2011-11-11 16:42:22

Papa: papunësia dhe pasiguria i hapin plagë dinjitetit njerëzor.


“Mungesa e punës dhe pasiguria, që pason, i kundërvihen dinjitetit të njeriut, duke i krijuar atmosferë padrejtësie e varfërie. E është pikërisht kjo atmosferë, që i shtyn njerëzit e dëshpëruar të marrin rrugën e kriminalitetit e të dhunës, duke shkaktuar kështu edhe krizën e rëndë të identitetit njerëzor”. Këtë thekson Benedikti XVI në një mesazh, drejtuar Kongresit kombëtar të familjes, që vijon punimet në Kuito të Ekuadorit. Papa mendon se është urgjente të merren masat e nevojshme e të krijohen kushtet e përshtatshme, që të gjithë të kenë një punë dinjitoze, të qëndrueshme e të shpërblyer mirë, përmes së cilës të mund të shenjtërohen e të marrin pjesë gjallërisht në zhvillimin e shoqërisë, duke harmonizuar kohën, që kalohet në punë, me atë, që i takon familjes, për të ndërtuar kështu një jetë të begatë shoqërore e familjare.
Në punë, kujton Benedikti XVI, njeriu vë në jetë aftësitë e veta si subjekt, pjesëmarrës në planin krijues të Zotit. Nga ana tjetër, nënvizon Ati i Shenjtë, një mjedis familjar i qetë e i sigurtë, është shkolla e parë e punës dhe hapësira më e përshtatshme, në të cilën njeriu mund të zbulojë aftësitë e veta, të nxitet për t’u dalluar në mjedisin ku punon, të ëndërrojë një ardhmëri të fisme njerëzore e shoqërore. Në këtë kuptim, sipas Papës teolog, puna e festa lidhen ngushtësisht në jetën e familjes, kushtëzojnë ardhmërinë, ndikojnë mbi marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve, ndërmjet prindërve e fëmijëve si dhe në marrëdhëniet me shoqërinë e me Kishën. Së fundi, nënvizon Benedikti XVI, festa e bën më njerëzore kohën, duke i hapur udhën e takimit me Zotin, me të tjerët e me natyrën. Kështu, pra, njerëzit kanë nevojë ta rifitojnë kuptimin e vërtetë të festës, posaçërisht të dielave, ditë që duhet t’i kushtohet Zotit e të afërmit.
E, përsa i përket rolit të familjes, Papa thekson se ajo lind nga një besëlidhje dashurie e përkushtimi të plotë ndërmjet burrit e gruas, që vendosin të bashkojnë jetët e tyre. Prandaj, thekson Benedikti XVI, familjen nuk mund ta konsiderojmë realitet privat, i mbyllur në vetvete. Për vetë natyrën e saj, familja kryen një shërbim të çmuar e të mrekullueshëm për të mirën e përbashkët të shoqërisë e për misionin e Kishës. E kjo, sepse shoqëria nuk është shumë e thjeshtë e individëve që e përbëjnë, por rezultat i marëdhënieve ndërmjet njerëzve, burrave e grave, prindërve e fëmijëve, vëllezërve e motrave, të cilët rriten e zhvillohen në prehërin e familjes, duke krijuar lidhje të ngrohta në gjirin e saj. Por, vijon të nënvizojë Papa, çdo familje i jep shoqërisë, përmes bijve të saj, pasurinë njerëzore, që jeton ditë për ditë. E me të drejtë mund të pohohet se shëndeti dhe cilësia e marrëdhënieve shoqërore, varen drejtpërdrejt nga shëndeti dhe cilësia e marrëdhënieve familjare. Nuk mund të flitet, prandaj, për shoqëri të zhvilluar, atje ku zhvillimi nuk vë në plan të parë mirëqenien materiale e shpirtërore të familjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.