Françeskani i Visareve te Kombit atë Donat Kurti në përvjetorin e vdekjes
Duke shfletuar kalendarin historik, më 10 nëntor kujtojmë përvjetorin e vdekjes së
françeskanit të madh shqiptar Atë Donat Kurtit. Për t’u njohur me figurën poliedrike
të këtij dijetar të jashtëzakonshëm që gjithçka kishte edhe ishte e dhuroi për Zotin
dhe kulturën e popullit të vet shqiptar, ju propozojmë shkrimin e françeskanit të
ri atë Vitor Demajt
Emni i Át Donat Kurtit si studiues del në shumë fusha të
studimeve albanologjike, në atë gjuhësore, historike, etnologjike dhe kryesisht folkloristike.
Jeta e këtij dijetari të urtë dhe të mençun âsht e lidhun ngusht me fatin e Shqipnisë,
pse nji pjesë të mirë të jetës së tij atë prej vjetit 1945 e deri sa vdiq në vjetin
1983 e kaloi në tortura burgime dhe në nji heshtje të plotë. U burgos dhe ju ndalue
rreptsisht fluturimi nëpër folena të ndertueme në maje maleve ku hovin e fluturimit
nuk e ndal asgjâ. Në vjetin 1948 kur ishte para trupit gjykues Át Kurti në pritje
të pretences, mbasi ju dha mundsia për me thanë fjalën e fundit deklaroi: “Prej jush
un nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse deri më sot nuk i kam ba kurrkuj keq. Mue nuk
më ban përshtypje as vdekja, as burgu, por më vjen keq se më mbeti puna përgjysë.
Të gjithë jeten time, të gjithë talentin tim e kam shkri vetëm per t’i shërbye popullit
shqiptar, pa marrë parasysh sakrificat e privacjonet” (Át Zef Pllumi., Françeskanët
e mëdhaj, Ilar, Tiranë 2001, 125-126). Trupi gjykues tue kenë i verbuem prej urrejtjes
e akuzonte Át Kurtin për konspiracion ndaj pushtetit komunist, me përvujtni dhe me
shpirtin françeskan mbledhsi i prrallave kombtare u përgjigjet: “Arma ime asht
penda me të cilën kam mbledhë e botue kangët ma të bukura të trimnisë së popullit:
VISARET E KOMBIT. Kam mbledhë e botue dy vllime me PRRALLA KOMBTARE. Ato nuk janë
thjeshtë prralla, por aty paraqitet tanë urtia, filozofia e zgjuetsia e popullit tonë
që t’u mësojë fëmijëve ma lehtë ushtrimin e virtyteve dhe luftimin e veseve. Po të
më jepni vdekjen, të gjitha punët mbeten përgjysë, ndërsa po të më dënoni me burg,
un u kërkoj të lejoni vazhdimin e punës sime të deritanishme vetëm për të mirën e
popullit shqiptar!” (Át Zef Pllumi., Françeskanët e mëdhaj, Ilar, Tiranë 2001,
fq. 125-126). Kjo ishte deshira e Át Donat Kurtit: të vazhdonte punen për mbledhjen
e folklorit shqiptar, pse aty ai pat zbulue formimin e shpirtit të popullit shqiptar,
prejardhjen e tij prej ilirve, autoktoninë e tij. Burgu nuk ju kursye, por as puna
nuk i mbeti përgjysë jo prej privilegjeve shtetnore, pse ato i sollen frikë vuejtje
dhe tortura por nga deshira e këtij françeskani për me përmbush misionin e tij në
të mirë dhe përparim të popullit shqiptar e studimeve rreth zakoneve e dokeve të tij.
Provinca Françeskane Shqiptare në Kolanën e Shkrimtarve Françeskan të fillueme
në vjetin 2005, në vazhdimin e botimeve të veprave të Shkrimtarve Françeskan, botoi
vepren Zakone e Doke Shqiptare në vjetin 2010. Át Donat Kurti ketë dorëshkrim të mbledhun
në disa fletore e të ngjituna bashkë e përfundoi së shkruemi në vjetin 1967. Për shkrimin
e saj auktori hoqi jo pak mundime për arsye të mjeteve dhe rrethanave të kohës kur
ai jetonte. Qe, si na e përshkruen ketë veshtirsi në parathanjen që ai i bani vepres:
“Mjerisht, në perpilimin e kësáj pune, unë s’kam pasë mundsí me shfrytzue as rivisten
‘Hylli i Dritës’, as rivistat a librat, qi flasin mbí zakone e mbí jetë të popullit
shqyptár. Unë kam rendue shka kam pasë rasë me mbledhë personalisht, tuj jetue, e
mâ teper tuj ndêjë me malsorë. Si hulumtues e hetues, shpesh i merzitshem jam kujdesë
me i çue çashtjet deri në fund, pá lânë gjâ mangut, e me i paraqitë me besnikí ashtû
si i kam ndie, tuj bâ deri dikû edhe krahasime ndermjet krahinave të ndryshme” (Át
Donat Kurti., Zakone e doke shqiptare. Bot. I. Botime Françeskane, Shkodër 2010, fq.
21). Fatkeqësisht auktori thotë se nuk ka pasë mundsi studimi e hulumtimi nëpër libra
që flasin dhe trajtojnë ketë çeshtje, por âsht marrë me ato materiale që ai vet i
ka pasë mbedhë e ruejtë me veshtirsi, si dhe me kerkime dhe hetime në terren, pra
në bashkëbisedime me njerez të krahinave të ndryshme që kishin trashëgue, apo jetonin
çdo ditë në mesin e këtyne zakoneve dhe traditave. Si hulumtues dhe mbledhës i censhëm
e i palodhshem, e perpiloi ketë vepër me nji mjeshtri të rrallë, tue na lanë nji monument
trashëgimie kulturore. Përveç copa letrash dhe shenimesh të ruejtuna me veshtirsi,
Át Donat Kurti si biliografi të zgjedhun ka pasë njeriun e thjeshtë të maleve dhe
të qyteteve veriore, ku me imtësi e ka pvetë rreth sa e sa çështjeve që kishin të
bajnë me jetën e tij. Vepra Qellimi i vepres: me njoftë lashtësinë
e popullit shqiptar nëpërmjet zakoneve e traditave shqiptare. Ky françeskan i mirë
në shpirt, ishte i dashtunuem me jeten thjeshtë shqiptare, me burrnín, virtytet, besen,
me menyrën se si kjo jetë shfaqej në shprehi dhe harmoni të jashtëzakonshme në të
gjithë bukurinë e saj. Át Kurti në fisin shqiptarë kishte dallue shpirtin bujar e
individual, iliro-pagan me zakone e doke të moçme me origjinë indoeuropiane, siç âsht
rasa në lindjen e diellit që shqiptari i maleve kthehet e ban kryq (Át Donat Kurti.,
vep. e cit. fq.168-169). Jo vetem kaq, por asnji veprim nuk bahet as nuk punohet pa
e pá njiherë proçesin mujor të hanes (Bota shqiptare. Botim i Ministris s’arsimit,
Tiranë 1943, 42.). “Visari kombtár – shkruen Kurti – âsht i pashtershem. Sâ mâ teper
të jetohet në mjes të popullit t’onë, aq mâ teper gjên nieri per shka m’u bindë, shka
me studjue e madjè edhe per shka m’u krenue, pse elementat e ndryshem folkloristikë
shkojn tuj e veshë skeletin e vjetër të shqyptarit tip, e janë dishmija mâ e kjarta
e fisnikís e e madhnís së tij të hershme” ( Át Donat Kurti., Prralla Kombëtare, Botime
françeskane, Shkodër 2005, 5.) Për Kurtin, Palajn, Gjeçovin, etj, shpirti i shqiptarit
u shfaqej para tyne si ai lisi i motnuem që në shtresat e tij shifeshin shekuj jetë
të kalueme në perjudha të ndryshme, tallaze, vuejtje, po edhe gëzime shpërthejshin
në deget e tij, si dëshmi e nji fshehtësie prehistorike e nji fisi tipik indoeuropian.
Át Donat Kurti së bashku me Át Bernardin Palaj, nji tjeter françeskan, u muer
me mbledhjen e kangeve të kreshnikve, kangë trimnie të ruejtuna gjatë shekujve neper
malsi, aty ku jeta moderne kishte depertue pak ose aspak. Shinjimend, në këto treva
ishte ruejt shpirti dhe fizionomia tipike e shqiptarit e panjollosun prej pushtimit
pesëshekullor anadollak. Qe, pra pse fra Donat Kurti iu përvesh e i hyni kësaj pune,
tue e dijt se mundi nuk ka me i shkue kot. Mozaiku nuk ishte i plotë vetem me Visaret
e me Prrallat. Për me e plotsue ketë mozaik të madhnueshem të shpirtit shqiptar, për
me njoftë brumin me çka âsht përbâ ai, duhej edhe nji veper tjeter që do të përfshinte
krejt jetën shqiptare në të gjitha shpërthimet e ndiesitë e saj. Vepra simbas mendimi
tonë ja ka arrijt qellimit të vet, sikurse e thotë vet Kurti: “Shpresoj, se mundi
nuk ká me kênë i bjerrun. Këtû gjithseicilli ká me njoftë jeten e popullit shqyptár
n’at thjeshtsín e dikurshme në pajtim me natyrë e me virtytet mâ fisnike, qi kanë
kênë pështetje e qindrueshme per shekuj e shekuj, si të jetës familjare, si të jetës
shoqnore” (Át Donat Kurti., vep. e cit, fq. 21). Qellimi i vepres, i këtij studimi,
âsht me njoftë jetën shqiptare në raport me vet-veten, me të tjeret, me besimin e
bestytnít e tij, etj, me njoftë racën e pastër shqiptare. Kjo mbledhje me imtsi e
zakoneve dhe traditave iliro-shqiptare, janë së pari nji dishmi për lashtësinë e këtij
populli ku as përhapja e kristianizmit nuk arriti ti zhbaj, janë nji bazë për studimet
e mavonshme në ket fushë, sepse vet Kurti na thotë: “Âsht nevoja, qi zakonet t’ona,
si edhe karakteristikat e Kombit Shqyptár “me të mira e me të këqija” t’i studjojë
e t’i vlersojë vetë shqyptari studjues e shkencatár” (Át Donat Kurti., vep. e cit,
fq. 20). Ky âsht edhe testamenti i Át D. Kurtit. Përpara se me e gjykue ketë apo atë
zakon a traditë si të keqe dhe shkatërruese të jetës familjare e shoqnore të popullit
tonë, ose si tregues i nji qytetnimi të magët, duhet mâ parë ta njofim e ta studiojmë,
të kuptojmë gjendjen shoqnore e politike të popullit të maleve e në përgjithsi të
veriut të Shqipnisë. Në ketë veper kryesisht trajtohen zakonet e traditat e popullit
të Dukagjinit, sepse: “Mirpo âsht mundim i madh me i marrë neper dorë të tana këto
shkrime të shkaperdame e me i lidhë nder vedi e me i rendue, prandaj, per me e paraqitë
në mënyrë mâ të permbledhët jeten e popullit shqyptár nder zakone të veta, kam mendue
me marrë si tip a si shembull Fisin e Dukagjinit, qi deri sot i ká ruejtë në gjendje
mâ të paster si zakonet, ashtû edhe gojëdhanat, kangët, folkloren”(Át Donat Kurti.,
vep. e cit, fq. 20). E veçanta Nji e veçantë e këtij punimi janë paralelizmat
mes zakoneve e traditave nëpër zona të ndryshme, të njejtat zakone dhe tradita të
pame si në Dukagjin, si në Malsi të Madhe, Mirditë, Pukë, Zadrimë, Diber, etj, tue
pá kështu nji ngjashmëni të përbashkët edhe pse neper vende të ndryshme. Tue veprue
kështu, Át Donat Kurti ka arritë të paraqesë nji panoramë të përgjithshme, gjithpërfshimse
të jetës shqiptare të banorve të veriut me zakonet, doket e mitologjinë e tyne. Në
libër trajtohet zhvillimi i jetës familjare e shoqnore: fisi, bajraku, organizimi
i bajrakut, ndertimi i shpis, e besëtytnít në raport me ketë. Françeskani Át Donat
Kurti merret imtësisht edhe me traditen e bukur shqiptare të miqsisë, pra me virtytin
ma të nalt të shqiptarit. Gjanësisht analizohet dhe paraqitet fejesa e martesa si
element kryesor i jetës familjare. Në trajtimine e fejesës e të martesës nuk mungojnë
fjalët e urta e besëtytnít ku lexuesin e çojnë në kohë të moçme të riteve ilire. Një
vend të veçantë në ketë kryevepër xenë edhe studimi mbi kensat e trilluem siç janë,
orët, zanat, floçkat, e bukura e dheut, kulshedra, dragoni, etj. Nji ndër gjanat që
ka tërhjek vëmendjen e studiuesve të folklorit asht edhe përziemja e festave të krishtena
me rite jo të krishtena, ilire. Hulumton mbi jetën ekonomike, për jetën kulturore
të thjeshtë por të kandshme të malsorit. Përfundon studimin e tij me shqyrtimin e
vdekjes te shqiptarët, sidomos paraqet menyrën se si përballohet vdekja në aspektin
e traditave të moçme. Nji randesi të veçantë kanë fjalët e urta si dhe besëtytnít
të vume në çdo fund kapitulli. Qe, edhe nji vepër e dejë, burimore për zakonet
dhe traditat tona, e mbledhun prej nji njeriu që kishte dhe ka autoritet parësor në
ketë fushë, u shtohet studimeve folkloristike dhe etnografike të popullit shqiptar.
Jetëshkrimi
i Át Donat Kurtit. Át Donat Kurti ka lé në Shkoder më 3 shtator 1903. Jeta
e këtij françeskani âsht e mbushun plot me krijimtari të frytshme për Fé e Atdhe.
Mbledhës i “ciklit të kreshnikëve”, i “Prrallave”, i “zakoneve e dokeve shqiptare”,
i “historisë së Provincës françeskane” e asaj “kombëtare” hyn nder dijetarët ma
të mëdhaj të kombit dhe të françeskanizmit shqiptar. Át Donat Kurti kje rektor
i Kolegjit Serafik, drejtor i Gjimnazit të shkollës fretnore “Illyricum”. Në vjetin
1937 nga Universiteti “Sant’Antonio” i Romës, i epet titulli “Doktor i Shkencave”.
Kje profesor gjuhësie, dhe gjatë aktivitetit të tij shkroi në revistat “Hylli i Dritës”
dhe “Zani i Shna Ndout”. Për shkrimet e tij të bukura e me vlerë dhe për kerkimet
e tij në malet e Veriut mbi folklorë kje quejt “Anderseni Shqiptar”. Botoi “Prrallat
Kombëtare” dhe “Kangë Kreshnikësh dhe Legjenda” në bashkëpunim me Át Bernardin
Palaj. Për nevojat e shkollës përktheu ose punoi mjaft libra me vlerë, si: "Gramatika
latine", pjesa I, Morfologji ( nga Dr. A. Shcheindler, 1933); "Sintaksi i gjuhës
latine", I 1939, (po nga nga Dr. A. Shcheindler); "Vepra kulturore e elementit
katolik në Shqipëri", botim i së përkohshmes "Hylli i Dritës", duke filluar nga
nr. 3, 1933 etj., si dhe mjaft studime për probleme folklorike, gjuhësore, historike,
fetare etj. U arrestue me 12 Maj 1946 dhe kje denue me 5 vjet burg. Gjatë
seancës gjyqsore pati deklarue: “Prej jush un nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse
deri më sot nuk i kam ba kurrkuj keq. Mue nuk më ban pershtypje as vdekja, as burgu,
por më vjen keq se më mbeti puna përgjysë. Të gjithë jeten time, të gjithë talentin
tim e kam shkri vetem per t’i shërbye popullit shqiptar, pa marrë parasysh sakrificat
e privacjonet”. Krijimtaria e ketij françeskani nuk u ndal vetem në lamen letrare,
por edhe në ate pedagogjike e fetare. Tue rrëmue nder dorëshkrimet e tij ndeshemi
në disa perkthime të Shkrimit Shêjtë, pregaditje katekizmi, perkthime, etj. Të gjitha
këto punime janë bâ në momentet mâ të vështira të popullit shqiptar. Prandej, me plot
bindje mund të themi se Át Donat Kurti ishte edhe nji profet që me punen e palodhshme
të tij paralajmeronte ramjen e komunizmit, rikthimin e lirisë njerezore e fetare.
Mandej, e arrestuen e u denue me 25 vjet burg të cilat i bani të gjitha. Kje
nder të gjitha kampet e shfarosjes komuniste. Në fund u dergue në burgun e Burrelit
prej kah dhe u lirue. Jetoi nji ksollë të vorfen e në nji vorfni të skajme, i braktisun
pothuejse prej të gjithëve. Gjatë kohes kur kje lirue prej burgut rrugës ku kalonte,
shahej, perbuzej e fyhej prej njerezve, por kishte edhe asish që e thirrnin “Át” e
“Profesor”. Ky kje fati i këtij dijetari e françeskani. Gjatë jetës së tij u dallue
në tê shpirti i pervujtë françeskan, dashnia per të gjithë, edhe per ata që e torturuen
dhe e bánë me vuejtë, por kurrsesi nuk i mohoi idelatet e tij. Vdiq në Zotin me
10 nandor në vitin 1983, në Shkodër në nji kasolle të vorfen në moshën 80 vjeçare,
prej të cilës 62 si rregulltar dhe 56 si meshtar. Kje vorrosë në vorrezen e Stom
Golemit. Mbas ramjes së komunizmit eshtnat e tij i suellen në vorrezat fretenve në
Kishen Françeskane të Gjuhadolit. Në vjetin 2003 u botue studimi historik i Át
Donat Kurtit Provinca Françeskane Shqiptare, Botime Françeskane Shkoder nën kujdesin
e Kolec Cefes. Ndersa me fillimin e botimit të veprave të shkrimtarve françeskan që
prej vjetit 2005 kemi botue në Kolanen françeskane këto vepra të këtij shkrimtari:
1. Prralla Kombëtare I, Shkodër 1940. Ribotue Shkodër 2005. - 2. Prralla
Kombëtare II, Shkodër 1942. Ribotue në Shkodër 2005. - 3. Visaret e Kombit,
Shkodër 1937. Ribotue në vjetin 2005. – 2007, në bashkëpunim me Át Bernardin Palaj,
ofm . - 4. Lojët Kombëtare, Botime Françeskane, Shkodër 2007. - Zakone e
Doke Shqiptare, Botime françeskane, Shkoder 2010, nën kujdesin e Provincës Françeskane
Shqiptare, ku korrektore letrare e librit asht studiuesja e njohun Ledi Shamku - Shkreli. Át
Vitor Demaj, ofm.