2011-11-11 18:37:34

Egjipt: ligj i përbashkët për koptët dhe myslimanët lidhur me ngritjen e ndërtesave të kultit.


Paraqitja e propozimit të një ligji të përbashkët për të krishterët e myslimanët lidhur me ngritjen e ndërtesave të kultit, kundër tymnajës së rregullave imponuar nga Këshilli i lartë i ushtarakëve. Ky ishte qëllimi i takimit të përfaqësuesve të Kishës kopte ortodokse dhe të Universitetit islamik të Al- Azhar, organizuar këto ditë. Sipas burimeve të së përditshmes egjiptiane AlMasry-Alyoum, propozimi për këtë ligj do t’u krijonte koptëve mundësinë të rregullojnë gjendjen e të gjitha ndërtesave që i përdorin sot për lutje, ndërtuar edhe pa lejen e qeverisë. Projekt-ligji për këtë normalizim vijon të jetë edhe sot e kësaj dite në fazën e miratimit, por shumëkush e shikon si të papërshtatshëm e të dyshimtë. E kjo, sepse u jep qeverive lokale të drejtën ta miratojnë, ose jo, ngritjen e ndërtesave të kultit, të cilat duhet të jenë të paktën 1000 metra katrore e më se 500 metra katrore larg nga njëra–tjetra. Gjithsesi autoritetet vendase, posaçërisht ato të Egjiptit të Epërm, i dënojnë bashkësitë e krishtera, sepse përmasat e kishave të ndërtuara nuk i kalojnë 200 metrat katrore.
Në tetor Këshilli egjiptian për të drejtat e njeriut hartoi një kundërpropozim, për t’i zhdukur një herë e mirë kufizime të tilla.
Problem tjetër serioz ëshë ai i caktimit të trojeve për ndërtimin e kishave ose të xhamive, gjë që rrezikon ndezjen e konflikteve të reja në gjirin e popullsisë së shumë fshtarave. Pavarësiht nga kritikat – kujton agjencia AziaNjuz - rregullat e reja për vendet e lutjes u paraqitën si fryti i parë i “Revolucionit të jaseminëve”, si dhe të Egjiptit, që po lind, pas Mubarakut. I propozuar më 2 qershorin e kaluar, ligji lindi për të zhdukur rregullat burokratike, të cilat për dhjetra vjet i penguan të krishterët të ndërtojnë kisha të reja, ndërmjet të cilave, edhe detyrimi që të kërkonin autorizim nga presidenti i republikës ose nga kryeministri. Edhe sot e kësaj dite, shumë kantiere janë të bllokuara nga bashkësitë myslimane, ndonëse është nxjerrë autorizimi nga pushtetarët e lartë. Rasti i fundit është ai i 1 tetorit të kaluar në provincën Assvan (Egjipti i Epërm), ku qindra myslimanë, të kryesuar nga kryeqeveritari vendas, i kallën zjarrin një kishe. E nga ndërtesa e kultit, zjarri u përhap ndër zemrat e besimtarëve, duke shkaktuar protestat e 9 tetorit të kaluar, organizuar nga bashkësia kopte në Kairo, paguar me jetën e 27 personave dhe me plagosjen e 200 të tjerëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.