2011-11-08 13:35:25

Imzot Antonio Vegliò: fenomeni i emigracionit u krijon të krishterëve mundësi për të kumtuar Ungjillin.


Tema e zgjedhur nga Benedikti XVI për Ditën e 98-të Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, që do të kremtohet më 15 janar 2012, është “Emigracioni dhe ungjillëzimi i ri”. Në mesazhin, botuar për këtë rast, Papa shpjegon se fenomeni i sotëm i emigrimit, që i shtyn një mori njerëzish e popujsh të ndryshëm të lëvizin nga një vend në tjetrin, mund të kthehet në mundësi providenciale për kumtimin e Ungjillit në botën e sotme.
Folëm, për këtë, me kryeipeshkvin Antonio Maria Veglio, kryetar i Këshillit Papnor për baritorinë e mërgimtarëve dhe endacakëve.

Përgjigje: - Fenomeni i emigrimit sjell një përzjerje njerëzish e popujsh, me karakteristikat e tyre shoqërore, kulturore e fetare. Njerëz, që vijnë nga zona të ndryshme të botës, ku Jezu Krishti nuk njihet akoma, për të kërkuar strehë në vendet e traditës së krishterë. Njëkohësisht, njerëz që u përkasin popujve të fesë së krishterë, emigrojnë drejt vendeve, në të cilat të krishterët janë me pakicë. Ose shkojnë në vende, ku feja nuk është më bindje personale, por kufizohet në fakt thjeshtësisht kulturor. Ky proces hap rrugë të pashembullta për ungjillëzimin, sepse u ofron bashkësive të krishtera mundësinë për ta kumtuar Krishtin përmes dialogut plot respekt dhe dëshmisë konkrete të solidaritetit. Emigrantët e krishterë mund edhe të rizgjojnë vetëdijën e dremitur fetare, duke u kujtuar të gjithëve se feja duhet jetuar ditë për ditë. Prandaj Ati i Shenjtë fton që me emigrantët të zhvillohet një punë sa më e përshtatshme baritore, në mënyrë që ta mbajnë të gjallë fenë e tyre, të mos lëkunden nga ndikimet e jashtme, ta dëshmojnë Ungjillin, për t’u bërë pastaj, ata vetë, kumtues të së vërtetës ungjillore.

Pyetje: - A mund të na jepni ndonjë shembull të bashkëpunimit ndërmjet kishave të origjinës, me ato që mikpresin flukset e emigrantëve e të refugjatëve? Si organizohet dhe pse është i domosdoshëm ky bashkëpunim?

Përgjigje: - Në botën e emigracionit ka shumë rëndësi të nxitet solidariteti konkret, të mbrohen dinjiteti dhe të drejtat e mërgimtarit, të refugjatit e të studentit ndërkombëtar, të mbështeten përpjekjet e tyre për t’u integruar në vendin e ri, pa e humbur identitetin e tyre njerëzor e kristian. Natyrisht duhet edhe të sensibilizohen për detyrat e tyre ndaj shoqërisë, që i strehon. Një shembull për këtë është ai i bashkëpunimit ndërmjet Kishave, të cilave u përkasin emigrantët. Përmes tyre mund të shkëmbejnë informacione mbi ligjet e emigracionit në vende të ndryshme, të njohin strukturat ekzistuese të ndihmës, në mënyrë që të fitojnë vetëdijen për dinjitetin, të drejtat dhe detyrat e tyre, por edhe për rreziqet e vëshirësitë, që i presin. E kjo, pa u nisur akoma drejt viseve të huaja, të panjohura. Një shembull tjetër është shoqërimi i emigrantëve, refugjatëve e studentëve ndërkombëtarë nga veprimtarë të baritorisë, që mund të jenë meshtarë, rregulltarë ose laikë. Kështu mërgimtarët do të mund të kenë pranë një dorë, që u shtrihet në të gjitha nevojat e përditshme, materiale e shpirtërore. Këta shoqërues mund të dërgohen nga Kishat e origjinës, për të jetuar me mërgimtarët shtegtimin e shpresës. Por mund edhe të vihen në dispozicion nga Kishat e vendit, ku nisin jetën e re, si ndihmës të emigrantëve në përpjekjen e përditshme për ndërtimin e një ardhmërie më të mirë, më fatbardhë, në një tokë, që nuk është e tyrja.

Pyetje: - Në mesazh, Papa nënvizon rolin e rëndësishëm të shtypit, në mënyrë që njerëzit ta njohin mirë situatën, e cila i detyron emigrantët të largohen nga vatrat e tyre, në drejtim të panjohur. Pse ky nënvizim, sipas jush?

Përgjigje: - Ati i Shenjtë nënvizon, me të drejtë, rolin e rëndësishëm të shtypit, duke kujtuar edhe përgjegjësinë e gazetarëve për të punuar me ndërgjegje, për të dhënë jo vetëm lajme të aktualitetit, por edhe për t’i ndihmuar qytetarët me mesazhe të vërteta, që përhapin kulturën e solidaritetit. Mjetet e komunikimit masiv, duke pasur parasysh ndikimin e tyre të menjëhershëm mbi opinionin publik, duhet të shqetësohen seriozisht për kumtimin e një informacioni korrekt e të gjërë, duke shmangur çdo terminologji demagogjike, që ka për qëllim t’i dëmtojë emigrantët. Kontributi i tyre ka rëndësi të madhe për të sensibilizuar shoqërinë lidhur me situatat e reja e me realitetin e shkeljes së të drejtave të refugjatëve, njerëz, që detyrohen të largohen nga vendi i tyre, sepse shpesh herë nuk kanë asnjë rrugëzgjidhje tjetër. Ndodhen para alternativës: të ikin nga sytë këmbët, ose të humbasin jetën. Të vijojnë të jenë në shënjestër të dhunës, të persekutimit, të luftërave, ose të largohen nga gjithçka kanë krijuar e kanë dashur një jetë të tërë. Askush nuk do të dëshironte të largohej nga atdheu, ashtu si largohen emigrantët e refugjatët, të cilët shpesh nuk kanë kohë as për një lamtumirë. Vendet strehuese duhet të marrin mbi vete përgjegjësinë për t’i mbrojtur refugjatët, në përkim me Konventën e 1951-it, që parashikon asistencën dhe strehimin e tyre me të gjitha të drejtat dhe detyrat, sipas vendit ku ndodhen.

Pyetje: - Në mesazh, Papa nënvizon situatën e një numri të madh studentësh ndërkombëtarë, që përballojnë problemet e jetesës në një vend të ri, posaçërisht të gjetjes së banesës. Është edhe ky një sektor i njerëzve në lëvizje, që dikasteri juaj po e ndjek në mënyrë të veçantë…

Përgjigje: - Po, natyrisht. Duke qenë në kompetencë të dikasterit tonë promovimi i lëvizjes së njerëzve në përgjithësi, edhe kategoria e studentëve ndërkombëtarë bën pjesë në këtë fenomen të ndërlikuar. Numri i studentëve ndërkombëtarë e ka kapërcyer shifrën 3 milionë. Në vitin 2025 mendohet të arrijnë në 7 milionë. Si pasojë, ka shumë nevojë për vendet e formimit e të edukimit të tyre. Misioni i atyre që kanë përgjegjësi akademike e baritore në botën universitare, duhet të jetë ai i promovimit të bashkëpunimit ndërmjet kulturave të ndryshme të studentëve, por edhe ai i kumtimit të Ungjillit. Me këtë synim dikasteri ynë po organizon Kongresin e tretë botëror të baritorisë së studentëve ndërkombëtarë, që do të mbahet në Romë sivjet, nga 30 nëntori deri më 3 dhjetor, me temë “Studentët ndërkombëtarë, takimi i kulturave”. Ka për qëllim të vërë theksin mbi rolin e studentëve për ungjillëzimin e ri në mjediset akademike e universitare.







All the contents on this site are copyrighted ©.