2011-11-16 16:20:20

Dashuria është më e fortë se urrejtja dhe e keqja. Benedikti XVI mbylli me psalmin 110reflektimet mbi lutjen e Psalterit


Benedikti XVI ia kushtoi audiencën e sotme të përgjithshme të së mërkurës Psalmit 110, sipas traditës hebraike; 109, sipas asaj greko-latine. Përfundoi, kështu, ciklin kushtuar lutjeve të Psalterit. Duke u nisur nga ky Psalm, që kremton pushtetin mbretëror të meshtarisë së Krishtit e, prej këndej, fitoren e dashurisë së Zoti mbi të keqen, Papa u drejtoi të krishterëve ftesën të luten me fjalët e Psalmeve.
Gëzim e trishtim. Dyshim e frikë. Pyetje, që presin përgjigje e ankthe, që kërkojnë siguri. Në Psalmet gjejmë njeriun, të djeshmin, të sotmin, të nesërmin, me gëzimet e hidhërimet, me hovet e dyshimet, me dritat e hijet e përjetshme. E gjejmë edhe Zotin, me mirësinë e tij, me forcën e tij, me pushtetin e tij të pathyeshëm. Prandaj Papa i quajti sot Psalmet “lutje me vlerë të madhe”, që meritojnë të zbulohen e të rizbulohen si shoqe të së përditshmes së besimtarit:
“Dëshiroj t’ju kujtoj përsëri të gjithëve të luteni me Psalmet, edhe duke u mësuar të përdorni Liturgjinë e Orëve të Kishës; uratët e mëngjesit, ato të mbrëmjes si dhe lutjet e fundit, që njihen me emrin Kompieta e thuhen pak para gjumit. Kështu, në ecjen e përditshme kah Zoti, lidhja jonë me Të pasurohet më shumë, realizohet me gëzim e me besim më të madh”.
Kjo frazë, në përfundim të katekizmit, e të një cikli të tërë reflektimesh kushtuar Psalmeve, vulosi meditimin e sotëm të Benediktit XVI kushtuar Psalmit 110, sipas traditës hebraike, 109 sipas asaj greko-latine, që njihet edhe si Himn mesianik e citohet më shumë nga të gjithë në Besëlidhjen e Re, sepse i shembëllen me saktësinë më të madhe, atij që do të ishte misioni i Krishtit mbi tokë:
“Është Psalm shumë i dashur nga Kisha e lashtë e nga besimtarët e të gjitha kohëve. Ka shumë mundësi që, në fillim, kjo lutje qe e lidhur me fronëzimin e një mbreti davidik; gjithsesi, kuptimi i Psalmit shkon përtej faktit historik, duke hapur përmasa më të gjera e duke u bërë kështu, kremtim i Mesisë ngadhnjimtar, të lumnuar në të djathtën e Hyjit”.
Figura, që spikat nga strofa në strofë, është Melkisedeku, mbreti-prift i Salemit, që, kujtoi Benedikti XVI, pati bekuar Abrahamin e pati ofruar bukën e verën pas fushatës fitimtare ushtarake, udhëhequr nga Patriarku, për të shpëtuar të nipin, Lotin, nga duart e armiqve, që e kishin kapur rob. Melkisedeku, vijoi të kujtonte Papa, ka tri tiparet e priftërisë mbretërore, që do të bëhen të dukshme me ardhjen e Krishtit:
“Në Zotin Jezus, të ngjallur e të ngjitur në qiell, ku rri ulur në të djathtën e Atit, aktualizohet profecia e Psalmit tonë: përmbushet meshtaria e Melkisedekut. E buka dhe vera, ofruar nga Melkisedeku në kohën e Abrahamit, përkryhen në gjestin eukaristik të Jezusit, i cili përmes bukës e verës, dhuron vetveten e, si e mund vdekjen, i kthen në jetë të gjithë besimtarët”.
Në filigranën e strofave, realizuar me një art tejet të hollë, si ai i stolive të lashta prej argjendi, protagonistët janë Zoti dhe mbreti, i zgjedhuri i tij, të cilin, në shenjë privlegji absolut, Hyji e bën të rrijë në të djathën e vet. Gjithsesi, vërejti Benedikti XVI, pushteti ka kuptim vetëm në se jetohet duke shërbyer e duke dhuruar vetveten, ashtu si Krishti:
“Ushtrimi i pushtetit është detyrë, të cilën mbreti e merr drejtpërdrejt nga Zoti, është përgjegjësi, që duhet jetuar në vartësi e bindje, duke u bërë kështu, në gjirin e popullit, simbol i pranisë së pushtetshme të Zotit e të provanisë së tij”.
Edhe pathyeshmëria dhe aftësia që ka mbreti për t’i shndërruar armiqtë, i ndihmuar nga Zotit, është një shenjë tjetër me frymë mesianike. E, siç nënvizoi vetë Papa, është njëkohësisht shenjë ngushëllimi e shprese për njerëzimin e sotëm:
“Po, në botë e keqja është shumë e madhe. Prandaj vijon gjithnjë beteja ndërmjet së mirës e së keqes e të krijohet përshtypja sikur e keqja është më e fortë. Jo! Më i fortë është Zoti, mbreti e meshtari ynë i vërtetë, Krishti, sepse lufton me gjithë forcën e Zotit e, pavarësisht se gjithçka na bën të dyshojmë në përfundimin pozitiv të historisë, Krishti fiton, fiton e mira, jo e keqja; fiton dashuria, jo urrejtja”.
Në çastin e përshëndetjeve, pas përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI kujtoi posaçërisht Rregulltaret Oblate, të mbledhura në Kapitullin e tyre të përgjithshëm dhe grupe të shumta dioqezane, kryesuar nga ipeshkvijtë përkatës, të cilëve u drejtoi ftesën ta thellojnë sa më shumë jetën e tyre fetare.
Nuk duhet harruar, në përfundim, se pas dy ditësh Benedikti XVI do të jetë në Afrikë, në Benin, e si zakonisht, pret nga besimtarët ta shoqërojnë me lutje. Sipas ftesës së Papës, mund ta ndjekim sot duke u lutur pikërisht me fjalët e Psalmit 110: “Zoti është në të djathtën tënde…. Në udhëtim lart do ta ngresh kokën…”.







All the contents on this site are copyrighted ©.