Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot Presidentin e Këshillit Papnor për
Kulturën, Hirësinë e Tij, Kardinalin Xhanfranko Ravasi, i cili ndodhet në Shqipëri,
në kuadër të organizimit të ditës së takimit të “Oborrit të Paganëve”, që organizohet
nga Selia e Shenjtë, përmes Këshillit Papnor për Kulturën, në Tiranë. Në takim ishin
të pranishëm edhe Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë në vendin tonë, Imzot Ramiro
Moliner Ingles si dhe Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit.
Presidenti Topi shprehu kënaqësinë për këtë takim me Kardinalin Ravasi, duke vënë
në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë njerëzor dhe institucional me Selinë
e Shenjtë. Kryetari i Shtetit vuri në dukje se shqiptarët i janë mirënjohës Selisë
së Shenjtë për mbështetjen e sinqertë ndaj aspiratave për përparimin e vendit dhe
integrimin me të drejta të plota në Bashkimit Evropian. “Shteti dhe gjithë shoqëria
shqiptare vlerësojnë kontributin e Kishës Katolike në Shqipëri për ruajtjen dhe pasurimin
e mëtejshëm të traditës së marrëdhënieve të shkëlqyera ndërfetare në vend. Po ashtu,
shoqëria shqiptare i është mirënjohëse Kishës Katolike për veprimtarinë e saj sociale,
sidomos në fusha të tilla si: ndihmat humanitare, veçanërisht në situata të vështira
e në raste fatkeqësish, në arsim e përgatitjen profesionale të të rinjve, në shëndetësi,
etj.”, - u shpreh Presidenti Topi. Pasi u ndal në faktin se marrëdhëniet e shkëlqyera
ndërfetare në Shqipëri po bëhen përherë e më të njohura dhe të vlerësuara në botë,
si një vend model dhe i veçantë në këtë drejtim, Presidenti Topi ripërsëriti ftesën
për Shenjtërinë e Tij, Papa Benediktin XVI për të vizituar vendin tonë në funksion
të rritjes dhe përmirësimit të marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë dhe traditës së pasur
e historisë së katolicizmit në Shqipëri. Nga ana e tij, Kardinali Ravasi shprehu
gjithashtu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi, duke vlerësuar përparimet
e mëdha që ka bërë vendi ynë gjatë dekadave të fundit si dhe duke vënë në dukje vlerat
e pamohueshme të shoqërisë shqiptare me tolerancën, harmoninë dhe bashkëjetesën shumëshekullore
fetare. Hirësia e Tij, Kardinali Xhanfranko Ravasi theksoi nevojën e rritjes dhe zgjerimit
të bashkëpunimit në fushën e kulturës, në atë akademike, mes universiteteve dhe bibliotekave
të dy vendeve tona duke theksuar aspektin e ndërveprimit dhe ndërthyerjen harmonike
të kulturës tonë me aspektin e bashkëjetesës fetare. Marrë nga gazeta “Sot”