2011-11-10 18:01:49

Papa nesër takon në Vatikan shoqatat evropiane të vullnetarëve


Me rastin e Vitit Evropian të Vullnetariatit 2011, vullnetarët katolikë të Kontinentit të Vjetër mblidhen në Romë më 10 e 11 nëntor për të takuar Atin e Shenjtë, për të bërë një bilanc të “Vitit” e për të përcaktuar linjat kryesore udhëheqëse për aktivitetin e ardhshëm.
Organizatat joqeveritare të vullnetarëve duhet t’u kujtojnë qeverive ndërkombëtare ato parime etike që i ushqejnë dhe frymëzojnë nismat e tyre në shërbim të njeriut në tërësinë e tij në sektorë të ndryshëm të shoqërisë”. Kështu shkruan gazeta e përditshme l’Osservatore Romano në pragun e takimit që mbahet nesër në Vatikan mes Papës Benediktit XVI dhe shoqatave kryesore evropiane të vullnetariatit. “Pjesëmarrja dhe bashkëpunimi i përfaqësuesve të shoqatave joqeveritare (Ong) me propozime të qëlluara, të drejtpeshuara e të mençura, pranohet pozitivisht kudo – vijon artikulli që njofton mbi punimet e Forumit evropian të vullnetariatit që fillon sot me nismën e Këshillit Papnor ‘Cor Unum’ – në mjediset ndërkombëtare, megjithëse jo gjithmonë mendimi dhe doktrina që propozojnë kuptohen e pranohen në dokumentet zyrtare”.
Sipas gazetës Osservatore Romano, “është fjala për një dëshmi të nevojshme, për shërben të bërë që zëri i katolikëve të dëgjohet në mënyrë të duhur”. ”Ungjillëzimi i ri i politikës, ndërkombëtare – shpjegon artikulli – është edhe qëllimi i fundit që synon, mes tjerash, Forumi i Organizatave joqeveritare me frymëzim katolik”.
Nga ana e tyre, përfundon shënimi, “katolikët që formojnë shoqatat dhe organizatat joqeveritare vullnetare, ofrojnë edhe reflektimin e tyre rreth sfidave që duhen ballafaquar dhe modalitetet përmes të cilave mesazhi i Ungjillit përçohet në veprimtaritë dhe nismat e tyre”. Në këtë kontekst, “çështja e parë që paraqitet – përfundon Osservatore Romano – është ajo e reflektimit mbi përmasën ungjillëzuese që ka veprimtaria e tyre, e cila, nganjëherë zbehet apo errësohet nën aspektet e projekteve të zhvillimit e të promovimit njerëzor, e kështu përmasa shpirtërore kushtëzohet nga një vizion i ngushtë apo krejtësisht horizontal i jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.