Roli i të krishterëve në “pranverën arabe”: intervistë me ambasadorin irakian pranë
Selisë së Shenjtë
Kriza ekonomike botërore dhe pasojat që ka sjellë në vende si Italia dhe Greqia, e
ka larguar disi vëmendjen e opinionit publik nga “pranvera arabe”, pra nga kryengritjet
e njëpasnjëshme të vendeve të Afrikës Veriore, që përmbysën pushtete e sollën në krye
të këtyre popullsive njerëz, që kanë premtuar t’i çojnë drejt demokracisë. Në disa
prej vendeve, si në Siri për shembull, gjendja akoma është e nderë e revoltat përfundojnë
me viktima. Në këtë situatë, cili është roli i të krishterëve, sidomos në Lindjen
e Mesme? Pyetëm ambasadorin irakian pranë Selisë së Shenjtë, Habib Mohamed Hadi
Ali Al Sadr: Të krishterët arabë janë pjesë përbërëse e indit shoqëror,
prandaj ndjejnë mbi supe pasojat që bien mbi gjithë shoqërinë, në të mirë e në të
keq. Përsa i përket frikës për revoltat në vendet e tyre, duhet t’i kuptojmë mirë
shkaqet. Mjafton të mendojmë se një nga pasojat e prostestave është vendosja e të
krishterëve para vendimeve të vështira, si për shembull: të qëndrojnë përkrah një
regjimi totalitar, nga i cili kanë vuajtur shumë, ose të përballojnë një fat të panjohur,
me ardhjen në pushtet të ndonjë force ekstremiste e radikale, që zhduk edhe atë liri
të kufizuar, siguruar më parë nga qeveritë ekzistuese. Skenari më i pasigurtë është
ai i shoqërisë arabe, të përçarë mbi tema si ndryshimet, krerët e lëvizjes, identiteti
i manifestuesve dhe këndvështrimi i tyre. Natyrisht, në këtë rast, nuk është e qartë
se ç’do të ndodhë më vonë. Por frika vjen edhe nga mungesa e një alternative të vlefshme.
Kjo e fundit duhet të jetë në gjendje ta mbajë qeverinë dhe të përballojë qëndrimet
ndërkombëtare për protestat. Një gjendje e tillë u jep mundësi njerëzve të dyshimtë
t’i shfrytëzojnë protestat për qëllime aspak të mira. Në radhën e parë të kësaj armate
janë fondamentalistët, të cilët luajnë me ndjeshmërinë fetare të njerëzve dhe i ndryshojnë
vazhdimisht kartat mbi tryezë. Ata nuk e kanë braktisur akoma idenë e çmendur për
t’i vrarë të gjithë të krishterët, për të shkatërruar kishat e për të terrorizuar
të pafajshmit. Është e qartë se, pa këto ndërlikime, të krishterët arabë janë njerëz
të lirë, që jetojnë si gjithë të tjerët. Në fillim të shekullit të kaluar, ata kanë
qenë zemra e revoltave arabe për pavarësinë dhe teoricienët e mendimit kombëtar arab.
Gjatë
viteve të fundit, të krishterët e Lindjes së Mesme kanë pasur shumë probleme. Provë
për këtë është emigracioni masiv nga vendet e tyre. Cilat janë perspektivat aktualisht?
Dikush përvijon një të ardhme edhe më të vështirë… Nuk janë
vetëm të krishterët, që kanë vuajtur e kanë emigruar. Miliona arabë të çdo feje dhe
etnie janë shpërndarë nëpër botë në kërkim të lirisë, të dinjitetit e të një pune
të ndershme. Problemi është se të krishterët përfaqësojnë një pakicë të popullsisë,
prandaj llogaritë e pakicave nuk janë njësoj me ato të shumicës. Pakësimi i numrit
të tyre sjell edhe kufizimin e rolit e të veprimtarisë së të krishterëve, të cilët
dikur ishin shumë të gjallë e të rëndësishëm, në një zonë konsideruar djep historik
i krishterimit dhe i feve monoteiste. Në këtë dritë duhet ta shohim frikën e të krishterëve!
Nuk duhet përjashtuar mundësia që revoltat arabe të sjellin konflikte të brendshme
dhe ndarjen në fraksione fetare, sidomos në shoqëritë shumëetnike. Në shumicën e rasteve,
paguan pjesa më e dobët, e cila nuk ka as forcën, as dinakërinë për të përfituar.
Por kjo nuk duhet ta justifikojë emigrimin në vende të tjera, pasi emigracioni është
rrezik i madh për ekzistencën dhe për të ardhmen e të krishterëve. Edhe Ati i Shenjtë
u ka bërë disa herë thirrje të jenë të patundur në fe e ta ndajnë peshën e ngjarjeve
të fundit me vëllezërit e tyre, derisa Zoti të krijojë kushtet për ndryshimin e gjendjes. Shumë
mendojnë se regjimet diktatoriale nuk mund të shndërrohen pa dhunë në demokraci. Atëherë
si mund të qeveriset kjo revoltë, që në dukje, fillon nga poshtë, duke pasur parasysh
se të krishterët janë mbartës të paqes, të dialogut e të tolerancës e nuk mund të
pajtohen me dhunën?
Duke u nisur nga kultura e tyre tolerante, sot,
të krishterëve arabë u kërkohet të marrin pjesë në gjetjen e ideve për reformat, të
ndihmojnë qeveritë lokale të dialogojnë me nënshtetasit, të jenë pjesë aktive në zgjidhjen
e konflikteve, të sjellin shpresë e pajtim. Vetëm kështu mund t’i bindin palët të
nënshkruajnë idealisht një pakt shoqëror ndërmjet Islamit dhe Krishterimit, për të
respektuar të drejtat e secilit e për të vendosur barazinë edhe para kutive të votimit.
Në këtë mënyrë do të sigurohet ndryshimi paqësor i pushtetit. Vetëm ky lloj pakti
shoqëror do t’i ndalojë atentatorët t’i çojnë deri në fund komplotet e tyre dhe do
t’u kursejë popujve arabë shkatërrime, gjakderdhje e shpërngulje të mëtejshme nga
atdheu.