2011-11-12 15:31:39

Shenjtorët e javës që vjen


E diel 13 nëntor, Kisha kremton të dielën e 33-të gjatë vitit kishtar e po më 13 nëntor kalendari përkujton edhe shën Nikollën I papë e shën Agostina Pietrantonin, virgjër. Këta na kujtojnë se Jezusi i jep tri porosi atij njeriu që dëshiron ta ndjekë pas: të mos largohet kurrë nga Zoti, të falë e të lypë dhuratën e fesë. Besnikëria ndaj këtyre tri porosive sjell fryte që nuk mund as të përfytyrohen.

Të hënën me 14 nëntor bie përkujtimi i shën Serapionit, ipeshkëv i Aleksandrisë. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi na mëson të kënaqemi sepse jemi me Të e jo sepse bëjmë ndonjë gjë. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë, nuk i mungojnë njeriut që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.

Të martën me 15 nëntor kalendari përkujton shën Albertin e madh, ipeshkëv e doktor i kishës, rregulltar domenikan dhe shën Jozefin Pinjateli, meshtar jezuit. Figurat e tyre na kujtojnë se Jezusi shëroi shumë të gërbulur, po vetëm njëri u kthye ta i krishteri i vërtetë duhet ta pranojë çdo çast pushtetin e Zotit mbi jetën e tij e duhet të jetë i vetëdijshëm se është Hyji ai, që na prin drejt të mirave të jetës së amshuar.

Të mërkurën më 16 nëntor kalendari kishtar kujton shën Margeritën e Skocisë dhe shën Gjeltruden, virgjër benediktine. Liturgjia e ditës duke folur për ngjarjet e tmerrshme që çuan në shkatërrim Sodomën, na kujton se duhet të jemi gjithmonë gati për ardhjen e dytë të Zotit.
Të enjten më 17 nëntor kalendari kujton Shën Elizabetën e Hungarisë, terciare françeskane. E pra vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën, do të shpërblehet në ditën e mbramë. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës, nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.
Të premten më 18 nëntor do të kremtohet përvjetori i Shugurimit të Bazikës vatikanase (1626) dhe i Bazilikës ostiense (1854). Kjo festë kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjajë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurtë në rrugët që çojnë drejt qiellit.
Të shtunën më 19 nëntor kalendari kujton shën Matilden, virgjër e shën Abdinë, profet. Festa e tyre na kujton se Hyji i bën pjesëtarë të jetës së vet hyjnore të gjithë ata që vdesin në bashkim me Të
Të dielën e ardhshme më 20 nëntor, Kisha do të kremtojë festën e Jezu Krishtit, Mbretit të Gjithësisë, që bie në të dielën e fundit të vitit liturgjik, të dielën e 34-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 20 nëntor, kalendari kujton edhe shën Gjelazin I, papë.
Solemniteti i Krishtit Mbret e mbyll vitin liturgjik 'A' duke na ofruar vizionin e sovranitetit të Krishtit në gjyqin përfundimtar, pra të mbramë të jetës. Jezusi paraqitet si Mbret e si Bari, që me ardhjen e tij të lavdishme do të gjykojë të gjithë njerëzit. Lënda e gjykimit është sjellja dhe veprat e çdonjërit që ka pasur gjatë jetës së vet tokësore, që duhen të orientohet drejt Zotit e drejt të afërmit tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.