8 nëntori 1464 data e 'Formulës së Pagëzimit' të imzot Pal Engjëllit
Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 8 nëntor përkujtojmë datën e shkrimit të
dokumentit Kishtar të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit, në gjuhën kishtare
të kohës, latinisht, në të cilin dokument gjendet në gjuhën shqipe “FORMULA E PAGEZIMIT”,
që deri më sot konsiderohet si dokumenti i parë shqip që njihet e që mbanë datën e
8 nëntorit të vitit 1462. Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëllit,
mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt i heroit të kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit,
Skënderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është
gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915. Dokumenti është fryt i vizitës
baritore që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli bëri si bari e udhëheqës shpirtëror
i grigjës së Zotit, nëpër Kishat famullitare dhe vise të territorit të kryedioqezës
së Durrësit. Në mbarim të kësaj vizite baritore e shpirtërore imzot Pal Engjëlli
paraqet pasqyrën e gjendjes së organizimit të Kishës, situatën e vështirë në të cilën
gjendeshin banorët e besimtarët, problemet e mëdha ekonomike dhe rreziqet që i kanoseshin
aso kohe popullsisë e duke u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve
(banorëve) ti pagëzonin foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës
sipas ritualit kishtar të Sakramentit të Pagëzimit…“Unë po të pagëzoj në emër të
Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Së fundi në këtë dokument imzot Pal
Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës të ndihmojnë popullsinë e varfër e të
vuajtur të këtyre viseve.