Benedikti XVI: do të gjykohemi nga Zoti mbi dashurinë që kemi mishëruar konkretisht
në jetën e përditshme
“Urti e vërtetë është të përfitosh nga jeta e vdekshme për të bërë vepra bamirësie,
vepra të mëshirshme, pasi që, pas vdekjes, kjo nuk është më e mundshme të bëhet”.
Kështu tha mes tjerash Papa Benedikti XVI në fjalimin e shkurt që parapriu lutjen
e mesditës të Engjëllit të Tënzot në Sheshin e shën Pjetrit në Vatikan. “Kur do të
zgjohemi për gjyqin e mbramë, kjo do të ndodhë mbi bazën e dashurisë së zbatuar në
jetën tokësore”, kujtoi Ati i Shenjtë Ratcinger duke komentuar “imazhin e bukur” të
pjesën Ungjillore të liturgjisë së dielës së 32-të gjatë vitit kishtar, atë të dhjetë
virgjërave, vasha nderi të ftuara në festën e një dasme mirëpo pesë pre tyre përjashtohen
sepse kishin mbetur pa vajin që shërbente për ti mbajtur të ndezura llambat e tyre.
“Vashat marroqe – shpjegoi Papa duke cituar shën Agostinin – nuk kanë marrë me vete
vajin që në tregimin ungjillor është simbol i dashurisë, që nuk mund të blihet por
merret si dhuratë, ruhet në thellësi e zbatohet në vepra”. Për Atin e Shenjtë Benediktin
XVI, “kjo dashuri është dhuratë e Krishtit, e derdhur apo më mirë të themi e zbrazur
në ne nga Shpirti Shenjt. Kush beson në Zotin-Dashuri bartë në vete urtinë e pamposhtshme,
si një llambë drite me të cilën përshkohet nata përtej vdekjes, e arrihet në festën
e madhe të jetës”. “Marisë, Zojës së Bekuar, Selisë së Urtisë, i kërkojmë – përfundoi
Papa duke i nxit besimtarët të lutën – të na mësojë urtinë e vërtetë, atë që është
mishëruar në Jezusin. Le të mësojmë prej saj të jetojmë e të vdesim në urtinë që nuk
zhgënjen”.
Ja shëmbëlltyra e dhjetë virgjërave që u kumtua në Ungjillin
e kësaj së diele marrë nga Shën Mateut (Mt 25,1-13) të cilën Papa e komentoi gjatë
lutjes së Engjëllit të Tënzot. Në atë kohë, Jezusi u tregoi dishepujve të vet
këtë shëmbëlltyrë: Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat
i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë
të mençura. Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. Ndërsa
ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë. Pasi
dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja,
dhëndri! Dilini përpara!’ Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat
e veta. Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen
dritëzat.’ Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve,
më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’ Kur ato shkuan të blejnë, erdhi
dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. Më vonë
ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ Por ai
iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’ Prandaj: rrini zgjuar se nuk e
dini ditën as orën!"