Më 14 nëntor kalendari kujton shën Shtjefnin Kyenò, ipeshkëv e martir
Shekulli ishte vetëm dy vjeç - kështu e përshkruan datëlindjen e vet nën Napoleonin,
Konsull i parë, Viktor Hygoi, patriark i letërsisë romantike franceze që lindi në
Bezanson të Francës më 8 shkurt 1802. Në të njëjtin vit me autorin e romanit “Të mjerët”
lindte, në Belië, i biri i një bujku, që më pas do të bëhej ipeshkëv, si imzot Myriel
tek romani i Hygoit, e që do të kthente në rrugë të drejtë, duke e thirrur vëlla,
jo vetëm një ish të burgosur zemërbardhë si Zhan Valzhani, por mijëra paganë nga Indokina,
të cilët i desh si t’i kishte vërtetë vëllezër.
Me ipeshkvin Myriel, Viktor
Hygo krijonte figurën ideale të prelatit të lidhur ngushtë me popullin e me mjerimin
e tij, me shpirt sa ungjillor, aq edhe revolucionar. Po ta kishte njohur imzot Kyenò-n,
do të kishte pasur rastin të shihte figurën, jo letrare, por reale, të një biri të
popullit, për të cilin “i afërmi”, nuk ishte një shprehje e përgjithshme, as një farë
klase shoqërore, që jetonte në një vend e në një periudhë të caktuar historike. I
afërmi për të përfshinte të gjitha klasat, të gjitha racat e kombet, në atë revolucion
të përhershëm që është krishterimi i vërtetë. I pagëzuar në një kullë sane, i edukuar
nga famullitarët e fshatit, Shtjefni i ri studioi me ndihmën e prindërve, që i paguanin
mësuesit me dhurata në natyrë.
Kur hyri në teologji, e ëma shiti petkun e saj
të martesës, për t’i blerë uniformën e studentit. Prandaj, sa u shugurua meshtar,
gjëja e parë që bëri, ishte t’i blinte nënës një fustan të ri. Nuk e gjeti menjëherë
rrugën e meshtarisë. Në fillim deshi të bëhej orëndreqës. Pastaj shërbeu si katekist
e si mësues besimi. Së fundi e gjeti rrugën e vërtetë, duke hyrë, në vitin 1827 në
Kongregatën e Etërve misionarë të Shën Vinçenc de Paolit.
Një vit më vonë
misionari i ri arrinte në Indokinë. Në vitin 1835 u shugurua ipeshkëv i Metelopolis.
Filloi menjëherë betejën për të mbrojtur besimtarët e tij të nëpërkëmbur e të persekutuar
nga ana e autoriteteve budiste. E në këtë betejë nisi të fitonte mijëra shpirtra.
Mijëra vetë nisën të kthehen në fenë e krishterë, të frymëzuar nga shembulli i jetës
së ipeshkvit. Kur njeri prej tyre detyrohej, me tortura, të mohonte fenë e re, njëqind
të tjerë kërkonin Pagëzimin. Kleri vendas u trifishua, u hapen shumë shtëpi për edukimin
e jetimëve, vijoi me zell të madh përkthimi i librave kishtarë e fama e ipeshkvit
francez arriti deri në zonat e largëta malore të Laosit.
Në vitin 1861, gjatë
persekutimit të të krishterëve nga ana e mbretit Tu-Duk, ipeshkvi shenjt u kap e u
mbyll në kafaz. Nuk u mbyt menjëherë, por ngadalë-ngadalë me helme që përdornin vendasit,
derisa mbylli sytë më 14 nëntor 1861. Prandaj konsiderohet martir e nderohet me titullin
‘i Lum’.
Rojet që e ruanin thanë për të: “Ishte bërë i përkryer, prandaj qielli
nxitoi ta merrte para se të pësonte një poshtërim të ri”. E kishin fjalën për trajtimin
e trupit të tij të vdekur, të cilit iu pre koka. Një vit pas vdekjes së tij, një traktat
ndërmjet Francës e Indokinës, sanksiononte, të paktën në teori, lirinë e kultit në
vend.