2011-11-12 16:00:58

Me 13 nëntor kalendari kujton shën Nikollën I, papë.


Papa Nikolla I, që e drejtoi Kishën katolike universale nga 24 prilli i vitit 858 deri më 13 nëntor 867, lindi në Romë në 20 vjetët e para të shekullit IX. Është e sigurtë se u shugurua subdiakon nga Papa Sergji II, i cili papnoi nga viti 844 deri në vitin 847. Ishte njeri me kulturë të gjithanshme, me personalitet të jashtëzakonshëm, me fe të gjallë. Prandaj u mirëprit si nga autoritetet shekullare, ashtu edhe nga Kisha e nga populli romak.
Gjatë papnisë së tij iu desh të ndeshej si me mbretërit, ashtu edhe me metropolitët e autoritetet politike e kishtare të Kostandinopojës, për afirmimin e parisë papnore dhe për pranimin e epërsisë së Kishës në çështjet fetare, posaçërisht në zgjedhjen e ipeshkvijve.
Mbeten në histori marrëdhëniet e tij me Perandorinë karolinge. Kur mbreti Lotari II deshi të ndahej nga Teutberga, së cilës nuk i kishte falur Zoti fëmijë e të martohej me të dashurën, Valdradën, me të cilën kishte tre fëmijë, Papa Nikolla nuk pranoi t’ia zgjidhte martesën e, aq më pak, ta kurorëzonte rishtas.
Kur mbreti mblodhi një koncil, i cili pranoi t’ia anullonte martesën, Nikolla I e shpërndau koncilin; i çkishëroi pjesëmarrësit dhe i deklaroi të pavlefshme vendimet e tij. Me gjithë presionet e karolingëve të cilët, për ta frikësuar, rrethuan Romën, Nikolla I nuk u tund nga vendimi i tij. Ishte njeri i drejtë e i vendosur, që i druhej vetëm Zotit. Madje ishte i mendimit se njerëzit e Kishës nuk duhet të merrnin pjesë në qeverisjen e punëve të kësaj bote.
Në vitin 867, një sinod i mbledhur në Kostandinopojë, arriti ta çkishëronte Papën Nikolla I, i cili vdiq më 13 nëntor 867 e u varros në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, para portave të saj.
Kisha katolike e lartoi në nderimet e elterit, duke i dhënë edhe titullin ‘i Madh’, prandaj tani njihet si Shën Nikolla i Madh.







All the contents on this site are copyrighted ©.