2011-11-16 16:49:21

Kardinal Ravasi: Shqipëria vend me energji të reja njerëzore e kulturore, por ka ende ide nga ideologjitë e së kaluarës.


Në Tiranë përfunduan takimet e “Oborrit të jobesimtarëve”, nismë e Këshillit Papnor për Kulturën, që presidenti i saj kardinali Granfranco Ravasi deshi ta çonte edhe në Shqipëri për të dialoguar me botën e kulturës. E për dy ditë me radhë biblisti e teologu Ravasi takoi e dëgjoi intelektualët, akademikët si dhe të rinjtë shqiptarë, besimtarë të feve të ndryshme por edhe jo besimtarë mbi përmasën shpirtërore, mbi Zotin dhe rolin e fesë në jetën e njeriut e kontributin e saj në shoqëri.
Kardinali Ravasi dëgjoi më vëmendje opinionet dhe idetë e shkollave të ndryshme të mendimit që qarkullojnë nëpër institucionet universitare e më gjerë në Shqipëri e pastaj shpalosi mendimin e Kishës katolike mbi çështjet themelore të ekzistencës njerëzore.
Kardinali Ravasi u largua nga Shqipëria me përshtypje pozitive për gjallërinë dhe freskinë që treguan të rinjtë intelektualë e jo, dhe i habitur se si ende sot në shoqërinë shqiptare ekzistojnë ide të stërvjetruara nga ideologjitë dhe rrymat e indoktrinuara nga e kaluara që qarkullojnë e propagandohen.
Gjithsesi kardinali Ravasi nënvizoi elementin pozitive që shqiptarët e ruajnë dhe kultivojnë: bashkëjetesën ndërfetare njëri me tjetrin, respektin për simbolet e shenjta të të gjitha bashkësive fetare. Ky fakt është nxitje për të gjithë për të vijuar në kultivimin e vlerave që burojnë nga besimi në Zotin dhe për të dialoguar me kulturën bashkëkohore, dy elemente këto që ndihmojnë në ndërtimin e indit të ri e pozitiv shoqëror. Po mbi takimet e fundit që kardinali Ravasi pat në universitetet e Tiranës të dëgjojmë shërbimin e Klaudia Bumçit........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.