2011-11-10 15:50:52

Përvjetori i fillimit të procesit dioqezan për lumturimin e 40 martirëve të Kishës shqiptare


Si sot më 10 nëntor të vitit 2002, gjatë kremtimit të Meshës në Katedralen e Shkodrës, Prefekti i asaj kohe i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Sepe shpalli fillimin e procesit të kanonizimit për lumturimin e 40 martirëve të Kishës shqiptare, shumica e të cilëve, 38-të, u martizuan gjatë kohës së diktaturës komuniste, në nivelin e Kishës Shqiptare.
Vizita e kardinalit Kreshencio Sepe në Shqipëri më 8 nëntor 2002, na kujton fillimin e procesit dioqezan për lumturimin e 40 martirëve të Kishës shqiptare, kryesisht viktima të diktaturës komuniste. Kardinali Kreshencio Sepe, asokohe prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, sot kryeipeshkëv i Napolit, e vizitoi Shqipërinë nga data 8 deri më 11 nëntor 2002.
Veprimtaria e tij e parë ishte kremtimi i Eukaristisë Shnejte në Katedralen e re të Shën Palit në Tiranë, ndërtesë madhështore, që flet vetë e tregon sa hapa të mëdha përpara ka bërë Kisha katolike në Shqipëri vetëm pak vjet pasi rifitoi lirinë e filloi periudhën e vështirë të rilindjes. Për këtë kardinali Sepe falënderoi kryeipeshkvin e Durrës-Tiranës, imzot Rrok Mirditën.
E ishte pikërisht Katedralja në qendër të homelisë që mbajti Kardinali, i cili nuk mund të mos kujtonte, që në fillim, vizitën historike të Atit të Shenjtë të Lumit Gjon Palit II në Shqipëri, më 25 prill 1993, ditë në të cilën jo vetëm i dhuroi Kishës katolike shqiptare ipeshkvijtë e parë të pas salvimit komunist, por nga Sheshi Skënderbe i Tiranës, i drejtoi mbarë shqiptarëve mesazhin e tij të paqes e të pajtimit.
Në vijim të homelisë kardinali Sepe vuri në dukje traditën e bashkëpunimit e të harmonisë fetare në Shqipëri, shembull për të gjithë Ballkanin, dhe e porositi bashkësinë katolike të vijojë ecjen në rrugën e harmonisë ndërfetare.
Më pas kardinali u ndal te Katedralja e re e Tiranës e posaçërisht tek Jezusi i Kryqëzuar që sundon pamjen nga elteri i saj i madh, i cili na kujton, njëkohësisht me flijimin e Jezusit, edhe flijimin e martirëve që derdhën gjakun për t'i qëndruar besnikë. E kjo nuk është tragjedi e lashtë - nënvizoi Kardinali - madje besoj se shumë prej të pranishëmve në këtë kremtim, janë dishmitarë pamorë të terrorit të kuq. Prandaj mund të themi me plot gojën se Kisha shqiptare shkruhet me shkronja të mëdha në librin e artë të Martiriologut të shekullit XX. Duke ia ngulur sytë Jezusit të Kryqëzuarit, nuk duhet t'i harrojmë kurrë fjalët e tij: "Shërbëtori nuk është më i madh se zotëria. Në se më persekutuan mua, do t'ju persekutojnë edhe juve!".
Po tani nata e zezë e komunizmit u davarit e zbardhi agimi i fesë që na fton të ndërtojmë një bashkësi të fortë, ta predikojmë Ungjillin në drejtësi, dashuri e paqe, theksoi Kardinali. Në përfundim kardinali Sepe kujtoi Nënë Terezën, bijë e kësaj toke, që ka arsye të krenohet me të e jo më pak, të ecë në gjurmët e saj të ndritura.
Të nesërmen, më 9 nëntor 2002 paradite, kardinali Sepe shuguroi katedralen e re të Rrëshenit, ndërsa pasdite, Hirësia e tij u takua me prelatët e Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare në Seminarin e madh të Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër, për të kremtuar më pas, lutjet mbrëmësore me rastin e 10-vjetorit të hapjes së këtij Seminari, aq të rëndësishëm për të sotmen e të ardhmen e Kishës në Shqipëri, prej nga tashmë kanë dalë meshtarët e parë vendas të pasdiktaurës.
Më 10 nëntor 2002, ditë e diel, kardinali udhëhoqi Eukaristinë në katedralen e Shkodrës, duke shpallur fillimin e procesit për beatifikimin e 40 martirëve; pasdite kremtoi në Vaun e Dejës.
Më 11 nëntor ishte radha e dioqezës së Pultit: kardinali kremtoi Meshën Shenjte në Kishën e Bajzës, ndërsa pasdite u takua me priftërinjtë, rregulltarët e rregulltarët e dioqezës së Lezhës e të Rrëshenit. Kanë kaluar tetë vjet që atëherë, e gjatë këtyre vjetëve ka ecur përpara procesi i lumturimit të 40 martirëve, hapja e të cilit shënon kulmin e vizitës që përkujtuam sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.