Imzot Folo në Unesco: familja, shkolla e qyteti, për të ndërtuar paqen.
“Familja, shkolla, qyteti”: për imzot Folon, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë
pranë Unesco-s, pikërisht nga këto “shoqëri të vogla”, duhet të nisemi, për ndërtimin
e paqes. Në fjalimin e mbajtur gjatë diskutimit publik të Konferencës së përgjithshme
të Organizatës së OKB-së, imzot Folo kujtoi fjalët e Papës për ekologjinë njerëzore,
si kusht i domosdoshëm për bashkëjtesën dhe u ndalua posaçërisht tek lidhjet e ngushta
ndërmjet familjes, edukimit e paqes. Objektiv që, saktëson diplomati, mund të arrihet,
duke u nisur nga familja, shkolla e qyteti. Në radhë të parë, nga familja, duke e
parë si shoqëri e vogël, brenda së cilës mund e duhen gjetur modelet e nevojshme.
Askush nuk mund ta mohojë se njeriu mëson të jetë njeri pikërisht në familje, në këtë
qelizë shoqërore, të përbërë nga prindërit e fëmijët, me të cilën zë fill vetë shoqëria.
Prandaj është detyrë e dorës së parë ta mësosh njeriun për të jetuar në familje.
Shoqëria e dytë është shkolla, vend ku njeriu jo vetëm merr njohuritë
e nevojshme shkencore, por edhe mëson të sillet si qenie shoqërore. Shkolla, vëren
imzot Folo, nuk do të mund ta kryente misionin e saj, në se do të kufizohej vetëm
me mësimdhënien teorike, duke harruar se e ka për detyrë të krijojë një jetë të përbashkët
paqësore, kusht i domosdoshëm për zhvillimin e njeriut. Në një botë të shqetë, të
përçarë, të kërcënuar ditë për ditë nga rreziku i ndeshjeve të dhunshme, si kjo në
të cilën jetojmë, shkolla mund të edukojë veprimtarë të paqes e të kultivojë kulturën
e dialogut, që i hap rrugën edhe autokritikës. Në këtë mënyrë, vijon imzot Folo, shkolla
mund të luftojë me sukses kundër pabarazive të mëdha, të kërkojë që të drejtat e njeriut
të respektohen kudo e, posaçërisht, t’i edukojë të gjithë që ta kuptojnë se jemi një
familje e vetme njerëzore. Por nuk duhet harruar se familja e shkolla jetojnë
brenda qytetit, në kuptimin fillestar të fjalës, sipas termit grek të qytetit,
që ka kuptimin e vendit a të fshatit. Bota jonë, theksoi vëzhguesi i Selisë së Shenjtë,
është gjithnjë më e urbanizuar. Shumica e njerëzve tashmë vijojnë të dynden drejt
qyteteve. Kështu qyteti është bërë vend ku krijohet e jetohet kultura më e rafinuar
e, njëkohësisht, edhe dhuna më e egër; vend i fisnikërisë e i barbarizmit, i pasurisë
më marramendëse dhe i varfërisë më tronditëse. Prandaj duhet të impenjohemi që qyteti,
vendi, fshati, lagjja të bëhen vërtet njerëzore. Me fjalë të tjera, bashkësia e njerëzve,
të cilët jetojnë në këto mjedise, të fitojë vetëdijen se jeta duhet bazuar mbi parime
pozitive, që rrjedhin nga kulturat përkatëse e çojnë tek kultura e paqes, në kundërshtim
me çdo formë të dhunës. Prej këndej, përfundimi i imzot Folos: “Paqja mund të sigurohet
përmes tri rrugëve: familjes, shkollës, qytetit . Kështu mund të krijohet kultura
e paqes, që ndikon pastaj më gjerësisht në bashkëjetesën e harmonishme të kombeve.
Së fundi, mbështetja e Selisë së Shenjtë për platformën ndërsektoriale të Unesco-s,
kushtuar kulturës së paqes, që i kundërvihet çdo lloj dhune.