillëzimit të Beninit. Një etapë e vizitës papnore do të jetë edhe seminari i Ouidah, ku Benedikti XVI do të nderojë kardinalin e ndjerë Bernardin Gatin, figurë historike për Benin e për tërë Afrikën.
Në Benin, pra, vlojnë përgatitjet e fundit për vizitën e Papës. Por, ç’kuptim ka për këtë vend, vizita e Benediktit XVI? Kësaj pyetjeje i përgjigjet, në mikrofonin tonë, eprori i Rojtarisë së Kapuçinëve të Beninit, vëllai Luigji Kopari, me telefon, nga Kotonou:

Përgjigje: - Prania e Papës, domethënë prania e Kishës katolike, vetëdija e bashkimit… Këtu është shumë i mprehtë problemi i inkulturimit. Njerëzit duan ta ndjejnë se Krishti, kur vjen në Afrikë, mishërohet në gjirin e këtij populli, jeton sipas dokeve e zakoneve të vendit. E Papa sjell fytyrën e Krishtit e fenë e vërtetë katolike. Kisha e Beninit, ndër më të rejat, e pret me gëzim të pakufishëm vizitën e Papës. Këtu ka shumë thirrje për jetë meshtarake. Në Kotonou çdo vit kemi rreth 25-30 meshtarë të rinj: shekullarë, kamilianë, kapuçinë. Ka shumë, shumë thirrje. E megjithatë duhet përsëritur se Kisha është e re e ka nevojë të fuqizohet, të përforcohet.

Pyetje: - Shumëkush mendon se ndërmjet aspekteve që duhen përforcuar, një nga vendet kryesore e zë puna baritore me familjen…

Përgjigje: - Po, sepse familjet kanë ende mendësi të ndryshme, tradicionale, që i bëjnë të brishta, u cënojnë bashkimin e u shtojnë problemet. Prandaj mund të them me plot gojën se ardhja e Papës mes nesh do të jetë një mbështetje e fortë në të gjitha drejtimet.

Pyetje: - A ndjehet nevoja për ndihmë në fushën e arsimit?

Përgjigje: - Misionarët e parë patën krijuar në të gjitha famullitë shkolla fillore. Edhe sot e kësaj dite në Benin shumë shkolla drejtohen nga katolikët, nga famullitë. Megjithatë ndjehet fort nevoja për një shkollim më të plotë, edhe në nivel universiteti. Aktualisht në Universitetin kryesor të Beninit punojnë domenikanët, por sigurisht duhet një formim më i gjithanshëm, më i plotë e më i thellë, në të gjitha nivelet.

Pyetje: - Në Ouidah Papa do të vizitojë varrin e kardinalit Gantin, figurë jashtëzakonisht e njohur në vend….

Përgjigje: - Është homazh, që do t’i bëjë këtij kardinali të madh të Beninit, emrin e të cilit e mbajnë aeroporti, shumë rrugë e shumë nisma. Ishte njeri i madh, i respektuar nga të gjithë, nga myslimanët, nga besimtarët e feve tradicionale. Ishte shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë. I kishte në shpirt të gjitha vlerat e Beninit e, njëkohësisht, na porosiste ta jetojmë mirë fenë katolike romake.

Pyetja: - Në Ouidah Papa do të vizitojë Bazilikën e Zojës së Papërlyer e do të nënshkruajë Nxitjen Apostolike pas-sinodale. Këtu është edhe Porta e Skllavërisë, Porta e ikjes pa kthim, vizituar nga Papa Gjon Pali II…

Përgjigje: - Ouidah është qyteti i portave. E është edhe simboli i krishterimit, i katolicizmit, në zonën e Gjirit të Guinesë, Dahomei i lashtë. Këtu, nga vitet 1600 deri në fillim të viteve 1800, ndjehej fort zgjedha e skllavërisë, që nuk kishte të bënte vetëm me Beninin, por me të gjitha Vendet e Gjirit. Porta e Ouidah ishte vendi ku grumbulloheshin mijëra burra, gra, fëmijë, të vulosur me vulën e robit, me duar të lidhura, flakur një mbi një në varka vigane. Mijëra e mijëra njerëz të ngjeshur pranë e pranë aq, se mezi merrnin frymë. Në sa përgatiteshin për një udhëtim të gjatë, që shumkujt do t’i kushtonte jetën e varrosjen në fund të oqeanit.

Pyetje: - E ç’u bë më pas me këtë portë?

Përgjigje: - Në vitet 1985-86 Unesco ngriti këtu një monument: një hark të madh, me drejtim nga oqeani, që u quajt “Porta e ikjes pa kthim”. Më pas, pranë e pranë kësaj Porte, me rastin e Jubileut të 2000-shit, u lartua një portë tjetër, që u quajt “Porta e shëlbimit”; pastaj u ngrit edhe një monument i tretë, një portë e tretë, që u quajt “Porta e kthimit”, domethënë e riatdhesimit të pasardhësve të skllevërve të lashtë, që kthehen në trojet e të parëve, në Benin. E tani kemi edhe një të katërt. Prej këndej, Ouidah njihet me emrin”Qyteti i portave”.

Pyetje: - Po ju, ç’do t’i sillni Papës në këtë shtegtim?

Përgjigje: - Ne do t’i sjellim ndihmën e lutjes sonë e të afërsisë sonë me popullin. Do t’i themi Papës se do të vijojmë të impenjohemi, të punojmë sa më mirë që të mundemi, t’i dhurojmë popullit praninë tonë, veprimtarinë tonë, jetën tonë. Dy vjet më parë ia lamë dioqezanëve një nga famullitë e morëm një tjetër, në një nga lagjet popullore, për të qenë gjithnjë në vijën e parë të frontit, në luftë kundër varfërisë. Kemi tri vepra bamirëse, tri shtëpi pritjeje, ndihmojmë 250 fëmijë në familje: është një veprimtari e madhe e dashurisë së krishterë, gjithnjë pranë nevojtarëve. Ja, pra, me këto vepra mendoj se do t’ia mbushim duart plot Papës. E mendoj edhe se pasuria më e madhe, që mund të japim e që kemi dhënë deri më sot, është nxitja e thirrjeve të reja për jetë meshtarake. Edhe për këtë do të lutemi, së bashku me Benediktin XVI.


Por, ç’rëndësi ka besimi në Afrikë? Ia kërkuam përgjigjen atë Çelestin Avokan, doktor në teologji pranë dioqezës së Lokosës:

Përgjigje: - Rëndësia e fesë në Afrikë buron nga vetë tradita afrikane. Afrikani është jashtëzakonisht besimtar, por për shumë vite ka ndjekur besimin natyror, prandaj duhet ndihmuar ta kuptojë kristianizmin, duhet ndriçuar, që të ndjekë Krishtin, Fjalën e Zotit të gjallë.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për takimin e Papës në Ouidah me seminaristët…

Përgjigje: - Takimi ka rëndësi, sepse seminari i madh i Ouidah i qe besuar vikariatit të parë, në vitin 1881, për t’i përgatitur të gjithë priftërinjtë e rregulltarët e bregut perëndimor të Afrikës. Vinin në Ouidah ata, që i njohëm si kardinaj në Bregun e Fildishtë, Ganë, Senegal. Ouidah është një farë gjysheje, alma mater për të gjithë. Aty është varrosur kardinali Gantin, i cili për 32 vjet punoi në Romë, në Kurie e që u krijua kardinal në të njëjtën ditë me Papën e sotëm Benediktin XVI. E këtë duhet t’ia tregojmë edhe seminaristëve, që mund të nisen pikërisht nga Ouidah, për të përtërirë jetën e Afrikës sot, për ta bashkuar, sidomos, duke u mbështetur mbi solidaritetin e jo mbi egoizmin dhe individualizmin.

Pyetje: - Tri bazat: pajtim, drejtësi e paqe…

Përgjigje: - Janë të rëndësishme, sepse Afrika ka, natyrisht, kulturën e solidaritetit, por ky solidaritet duhet ndriçuar nga Ungjilli. Ky solidaritet e kjo kulturë, që për ne afrikanët është tejet e bukur, ka edhe kufizimet e veta, pret të përkryhet më tej. Ashtu si pati thënë Abrahami “Lëre tokën tënde e shko atje, ku do të të dërgoj”, edhe Afrika duhet të jetojë heksodin e çlirimit, të dalë nga vetvetja, për të hyrë në rrugën e Ungjillit, për të shmangur, kështu mbylljen e shkëputjen nga bota.

Pyetje: - Cili është urimi juaj për Papën në këtë shtegtim?

Përgjigje: - Që të dëgjohet nga të gjithë. E presim me gëzim, si pritet ai, që vjen të të japë energji, të të përforcojë në fe. Thjeshtësia e tij do t’i prekë, pa dyshim, të gjithë, sepse nga larg Papa Benedikti duket si njeri tepër serioz, por kur e njeh nga afër, të prek në thellësi të zemrës. E njoh traditën e vendit tim: sa më i thjeshtë të jetë miku, aq më përzemërsisht pritet. E kjo ka shumë rëndësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.