Konferenca ndërkombëtare mbi qelizat burimore të rritura. Kardinali Ravazi fton të
shikohet përtej mjekësisë.
Tri ditë, për të diskutuar mbi “Qelizat burimore të rritura: shkenca, ardhmëria e
njeriut dhe e kulturës”. Kjo është tema e Konferencës ndërkombëtare, që filloi sot
në Sallën e Re të Sinodit, në Vatikan, me nismën e Këshillit Papnor të Kulturës dhe
të Fondacionit “Stem for Life” (Qelizat për jetën), shoqëri farmaceutike amerikane,
partnere në këtë nismë. Takimi u paraqit dje në Sallën vatikanase të Shtypit nga
kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i dikasterit nismëtar, së bashku me përgjegjësin
e departamentit shkencor të Këshillit Papnor për Kulturën, don Tomash Trafni dhe doktoreshën
Robin Smith, administratore-delegate e NeoStem.
“Do të ndiqet si ngjarje
e madhe kulturore e shkencore, ky takim” nënvizoi dje atë Federiko Lombardi, drejtor
i Sallës vatikanase të Shtypit. Ndërsa për karakterin ndërdisiplinor të takimit, që
përfshin edhe Këshillin Papnor për veprimtarët baritorë si dhe Akademinë e Jetës,
të dëgjojmë kardinalin Ravazi: “Kur është fjala për fenomene, të cilat
po i quajmë mjekësore, çështja nuk është kurrë vetëm mjekësore. Nuk është kurrë thjesht
biologjike, thjesht teknike: është çështje – si të themi – simbolike; përfshin një
kompleks realitetesh, të cilat e kapërcejnë atë, që është thjesht e pastërtisht fiziologji”. Në mënyrë të posaçme, shton Hirësia e Tij, kur bëhet fjalë për një temë kaq delikate,
kaq të ndërlikuar, në kontakt të përhershëm me bioetikën: “Prej këndej, duhet
pohuar se nevoja e një vizioni kulturor më global është gati-gati në rendin e sendeve.
Shkenca e madhe sot lëviz duke ua vënë veshin shumë zërave, pa u ndaluar vetëm tek
teknika”. Tri, janë qëllimet e Konferencës, sipas don Tomash Trafnit, përgjegjës
i departamentit shkencor të Këshillit Papnor për Kulturën. Së pari, paraqitja
e arritjeve të shkencës në fushën e qelizave burimore të rritura; së dyti,
nxitja e shkencave humane për reflektim në fushën filozofike, teknologjike, sociologjike,
edukative e kulturore; së treti, përpjekja për ta bërë problemin sa më të kuptueshëm
për publikun e gjërë, duke e kapërcyer rrethin e ngushtë të specialistëve. Janë
më se 30, referuesit. E jo vetëm mjekë e shkencëtarë, por edhe përfaqësues të kulturës,
krerë politikë, diplomatë, anëtarë të organizatave ndërkombëtare, sipërmarrës e të
sëmurë, që kanë rifituar shëndetin, falë mjekimeve të bazuara mbi qelizat burimore
të rritura. “We will be many voices moine together… “Do të jemi
shumë zëra, bashkuar në një zë të vetëm”, pohon me entuziazëm doktoresha Robin
Smith, sepse kauza jonë është e ngutshme. Në botën e sotme numërohen 12 milionë
e 700 mijë të sëmurë nga kanceri; 346 milionë diabetikë e 583 milionë të sëmurë nga
imunodefiçencat. E, të mos harrojmë, pas secilës nga këto statistika, janë njerëzit
e gjallë, që vuajnë shumë, por edhe që kanë nisur të shpresojnë shumë.
Disa
sqarime me karakter terminologjik shkencor, për ta kuptuar më mirë rëndësinë e
takimit në Vatikan: Qelizat staminale apo burimore, kanë disa nënlloje. Një prej
tyre është qeliza totipotente, që mund të shndërrohet në çdo lloj qelize, edhe në
pluripotente apo qelizë amë, me aftësi të vazhdueshme ndarjeje. Synohet që përmes
këtij lloji, të prodhohet një sasi të pakufizuar e grupit të gjakut 0 Rh negativ,
tejet i rrallë në botë. Kemi, pastaj, qelizat multipotente, që kanë aftësi të
shndërrohen në disa lloj qelizash, por jo në të gjitha. Së fundi, kujtojmë qelizat
unipotente, që gjinden në shtresën e fundit të lëkurës dhe që, herë pas here, e ripërtërijnë
atë. Një kasifikim tjetër është ai, që i ndan qelizat burimore në dy grupe: embrionale
e të rritura. Embrionalet po përdoren gjithnjë më shumë për eksperimente, në shërbim
të disa sëmundjeve deri më sot të pashërueshme. Mendohet se ndikojnë tejet pozitivisht
në shërimin e kancereve të gjakut. Ashtu si dhe qelizat e kordonit kërthizor. Por
eksperimentet me qeliza burimore embrionale kanë ngjallur diskutime të forta të tipit
etik, sepse shkatërrojnë jetë njerëzore, duke iu kundërvënë së drejtës themelore të
njeriut për jetën, që nga zënia, në vdekjen e natyrshme.