2011-11-14 16:38:57

Kisha shpalli të Lum imzot Karl Lampert, martir i nazizmit në Austri.


Nuk pati frikë ta kundërshtonte regjimin nazist e të dëshmonte besnikërinë ndaj Krishtit, e prandaj, në periudhën tragjike të persekutimit antikatolik në Austri, u internua e u dënua me vdekje. Është fjala për imzot Karl Lampert, të cilin Kisha e shkroi dje në listën e të Lumturve. Papa e kujtoi në lutjen e Engjëllit të Tënzot këtë figurë të ndritur meshtari martir, duke nënvizuar se në kohën e errët të nacionalsocializmit, e pati tepër të qartë kuptimin e fjalës së Shën Palit: “Ne nuk i pëkasim natës, as errësirës”.
Meshën për lumnimin e martirit austriak e kremtoi dje, në Sant Martin të Dornbirn, në landin austriak të Voralbergut, kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Vdiq, duke shqiptuar emrin e Jezusit e të Marisë, besnik i patundur ndaj tyre, edhe në periudhën tragjike të persekutimit antikatolik në Austri, gjatë Luftës II Botërore. U bë, kështu, për njerëzit e të gjitha kohëve, model i dashurisë për Krishtin e për Kishën. Meshtari austriak Karl Lampert, pro vikar i administraturës apostolike të Innsbruk-Feldkirsh, qe viktimë e dhunës së ushtruar nga regjimi nazist, sepse guxoi ta kundërshtonte hapur. U arrestua tri herë, u internua në tre kampe përqendrimi e më në fund, u dënua me prerjen e kokës, i akuzuar si spiun: një udhë kryqi e gjatë, që e çoi në martirizim, të cilën e përballoi duke mbetur besnik deri në vdekje ndaj fesë, në një bashkim të thellë me Zotin. Këtë vuri në dukje kardinali Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve:
Karl Lampert nuk arriti i papërgatitur në orën e dëshmisë më të lartë. Para se të vdiste, i shkruante të vëllait, Julius: “Për mua është ngushëllim i pamasë, ndihma gati-gati mahnitëse e Zotit. Mendo se kremtoj ditë për ditë. Një mrekulli! E kam për ditë me vete të Shenjtnueshmin Sakrament”.
Një fe, që e shtynte të Lumin e ri t’i ofronte për të tjerët të gjitha vuajtjet e tij të pa fund. Kardinali Amato kujtoi edhe shkrimet e të Lumit të ri:
“Çdo ditë u jap të gjithëve bekimin sakramentor e mund të lutem shumë. E duke u lutur, t’ju ndihmoj edhe ju. Me të vërtetë nuk kam frikë nga asnjë e keqe, edhe sikur të ecja në errësirën e vdekjes, sepse Zoti është me mua. Kam përballë një figure të Zojës së Bekuar me një lule të vogël. Krishti e Zoja e gjetën rrugën për të hyrë edhe në këto vende mjerimi”.
Martirizmi është dëshmia më e lartë e dashurisë për Zotin dhe rruga më e fisme drejt shenjtërisë – nënvizoi në vijim prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve - i cili e përmblodhi me këto fjalë trashëgiminë e të Lumtit të ri:
“Ashtu si flijimi i Krishtit ishte peng shëlbimi për njerëzimin, kështu flijimi i të Lumit Lampert do të jetë farë për përtëritjen e jetës së krishterë në trojet e bekuara të Austrisë”.Një shembull – përfundoi kardinali Amato – shumë i çmuar për të gjitha breznitë e reja austriake.







All the contents on this site are copyrighted ©.