2011-11-08 13:35:39

Paraqitet vëllimi mbi marrëdhëniet Benin - Seli e Shenjtë. Imzot Bertelo: vizita e Papës do t’i japë një hov të ri vendit afrikan.


Një libër i ri, për të njohur nga afër Beninin e për të kuptuar rëndësinë e vizitës së ardhshme të Benediktit XVI në vendin afrikan: këtë qëllim ka vëllimi “Benini dhe Selia e Shenjtë”, botuar në gjuhën frënge nga Lev, shtëpia botuese e Vatikanit, nën kujdesin e Ambasadës së Beninit pranë Selisë së Shenjtë.
Libri u paraqit këto ditë në Sallën Markoni të Radio Vatikanit. Ndërmjet shumë personaliteteve tjera foli edhe imzot Giuseppe Bertello, drejtor i Governatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit, në vitet ’80, nunc apostolik në Benin. Në mikrofonin e Radio Vatikanit imzot Bertello kujton vitet e shërbimit diplomatik në vendin afrikan, në një fazë domethënëse tranzicioni:

Përgjigje: - Pata vërtet privilegjin të jetoj një çast historik për jetën e Beninit, çastin e Konferencës kombëtare, në të cilën qenë mbledhur të gjithë përfaqësuesit më të lartë të politikës e të kulturës në vend, për të kërkuar rrugëdalje nga gjendja e acaruar, që nuk premtonte asgjë të mirë, veç luftës civile. Kujtoj sesi, në këtë periudhë, duke shtegtuar drejt Kotonu-së, isha porositur të mos i ulja për asnjë arsye xhamat e makinës, sepse papritmas, ndokush mund të më flakte benzinë në fytyrë. Është vetëm një shembull, për të kuptuar sa e vështirë ishte gjendja. E kjo, sepse Benini kishte jetuar nën thundrën e diktaturës marksiste, që i kishte shkelur me zjarr e hekur jo vetëm të drejtat e njeriut, por sidomos, pasi i kishte premtuar vendit begatinë, e kishte çuar në greminën e urisë e të vdekjes. Presidenti Kerekou e kuptoi se po të mos i hapte udhën një politike të re, po të mos zgjidhte rrugën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, nuk do të merrte kurrë ndihma ndërkombëtare. E kjo për vendin kishte vetëm një emër: vdekje! Më pas Mitterand mbajti, në La Baule, fjalimin e famshëm mbi demokracinë në Afrikë. Konferenca kombëtare ishte një mënyrë për ta kurorëzuar këtë ndërrim të klimës politike, që kishte nisur të ndjehej që në vitin 1972.

Pyetje: - Sot Benini ka një fytyrë të re, jeton në paqe, fetë bashkëjetojnë në qetësi, madje japin ndihmesën për bashkëjetesën e dialogun edhe në vendet fqinje…

Përgjigje: - Kisha në Benin ka dhënë gjithnjë ndihmesën e vet për dialogun: e kujtoj akoma Letrën baritore të asaj kohe, një dokument, që u prit me simpati të madhe pikërisht nga jo të krishterët. E prandaj deshën që imzot Souza të zgjidhej kryetar i Konferencës ndërkombëtare. Kjo letër përgatiti vërtet terrenin për krijimin e klimës së pajtimit në situatën e vështirë të vendit dhe ngjalli shumë shpresa për fillimin e një udhe të re.

Pyetje: - Imzot Souza e kardinali Gantin: dy gurë kilometrikë në udhën e re, që po niste Benini…

Përgjigje: - Mund të them se, në një farë mënyre, ishin atë e bir: kardinali Gantin e shikonte me sy shumë të mirë këtë meshtar, të cilin Zoti e kishte pajisur me dhanti të jashtëzakonshme intelektuale, me zell të vërtetë meshtarak misionar, me karakter të rrallë, plot mirësi e bujari. Them gjithnjë se mbrëmjet më të bukura të jetës i kalova gjatë viteve, kur jetoja në Afrikë - më se dhjetë vjet – posaçërisht në Kotonu, pikërisht sepse isha pranë këtyre dy figurave të ndritura…

Pyetje: - Ju keni pohuar edhe vlerën e Seminarit të Ouidah, i pari i llojit në Benin e në Afrikën perëndimore, që hapi udhën e ungjillëzimit të ri në këto vise. Keni theksuar në mënyrë të posaçme edhe vizitën, që do të bëjë Papa në seminar. Pse?

Përgjigje: - Papa do të vizitojë seminarin, sepse aty është varrosur kardinali Gantin. E, natyrisht, edhe për të treguar vëmendjen ndaj meshtarëve të rinj, që po përgatiten në këtë institucion. Duhet theksuar se në Benin vijojnë ende studimet edhe seminaristë nga vende të tjera, si bie fjala, nga Togo.

Pyetje: - Ç’rëndësi ka vizita e Papës në Benin e ç’gjurmë do të lërë pas, sipas jush?

Përgjigje: - Jam i bindur se shtegtimi i parë i një Pape, ai i Gjon Palit II, në Benin, më 1982, luajti një rol të dorës së parë për të zhdukur mosbesimin kundër Kishës katolike, edhe në radhët e kundërshtarëve të saj. Kujtojmë se Kisha në vend ishte e persekutuar, se ishte shtetëzuar çdo pasuri e saj, se ishin ndërprerë të gjitha veprimtaritë. Shtegtimi i dytë, më 1992, dëshmoi atë, që Benini kishte jetuar me Konferencën ipeshkvnore. Uroj që shtegtimi i tretë i Papës të jetë rast për të rifituar vetëdijen e gjallërisë së fesë e të dhuratës së paqes, që ia bëri Zoti këtij vendi. Por edhe për ta bërë fuqimisht të ndjeshëm zellin misionar, që Benini të shkojë për t’ua kumtuar Ungjillin edhe të tjerëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.