2011-11-08 16:18:52

Takimi i vullnetarëve katolikë evropianë. Imzot Dal Tozo: Papa falenderon këta dëshmitarë të bamirësisë


Më 10 e 11 nëntor, në Vatikan, do të zhvillohet takimi i vullnetarëve katolikë evropianë. Në ngjarjen, që u paraqit nga kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Robert Sarah, do të marrin pjesë 160 ipeshkvij e përfaqësues të organizatave katolike bamirëse nga 25 vende të botës. Të premten, më 11 nëntor, pjesëmarrësit e takimit do të priten nga Papa Benedikti XVI. Edhe tema e mbledhjes është “Papa dhe vullnetarët evropianë”. Cilat janë arsyet, që qëndrojnë pas kësaj nisme? Intervistuam sekretarin e dikasterit “Cor Unum”, imzot Gjovani Pietro Dal Tozo:
Korniza është viti evropian i vullnetariatit, në të cilin na u duk e arsyeshme t’i kushtojmë vëmendje edhe botës së madhe të vullnetarëve katolikë në Evropë. Ky është shkaku, që Ati i Shenjtë ftoi përgjegjësit dhe ipeshkvijtë e këtij sektori për t’i inkurajuar në radhë të parë, e pastaj, për t’i falenderuar për punën, që po bëjnë. Me enciklikën “Deus Caritas Est”, Papa ka treguar vëmendje të veçantë për dëshminë e Kishës përmes bamirësisë së jetuar të të krishterëve. Motivacioni i kësaj dëshmie gjendet tek feja, pasi bamirësia lind si shprehje e besimit tonë në Krishtin. Në Ungjill thuhet qartë: “Prej kësaj do t’ju njohin se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”. Jo më kot, takimi do të bëhet më 11 nëntor, në festën liturgjike të Shën Martinit, i cili njihet si shenjti që i dha mantelin nevojtarit.







All the contents on this site are copyrighted ©.