2011-11-10 14:33:25

Benedikti XVI planifikon udhëtimin apostolik në Meksisë e në Kubë, pranverën e ardhshme


Benedikti XVI mund të shkojë, pranverën e ardhshme, në Meksikë dhe në Kubë. Lajmin e dha sot paradite, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Gjatë ditëve të kaluara, shpjegoi zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, nuncët apostolikë në Meksikë e në Kubë janë ngarkuar të lajmërojnë autoritetet më të larta fetare dhe civile të të dyja vendeve, se papa po studion një plan konkret për të shkuar në shtegtim apostolik në këto dy shtete, duke iu përgjigjur kështu ftesave. Akoma është fjala për një projekt, për të cilin Ati i Shenjtë do të vendosë më vonë, por gjithsesi koha mund të jetë pranvera e vitit 2012.
Papa ka qenë në Brazil, por vendet e tjera të Amerikës Latine dëshironin që ai t’i vizitonte edhe ato. Meksika është një nga shtetet më të populluar të gjuhës spanjolle, ndërsa Kuba, e cila përjeton një epokë delikate e të rëndësishme të historisë së vet, ka nevojë për inkurajimin e Atit të Shenjtë. Në veçanti, vitin që vjen, bie 400-vjetori i zbulimit të figures së Zojës së Caridad del Cobre e kubanët duan ta festojnë së bashku me Benediktin XVI, pasi janë takuar edhe me të Lumin Gjon Pali II, në kohën e vet.
Udhëtimi është një i vetëm, gjatë të cilit, Papa do të vizitojë të dyja këto vende, me etapa, që do të përcaktohen më vonë, por që nuk do të jenë të shumta, theksoi atë Lombardi. Duhet pasur parasysh edhe lartësia mbi nivelin e detit, prandaj nuk është e këshillueshme që Ati i Shenjtë të shkojë, për shembull, në Qytetin e Meksikos, për shkak të zemrës.
Pas Konferencës kontinentale të Aparesidës, në të cilën Benedikti XVI mori pjesë para katër vjetësh, Amerika Latine po impenjohet në misionin e ungjillëzimit e të përgatitjes së kremtimit të Vitit të Fesë. Papa do ta inkurajojë Kishën për të kryer detyrën e saj në këtë drejtim.







All the contents on this site are copyrighted ©.