2011-11-07 17:38:35

Në Rumani, takimi i ipeshkvijve greko-katolikë mbi ungjillëzimin e ri. Reflektimi i atë Rupnik


Përfundoi në Rumani, takimi i ipeshkvijve greko-katolikë mbi temën e ungjillëzimit të ri. Në mbledhjen e organizuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës morën pjesë, ndër të tjerë, edhe kardinali Peter Erdë, presidenti i Këshillit dhe imzot Ciril Vasil, sekretar i Kongregatës për Kishat Lindore. Për temat, që u trajtuan në këtë takim, pyetëm drejtorin e Qendrës “Aletti”, jezuitin slloven, atë Marko Ivan Rupnik:
E para gjë e rëndësishme ishte hapja e takimit nga imzot Rino Fizikela, kreu i dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin e Ri, i cili sqaroi vërtet katërcipërisht se ç’ka ndërmend Ati i Shenjtë kur flet për këtë ungjillëzim. Argument tjetër i rëndësishëm ishte paraqitja e përvojës 20 vjeçare të Kishës greko-katolike, në vendet lindore, ku ajo u ringjall: nga ndalimi, nga gati shfarosja e saj deri në këtë shpërthim të ri, si në rastin e Rumanisë e të Sllovakisë, por sidomos në Ukrainë.
20 vjet pas rënies së regjimeve komuniste, cilat janë sfidat për Kishat katolike të ritit lindor?
Mund t’i përmbledh në dy tema të mëdha. E para është të mos harrojmë, të mos fshijmë, por të arrijmë të kalojmë nga kujtesa në “anamnesis”: nga memoria njerëzore, që mund të jetë plot plagë, në një kujtesë hyjnore, si ajo, që përmbahet edhe në Liturgji e ku, në vend të plagëve, duket Hiri, shfaqet jeta. Kjo është sigurisht, një detyrë e madhe! Tema e dytë ka të bëjë me këndvështrimin mbi Perëndimin, i cili, natyrisht, ka një forcë jashtëzakonisht tërheqëse: por, njëkohësisht, jemi të vetëdijshëm se Perëndimi ka paguar një “taksë” të lartë për ndeshjen e tij me modernizmin. Prandaj, është e nevojshme të mësojmë nga Kisha latine si ta përballojmë këtë konfrontim me botën bashkohore.
Vitin që vjen, në Vatikan, do të zhvillohet Sinodi për Ungjillëzimin e Ri. Cili është kontributi, që mund të japin Kishat Katolike të ritit lindor?
Ungjillëzim do të thotë zbulim i jetës pas pagëzimit, i jetës së re. Mendoj se Lindja, në një farë mënyre, ka aftësi më të mëdha për t’i ruajtur njohuritë, dijen njerëzore, pa e shkëputur nga jeta, duke e mbrujtur për shembull, artin me jetë. Besoj se rizbulimi i këtyre traditave të Lindjes mund të jetë kontributi i saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.