Më 8 nëntor kalendari kujton të Lumin Gjonin Duns Skot.
I Lumi Gjoni Duns Skot, teolog i famshëm mesjetar, lindi në vitin 1265 në Skoci, prej
nga mori edhe llagapin (mbiemrin) Skot, apos skocez. Rreth vitin 1280 hyri në Urdhrin
Françeskan, ndërsa meshtar i shugurua nga ipeshkvi i Linkolnit në vitin 1291. Studioi
për shumë vjet në Universitetin e Kembrixhit e në atë të Parisit. Mësues i madh
i teologjisë, i quajtur “mendimtar i së ardhmes” nga filozofi gjerman Martin Heidegger,
Duns Skot mund të krahasohet me shën Tomën e Akuinit e me shën Bonaventurën. Qëllimi
i tij ishte të realizonte një sintezë të filozofisë e të teologjisë. Me bindje për
epërsinë e dashurisë mbi njohjen e lirinë, i Lumi Gjoni Duns Skot e paraqet teologjinë
si shkencë praktike, shkencë që i prin njeriut drejt dashurisë. I quajtur “doktor
subtilis” – “dijetar i hollë” për mprehtësinë e tij gjeniale dhe “doktor marianus”
– “dijetar marian” për devocionin që pati ndaj Zojës së Bekuar të Papërlyer, zënies
pa faj të së cilës i kushtoi një nga veprat e veta më të rëndësishme. Vdiq më 8 nëntor
të vitit 1308 në Këln të Gjermanisë. Papa Gjon Pali II e shpalli të Lumtur më 20
mars 1993 duke e quajtur “këngëtar të Fjalës së Mishëruar e mbrojtës të të Zënit të
Papërlyer të Marisë". Trupi i tij pushon në kripten e Kishës së fretërve të vegjël
në Këln.