2011-11-14 16:38:45

Në Engjëllin e Tënzot, Papa kujtoi shembëlltyrën e talenteve dhe i ftoi të gjithë t’i përdorin me urti.


Në Ungjillin e djeshëm, përmes shembëlltyrës së talenteve, Jezusi ftonte për reflektim mbi dhuratat që kemi marrë e edhe mbi mënyrën sesi duhen përdorur, për përhapjen e Mbretërisë së Hyjit. Këtë nënvizoi dje Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke shtuar se Fjala e Zotit na nxit për thjeshtësi, vigjilencë, zell e jetë aktive.

Në shembëlltyrën e mirënjohur të talenteve – kujtoi Papa – Jezusi na tregon historinë e tre shërbëtorëve të cilëve i zoti, para se të nisej për një shtegtim të largët, ua besoi pasurinë e vet. Dy prej tyre i vunë në punë paratë, që kishin marrë, duke i shumëfishuar. Ndërsa shërbëtori i tretë i fshehu në një vrimë. Si u kthye në shtëpi, zotëria u shprehu kënaqësinë dy shërbëtorëve të parë, ndërsa nga i treti mbeti krejtësisht i zhgënjyer:
Ky shërbëtor, që e fshehu talentin, pa e vlerësuar, i bëri keq llogaritë: u suall sikur zotëria nuk do të kthehej kurrë më, sikur nuk do të vinte një ditë, kur do t’i duhej të jepte llogari për veprimin e tij”.
Talenti - shtoi Papa- nuk mund të shkëputet nga misioni, që duhet kryer e që Zoti ia besoi çdo njeriu:
Me këtë shembëlltyrë, Jezusi dëshiron t’u mësojë dishepujve të vet t’i përdorin mirë dhuratat që kanë marrë. Zoti e fton çdo njeri në jetë; i dorëzon edhe talente, duke i besuar njëkohësisht një mision për të kryer. Do të ishte marrëzi të mendoje se këto dhurata mund t’i përdorësh sipas qejfit, ashtu si është marrëzi të mos i përdorësh fare, duke treguar, kështu, se nuk e ke kuptuar vetë qëllimin e jetës”.
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi komentin, që i bën Shën Gregori i Madh, kësaj faqeje ungjillore:
“Ai shkruan: ‘E prandaj është e nevojshme, o vëllezërit e mi, që të tregoheni tejet të kujdesshëm për ruajtjen e dashurisë së krishterë, në çdo veprim që duhet të kryeni (Homeli mbi Ungjillin, 9,6). E pasi saktëson se dashuri e vërtetë është ajo, që të shtyn t’i duash njëlloj miq e armiq, shton: në se ndokush nuk e praktikon këtë virtyt, i humbet të gjitha pasuritë, i mungon talenti, që mori, e flaket jashtë, në errësirë”.
Dashuria e krishterë – vëren Papa – është pasuria kryesore, të cilën të gjithë duhet ta përdorin, që të japë fryte të begata, sepse pa të, çdo dhuratë tjetër është krejt e kotë. Vetëm duke e praktikuar dashurinë e krishterë, edhe ne mund të marrim pjesë në gëzimin e Zotërisë sonë. Fjala e Zotit e kësaj së diele – pohoi Ati i Shenjtë - na kujton se jeta tokësore është e përkohshme e na fton ta jetojmë si shtegtim, me syrin e drejtuar kah caku, kah ai Zot, që na krijoi e, me që na bëri për vete (Shën Agostini, Conf.1,1), është Ai fati ynë i mbramë e edhe kuptimi i jetës sonë”.
Rruga e detyrueshme për të arritur në një realitet të tillë përfundimtar, është vdekja, e pasuar nga gjyqi i mbramë. Shën Pali Apostull na kujton se ‘dita e Zotit do të vijë, si vjen hajduti natën’ (1 Sel 5,2), domethënë, pa kurrfarë paralajmërimi. Vetëdija për kthimin e lavdishëm të Zotit Jezus, na nxit të jetojmë me vigjilecë të përhershme, ta presim dukjen e Tij të dytë, duke kujtuar çdo ças ardhjen e tij të parë.

Pas kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës franceze, Benedikti XVI ia besoi lutjes së besimtarëve shtegtimin në Benin të Afrikës, ku do të jetë nga e premtja, deri të dielën e ardhshme, si dhe përpjekjet e të gjithë atyre, që punojnë në këtë Kontinent për sigurinë e popullsive, për pajtimin e paqen. Ati i Shenjtë kujtoi edhe Ditën Botërore, që kremtohej dje, kushtuar diabetit, sëmundje kronike, nga e cila vuajnë shumë njerëz. Lutem për këta vëllezër e motra – tha Papa – si dhe për ata, që ua lehtësojnë vuajtjen e përditshme. Benedikti XVI kujtoi, në përfundim, se dje Kisha italiane kremtonte Ditën e falënderimit të Zotit për frytet e tokës:“Duke parë frytet e tokës, që na dhuroi edhe këtë vit Zoti, nuk mund të mos e pranojmë se puna e njeriut do të ishte fare e kotë, në se Ai vetë nuk do ta bënte pjellore. Vetëm me Hyjin mund të kenë ardhmëri fushat tona. E ndërsa e falënderojmë , të impenjohemi për ta respektuar tokën, që na e besoi vetë Zoti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.