Qelizat staminale: shkencëtarët në Vatikan për të reflektuar mbi kufijtë etikë të
përdorimit të tyre
Përparimet në punën kërkimore-shkencore për qelizat staminale (burimore) të rritura,
përdorimi i të cilave nuk sjell shkatërrimin e embrioneve; zbatimet mjekësore të rezultateve
dhe aspektet etike, filozofike, ekonomike lidhur me këtë fushë, do të jenë në qendër
të një kuvendi ndërkombëtar, i cili do të fillojë nesër në Vatikan e do të përfundojë
më 11 nëntor. Iniciativa u paraqit sot paradite e organizohet nga Fondacioni “Stem
for Life” (Qelizat për Jetën), degë jofitimprurëse e firmës biofarmaceutike ndërkombëtare
“NeoStem”, nga Këshilli Papnor i Kulturës dhe nga “Stoq”, organizatë, që ka për qëllim
nxitjen e dialogut ndërmjet Kishës dhe kulturës bashkohore. Në këtë takim, do të
marrin pjesë 30 relatorë dhe shumë pacientë, që kanë përfituar nga përdorimi i qelizave
staminale. “Kur flitet për mjekësi – theksoi sot paradite kreu i dikasterit vatikanas
për Kulturën, kardinali Gjanfranko Ravazi – çështja nuk është kurrë vetëm mjekësore,
biologjike, apo teknike: është çështje simbolike, e cila përqafon një realitet të
ndërlikuar”. Dy janë qëllimet kryesore të kuvendit, siç shpjegoi përgjegjësi i
departamentit shkencor të Këshillit Papnor për Kulturën, don Tomash Trafni. Së pari,
paraqitja e nivelit të shkencës në fushën e qelizave staminale të rritura, duke e
ndërthurur me reflektime, që vijnë nga shkenca të tjera humane. Së dyti, hapja e një
kanali komunikimi ndërmjet shkencës dhe publikut të gjerë. Një nga reflektimet interesante,
që Vatikani do të propozojë gjatë kuvendit, është shtrirja e betimit të Hipokratit
për të gjitha shkencat, që merren me jetën. Respekti absolut për jetën, që Hipokrati
u imponon mjekëve, tha don Trafni, e bën të paligjshëm përdorimin e qelizave staminale
embrionale dhe duhet t’i shtyjë shkencëtarët të impenjohen më shumë për të kuptuar
gamën e përdorimit të qelizave staminale të rritura. Në përfundim të punimeve,
në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, do të jepet një koncert nga Kapela Muzikore
Papnore Sikstina, drejtuar nga dirigjenti Masimo Palombela. Do të jetë me dyer të
hapura për të gjithë e jo vetëm për pjesëmarrësit e kuvendit.