2011-11-07 06:57:14

Në takimin e ipeshkvijve të Kishave katolike të ritit lindor.


“Kriza, që po kalon bota e sotme, ka karakter thelbësor antropologjik. Pasojat e shekullarizmit çuan në përjashtimin e pajustifikuar të Zotit. E kjo, në çorientimin e identitetit personal, prej nga buron paaftësia për ta përligjur vetveten e për ta orientuar drejt vetë jetën”. Kështu u shpreh imzot Rino Fizikella, kryetar i Këshillit Papnor për promovimin e ungjillëzimit të ri, në fjalimin e mbajtur gjatë takimit të 14-të të ipeshkvijve të Kishave katolike të ritit lindor, në Oradea të Rumanisë.
Imzot Fizikella shtoi se ndjehet fort nevoja për një hov të ri misionar, pa të cilin nuk do të ishte e lehtë të kapërceheshin disa vështirësi. Vështirësitë kanë të bëjnë kryesisht me disa keqkuptime lidhur me misionin e Kishës dhe detyrën që ka çdo i pagëzuar për të qenë kumtues i Ungjillit të shëlbimit. E këto keqkuptime vitet e fundit janë thelluar në mënyrë të ndjeshme.
Duke hapur takimin, ipeshkvi i Oradea-Mare-s, imzot Virgil Bercea, foli posaçërisht për veprimtarinë e Kishës greko-katolike të dioqezës së tij. Jemi të gjithë – theksoi, protagonistë të ungjillëzimit të ri.
Takimi, përqendruar tek tema “Do të jeni dëshmitarët e mi: ungjillëzimi në Kishat katolike të ritit lindor në Evropë” zhvillohet nën drejtimin e Këshillit të konferencave episkopale evropiane (Ccee).
Kardinali Peter Erdë, kryetar i Ccee dhe primat i Hungarisë, nënvizoi se ungjillëzimi i ri nuk është metodë sociologjike, por përfaqëson përpjekjen e nevojshme misionare në të gjithë ato vende, ku kristianizmi është kumtuar prej kohe. Hirësia e Tij shprehu bindjen se Kishat katolike lindore kanë shumë për të dhënë në këtë fushë, duke kujtuar se pothuajse në të gjithë vendet e Evropës Lindore këto Kisha u mbyllën nga regjimi komunist. Feja e krishterë, dashuria për Krishtin e Kishën e tij – shtoi kardinali Erdë - janë edhe sot, ashtu si gjithnjë, themelore për një Evropë të shëndetshme, të aftë për ta kapërcyer krizën e për t’i mbajtur të bashkuara larmitë kulturore e fetare, larg rrafshimit të tipareve të tyre të veçanta.
Jetojmë në një botë të shekullarizuar – përfundoi kryetari i Ccee - e paradoksalisht, të etur për Zotin e për zbulimin e kuptimit të jetës.
Në takim, njofton agjencia Ansa - foli edhe kreu i Kishës greko-katolike të Rumanisë, imzot Lucian Mureban. Të krishterët - nënvizoi – janë viktima të persekutimit në mbarë botën. Është fjala për sfidat, që lidhen me relativizmin dhe shekullarizimin
Imzot Mureban theksoi posaçërisht nevojën për të gjetur rrugëzgjidhje në rrethanat e sotme shoqëroro-kulturore si dhe detyrën e Kishës për t’iu përgjigjur nevojave shpirtërore që kanë të bëjnë me ungjillëzimin e ri.
Kryetari i Bashkisë së Oradeas, Ilie Bolojan, në përfundim, kujtoi me kënaqësi bashkëpunimin ndërmjet Kishës dhe autoriteteve civile, duke nënvizuar se bashkësia greko-katolike i jeton vlerat e krishtera.







All the contents on this site are copyrighted ©.