2011-11-07 17:37:24

Papa ambasadorit të ri të Gjermanisë pranë Vatikanit: Kisha nuk mbron interesat e veta, por të vërtetën mbi njeriun.


Kisha nuk mbron interesat e veta, por dinjitetin e njeriut: kështu u shpreh Benedikti XVI në audiencën me ambasadorin e ri të Republikës Federale të Gjermanisë pranë Selisë së Shenjtë, Reinhard Schweppe, i cili u prit sot në Vatikan, për paraqitjen e Letrave kredenciale. Papa kujtoi shtegtimin e tij të fundit apostolik në Atdhe, për të reflektuar, më pas, për ndihmesën që mund të japë Kristianizmi në një shoqëri pluraliste, si ajo gjermane.

Gjatë vizitës sime në Gjermani, u pa qartë se njerëzia është në kërkim të së vërtetës, nënvizoi Benedikti XVI në fjalimin drejtuar ambasadorit të ri gjerman pranë Selisë së Shenjtë. Papa pohoi se të krishterët janë të thirrur të jenë dëshmitarë të së vërtetës në jetën e tyre personale, familjare e komunitare. Theksoi, kështu, se Kisha katolike mund t’i bëjë një shërbim shumë të çmuar një shoqërie pluraliste, si ajo gjermane. Përmes fesë, pohoi Ati i Shenjtë, Kisha impenjohet për mbrojtjen e atyre vlerave, që çmohen nga të gjithë njerëzit, pavarësisht nga kulturat e veçanta.
Shprehu, më pas, kënaqësinë, që këto vlera, të bazuara mbi të vërtetën për njeriun, pasqyrohen edhe në Kushtetutën gjermane të 1949-tës, shpallur pas tmerreve të diktaturës naziste. Por, vijoi me shqetësim Ati i Shenjtë, disa nga këto vlera themelore të jetës njerëzore, po vihen përsëri në diskutim. Prandaj Kisha e ka për detyrë ta mbrojë dinjitetin e njeriut, në mënyrë të veçantë, kur është në rrezik.
Vetëm një shoqëri, që e respekton dhe e mbron pa asnjë kusht dinjitetin e çdo njeriu, nga zënia, deri në vdekjen e natyrshme, kujtoi Papa, mund ta quajë veten shoqëri njerëzore. E në se do të vendoste t’i përzgjidhte e t’i përjashtonte, anëtarët e saj më nevojtarë, ajo do të sillej në mënyrë thellësisht çnjerëzore. Kush do t’i besonte, pastaj, se lufton për barazinë e të gjithë njerëzve, se mbron dinjitetin e të gjithëve, në çdo fazë të jetës? Aq më tepër në se do të besonte se i takon e drejta ta manipulojë njeriun, për të mos thënë, ta fabrikojë. Në se Selia e Shenjtë shpreh mendimin e vet për ligjshmëritë lidhur me çështjet themelore mbi njeriun, ripohoi Papa, këtë nuk e bën për t’ia imponuar fenë e vet të tjerëve, por për të mbrojtur vlerat, që duket qartë se u përkasin të gjithëve, edhe pse interesat e natyrave të ndryshme përpiqen ta errësojnë në shumë mënyra këtë qartësi.
Papa u ndalua, pastaj, tek prirjet materialistike e hedonistike, që vijojnë të përhapen në shoqëritë perëndimore e që shpesh çojnë në diskriminimin e në shfrytëzimin e grave. Çdo njeri, burrë a grua qoftë, vërejti Papa, ka të njëjtin dinjitet. Prandaj, të mos e llogaritësht këtë, do të thotë të zbehësh vetë vlerat e humanizmit. Papa kritikoi në mënyrë të veçantë përhapjen e materialeve pornografike, edhe përmes kanaleve të internetit. Selia e Shenjtë, siguroi, do të vijojë të impenjohet, që Kisha katolike në Gjermani t’i kundërvihet këtij lloj shpërdorimi me forcë, në mënyrë të qartë e të vendosur.
Në përfundim Benedikti XVI u shprehu mirënjohjen institucioneve gjermane për marrëdhëniet e mira me Selinë e Shenjtë si dhe për krijimin e kushteve të përshtatshme, në të cilat Kisha katolike mund ta kumtojë lirisht Ungjillin dhe t’i ndihmojë nevojtarët, përmes institucioneve të veta bamirëse.







All the contents on this site are copyrighted ©.